Kërko

 Pullë poste kushtuar don Puglisit Pullë poste kushtuar don Puglisit 

Më 15 shtator Papa, në Palermo, për 25- vjetorin e don Puglisit

Prefektura e Shtëpisë Papnore njofton se më 15 shtator, Papa do të shkojë për vizitë baritore në Palermo, me rastin e 25-vjetorit të vrasjes së të Lumit don Pino Puglisi.

R. SH. - Vatican

Prefektura e Shtëpisë Papnore njofton se më 15 shtator, Papa do të shkojë për vizitë baritore në Palermo, me rastin e 25-vjetorit të vrasjes së të Lumit don Pino Puglisi. Pikërisht më 15 shtator 1993 don Pino vdiq, i vrarë nga mafia që dëshironte, kështu, ta shuante përgjithmonë këtë zë të lirë e t’i jepte fund veprimtarisë së tij ungjillëzuese në gjirin e të rinjve të lagjes Brancaccio të Palermos.

Shembull i qëndrimit kundër kriminalitetit

Papa Françesku, duke kujtuar don Puglisin, e quan  “shembull që duhet  ndjekur”, për t’iu kundërvënë mendësisë mafioze. Don Giuseppe lindi në lagjen periferike palermitane të Brancaccios, më 15 shtator 1937. Bir i një këpucari e një rrobaqepseje, u vra nga mafia në lagjen ku qe lindur, më 15 shtator 1993, kur po kremtonte ditëlindjen.

Kishte hyrë në seminarin dioqezan të Palermos më 1953, për t’u shuguruar meshtar më 2 korrik 1960. Më 29 shtator 1990 u emërua famullitar në Shën Gaetano të Brancaccios, ku nisi misionin në gjirin e të rinjve dhe të familjeve të lagjes, duke tërhequr menjëherë vëmendjen dashakeqe të mafies, që vendosi ta zhdukte. Dhe mendoi se e zhduku, duke e vrarë para derës së shtëpisë, në Sheshin Anita Garibaldi, më 15 shtator 1993, ditën kur mbushte 56 vjeç. Më 2012 iu njoh martirizmi “in odium fidei”- nga urrejtja për fenë. Më 25 maj 2013 u lumnua në Palermo.

E pikërisht më 15 shtatorin e ardhshëm, “do të presë për vizitë” Papën Françesku, që do ta mbajë, kështu, premtimin, dhënë sivëllezërve të don Puglisit, për të  vizituar Palermon në 25- vjetorin e flijimit të Martirit.

27 maj 2018, 14:41