Kërko

 Famullia e Shën Monikës, në Ostia, ku Papa do të kremtojë Meshën e Corpus Domini Famullia e Shën Monikës, në Ostia, ku Papa do të kremtojë Meshën e Corpus Domini 

Ostia pret Papën Françesku me gëzim e dëshirë për përtëritje

Besimtarët e Ostias, në pritje të vizitës së Françeskut, më 3 qershor, me rastin e Solemnitetit të Korpit të Krishtit, 50 vjet pas kremtimit historik të Palit VI, në trojet ostiense.

R. SH. - Vatikan

Qytetarët e Ostias e presin me padurim Papën Françesku. Të diel, 3 qershor - 50 vjet pas Palit VI - një Papë kthehet përsëri për të kremtuar Solemnitetin e Corpus Domini në këtë lagje të Romës, përballë detit. Lagje e plagosur vitet e fundit nga veprimtaria e organizatave kriminale që, megjithatë, nuk kanë arritur ta shuajnë dëshirën për risim në shoqërinë civile e në bashkësinë e krishterë të Ostias. Posaçërisht të angazhuar në pritje të Françeskut, besimtarët e Shën Monikës, kisha ku Papa do të kremtojë Meshën, për të shkuar, më pas, me procesion, deri në famullinë e Shën Bonarias, në  Zonën e Re të Ostias.

Vizita e Françeskut, shenjë e afërsisë dhe e dashurisë për Ostian

Për famullitarin e Shën Monikës, imzot Giovanni Falbo, kjo vizitë e Françeskut - pas Meshës në kishën ostiense të Regina Pacis, në maj 2015 -  do të jetë dëshmi e afërsisë dhe e dashurisë së Papës për Ostian, që nuk është vetëm simbol i akteve të paligjshme të mafiozëve. Don Giovanni nënvizon se me këtë vizitë, Papa dëshiron kryesisht të jetë dëshmitar i shumë gjërave të mira, që janë bërë në Ostia, posaçërisht i angazhimit të bashkësive famullitare për të ndihmuar familjet nevojtare. Bashkësia e Shën Monikës - nënvizon akoma famullitari - po përgatitet në mënyrë të posaçme, sepse Françesku do ta kremtojë meshën në sheshin para famullisë, ashtu si pati bërë Gjon Pali II, më 8 maj 1983.

Corpus Domini me Papën, çast përtëritjeje për të gjithë

Për shumëkënd, kjo vizitë e Françeskut është shenjë konkrete e mundësisë për t’u përtëritur e edhe për t’u rinisur, pas ngjarjeve të kriminalitetit, rrëfyer këto ditë nga kronika. Papa Françesku - shprehen shumë besimtarë - me këtë vizitë dhe me meshën e Korpit të Krishtit, rifreskon vetëdijen se të gjithë janë bij të Zotit, kudo e kushdo qofshin, e u jep forcë për të ecur përpara, pas episodeve të kriminalitetit të kohëve të fundit. “Mundësi për të gjithë - kujtojnë banorët e lagjes romake buzë detit. - Prania e Françeskut në një festë kaq të dashur për besimtarët, është vërtet pikënisje për të gjithë!”.

 

29 maj 2018, 14:49