Cerca

Vatican News
Papa në audiencën e përgjithshme Papa në audiencën e përgjithshme  (Vatican Media)

Papa: edukimi i krishterë është e drejtë e fëmijëve

Prindërit dhe nunët duhet t’i ndihmojnë fëmijët ta ruajnë përgjithnjë fenë. Këtë theksoi Papa në audiencën e sotme të përgjithshme, me të cilën përfundoi ciklin e reflektimeve kushtuar Pagëzimit, në kuadrin e katekizmit mbi sakramentet.

R.SH. - Vatican

Prindërit dhe nunët duhet t’i ndihmojnë fëmijët ta ruajnë përgjithnjë fenë. Këtë theksoi Papa në audiencën e sotme të përgjithshme, mbajtur në Sheshin e Shën Pjetrit, në Vatikan, me të cilën përfundoi ciklin e reflektimeve kushtuar Pagëzimit, në kuadrin e katekizmit mbi sakramentet.

Veshja e bardhë dhe qiriu i ndezur flasin vetë për pasojat shpirtërore të Pagëzimit. Mbi këto dy shenja kaq simbolike u ndalua Papa gjatë audiencës së përgjithshme,  mbajtur sot paradite, në Sheshin e Shën Pjetrit, me të cilën përmbylli ciklin e ketekizmave kushtuar këtij Sakramenti.

Veshja e bardhë

Që në shekujt e parë të krishterimit,  të posapagëzuarit visheshin me një petk të bardhë si dëbora, simbol i shkëlqimit të jetës së fituar në Krishtin e në Shpirtin Shenjt. Të rivishesh me Krishtin - kujtoi Papa - do të thotë të kultivosh virtytin e dhembshurisë, të mirësisë, të faljes e, mbi të gjitha, atë të dashurisë së krishterë

Flakë e ndezur nga qiriu i Pashkëve

Flaka e ndezur nga qiriu i Pashkëve, ndërkaq, është simbol i thirrjes. Zoti vetë na bën thirrje  të vishemi me shkëlqimin e Tij. E pagëzimi na kujton pikërisht se dashuria e Zotit e ndez flakë zemrën e të pagëzuarve, ashtu si qiriu i Pashkëve u jep dritë  qirinjve të tjerë. E prandaj, që nga shekujt e parë, Pagëzimi quhej edhe “shndritje”;  e ai, që pagëzohej “i shndritur”. Siç na kujton riti i fillesës së krishterë të të rriturve, thirrje e krishterë do të thotë të ecësh në dritë, duke e ruajtur deri në fund të fundit fenë.

Edukimi i krishterë i fëmijëve

Përsa u përket prindërve, ata, së bashku me nunët, e kanë për detyrë ta ushqejnë flakën e hirit të Pagëzimit në zemrën e të vegjëlve të tyre, duke i ndihmuar ta ruajnë fenë. Edukimi i krishterë është e drejtë e fëmijëve; edukimi i krishterë është e drejtë e fëmijëve - ngulmoi Papa.

“Edukimi i krishterë i ndihmon, pastaj, ta forcojnë personalisht fenë në të cilën u pagëzuan”.

Françesku e përfundoi katekizmin duke kujtuar se prania e gjallë e Krishtit, që duhet mbrojtur në shpirtin tonë, është llambë, që i shndrit hapat tanë; dritë, që orienton rrugën tonë; flakë, që na i ngroh zemrat, na nxit të drejtohemi gjithnjë kah Zoti e na bën të aftë t’i ndihmojmë edhe të tjerët. Së fundi, siç shprehet në Nxitjen apostolike Gaudete et exultate, Papa i nxiti besimtarët ta zgjedhin përsëri e përsëri Zotin!

Kujtimi i luftës, të jetë thirrje për fundin e konflikteve

Duke përshëndetur shtegtarët polakë, e, në mënyrë të posaçme, ish-luftëtarët e Luftës II Botërore, ardhur për të përkujtuar përvjetorin e betejës së Monte Cassino-s, Papa shprehu trishtimin, nësa kujtonte dy luftërat e shekullit të kaluar. “Tragjedia e luftës, që ju e jetuat, u shndërroftë - uroi - në thirrje për fundin e të gjitha konflikteve, që vijonë në botë e për kërkimin e udhëve të paqes”.

 

 

 

 

16 maj 2018, 15:53