Imzot Giovanni Angelo Becciu Imzot Giovanni Angelo Becciu 

Imzot Becciu Prefekt i ri i Çështjeve të Shenjtorëve

Imzot Angelo Becciu, aktualisht Zëvendës për Punët e përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit, zë vendin e kardinalit Angelo Amato në krye të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

R. SH - Vatikan

Ati i Shenjtë emëroi Prefekt të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve imzot Giovanni Angelo Becciu, që do të fillojë detyrën e re në përfundim të gushtit të ardhshëm, duke mbetur njëkohësisht Zëvendës për Punët e përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit, deri më 29 qershor e duke vijuar të jetë edhe Delegat i posaçëm pranë Urdhërit Sovran ushtarak të Maltës. Zë vendin e kardinalit Angelo Amato, në krye të dikasterit vatikanas që nga viti 2008.

Imzot Becciu, pas diplomës në drejtësi kanonike, u shugurua meshtar më 1972, ipeshkëv më 1 dhjetor 2001, për të nisur shërbimin në një mori nunciaturash apostolike nëpër botë, nga Republika Qendrafrikane - në SHBA e Kubë.

Më 10 maj 2011 Benedikti XVI e emëroi Zëvendës për Punët e përgjithshme të Sekretarisë së Shtetit, pas kardinalit Fernando Filoni.

Më 2 shkurt 2017 Papa Françesku e emëroi delegat i posaçëm pranë Urdhërit Sovran ushtarak të Maltës,  për të zgjidhur krizën, që po kalon Urdhëri.

Të dielën e kaluar, në përfundim të lutjes së Mbretëreshës Qiellore,  Françesku njoftoi krijimin e tij kardinal në Koncistorin e 29 qershorit të ardhshëm. Sot, emërimi në krye të Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve.

 

27 maj 2018, 14:49