Versioni Beta

Cerca

Vatican News
Papa gjatë Mbretëreshës Qiellore Papa gjatë Mbretëreshës Qiellore  (ANSA)

Mbretëresha Qiellore: Papa lutet për paqe në Tokën Shenjte

Gjatë Mbretëreshës Qiellore, në solemnitetin e Rrëshajëve, Papa kujtoi mbrëmësoren e lutjes për paqe, që u kremtua dje në Jeruzalem, duke uruar që pajtimi të lulëzojë në mbarë Lindjen e Mesme. U lut edhe për Venezuelën.

R. SH. Vatikan

Në solemnitetin e  sotëm të Rrëshajëve, “vijojmë t’i lutemi Shpirtit Shenjt që të frymëzojë vullnete dhe gjeste dialogu e pajtimi në Tokën Shenjte e në gjithë Lindjen e Mesme”. Ky, urimi i Papës Françesku, shprehur në lutjen e Mbretëreshës Qiellore, në Sheshin e  Shën Pjetrit, duke kujtuar mbrëmësoren e lutjes për paqen, kremtuar dje në Jeruzalem, “qytet shenjt për hebrenjtë, të krishterët e myslimanët”. Ndërmjet mendimeve të Papës, edhe situata dramatike në Venezuelë, “I lutem Shpirtit Shenjt - uroi - t’i japë gjithë popullit venezuelan, të gjithëve, qeveritarë e popull, urtinë për të marrë rrugën e paqes e të unitetit. Lutem edhe për të burgosurit, që vdiqën dje”.

Shpirti Shenjt është gurrë shenjtërie

Gjatë lutjes mariane, shqiptuar nga dritarja e Pallatit Apostolik, pas Meshës në Bazilikën e Vatikanit, përballë 30 mijë besimtarëve, Papa shfrytëzoi rastin të ndalohej përsëri tek Solemniteti i Rrëshajëve, me të cilin arrin kulmin Koha e Pashkëve, “përqendruar tek vdekja e ngjallja e Jezusit”. Shenjtëria - saktësoi - nuk është privilegj për pak, por thirrje, që u drejtohet të gjithëve e Shpirti Shenjt është gurrë shenjtërie. Nga dita e Rrëshajëve e deri në fund të fundit të kohëve, kjo shenjtëri, përmbushja e së cilës është Krishti, u dhurohet të gjithë atyre, që e hapin zemrën për veprimin e Shpirtit Shenjt, në përpjekjen për t’iu bindur. Kur e ndjekim pas Shpirtin Shenjt - nënvizoi Papa - atëhere ecim në udhën e shenjtërimit, domethënë, jetojmë në mënyrë të denjë për Zotin e provojmë gëzimin e plotë. “Është Shpirti Shenjt ai, që fiton mbi shterpësinë, i hap zemrat për shpresën, nxit e favorizon pjekurinë shpirtërore në lidhjen me Zotin e me të afërmin”.

Mesazhi për Ditën Misionare Botërore

Ngjarja e Rrëshajëve shënon zanafillën e misionit universal të Kishës. Në këtë kontekst, gjithnjë pas lutjes së Mbretëreshës Qiellore, Papa Françesku kujtoi botimin e mesazhit për Ditën e ardhshme Misionare Botërore si dhe Veprën e Fëmijëve Misionarë, e cila dje mbushi 175 vjet. Gjithë të vegjëlve në mision, me lutje e gjeste të vogla të përditshme dashurie e shërbimi, Papa u kërkoi ta përhapin Ungjillin në të katër anët e botës”.

 

 

22 maj 2018, 11:55