Kërko

 Papa në Mbretëreshën Qiellore Papa në Mbretëreshën Qiellore 

Françesku në Mbretëreshën Qiellore: jini kërkimtarë të Krishtit

Papa Françesku: “Të Ngjiturit të Krishtit në Qiell” na nxit t’i lartojmë sytë kah qielli, për t’i ulur përsëri drejt tokës, duke kryer detyrat, që na i beson Zoti i ngjallur”.

R.SH - Vatikan

Solemniteti i të “Të Ngjiturit të Krishtit në Qiell”, apo “Të Shëlbuemit”, që u kremtua dje në Itali e në vende të tjera, i orienton sytë tanë drejt qiellit, duke na kujtuar fillesën e misionit  të Kishës. E kjo lidhje ndërmjet qiellit e tokës ishte dje në qendër të lutjes së Mbretëreshës Qiellore të Papës Françesku, që bëri, më pas, edhe një thirrje për Indonezinë.

“Krishti i Ngjitur në Qiell - nënvizoi Françesku - na kërkon të kemi sy e zemër, për ta takuar Jezusin, për t’i shërbyer e për t’ua dëshmuar edhe të tjerëve”.

Na kërkohet të jemi burra e gra të të Ngjiturit në Qiell, domethënë, kërkues  të Krishtit në shtigjet pa fund të kohëve tona, njerëz, që e çojnë fjalën e shëlbimit deri në skajet më largëta e më të harruara të tokës. Burra e gra të të Ngjiturit në Qiell - e përsëriti Papa porosinë e solemnitetit.

Shenja konkrete shprese

Është udhë që, përmes takimit me Jezusin, na mbush plot me shenja shprese:

“Në këtë udhë ne takojmë vetë Krishtin në vëllezërit, posaçërisht në më të varfërit, në ata që e vuajnë në korpin e tyre përvojën e ashpër e poshtëruese të varfërive të vjetra e të reja. Ashtu si bëri Krishti që, në fillim, i dërgoi apostujt e tij me forcën e Shpirtit Shenjt, kështu bën edhe me ne sot,  na dërgon edhe ne, me të njëjtën forcë, për të përhapur kudo shenja të dukshme shprese.

Mesazhi i Jezusit, në të katër anët e tokës

Misioni, që Jezusi ua beson dishepujve: “Shkoni në mbarë botën e predikojani Ungjillin çdo krijese” - është pa kufij e i kapërcen forcat njerëzore.

Duket me të vërtetë tepër e guximshme detyra, që Jezusi ia ngarkoi  një grupi të vogël burrash të thjeshtë, pa aftësi të mëdha intelektuale! E pra kjo shoqëri pa pikë peshe e rëndësie përballë fuqive të mëdha të botës, u dërgua për të çuar mesazhin e dashurisë e të mëshirës së Jezusit në të katër anët e tokës.

Zemrat lart, këmbët në tokë!

Projekti i Zotit, i mbështetur nga “forca, që Ai vetë ua jep apostujve e edhe nga Shpirti Shenjt”, vijon nëpër shekuj e është i pranishëm edhe në kohët tona. Misioni, që Jezusi ua beson Apostujve - shpjegoi Papa - kërkon bashkëpunimin e të gjithëve:

“Secili, në forcë të Pagëzimit që mori, është i përgatitur për ta kumtuar Ungjillin”.

“Pagëzimi na nxit të jemi misionarë, ta predikojmë Ungjillin”. Jezusi na jep shpresë, na hap portat e qiellit. Virgjëra Mari - pohoi më tej Papa - na ndihmoftë t’i mbajmë gjithnjë lart zemrat e këmbët t’i kemi për tokë, “që të mbjellim, kështu, me guxim, farën e Ungjillit në situatat konkrete të jetës e të historisë”.

Përshëndetje të gjitha nënave!

Françesku, në ditën kur kremtohej Festa e nënës, i përshëndeti “të gjitha nënat, duke i falënderuar për kujdesin e tyre ndaj familjes”. Ati i Shenjtë  kujtoi edhe “nënat, që na shikojnë nga qielli e vijojnë të na ruajnë me lutje”. “T’i lutemi - shtoi - Nënës sonë qiellore që  sot, me emrin Zoja e Fatimës, na ndihmon ta vijojmë udhën”.

Përshëndetjet e fundit ishin për alpinët dhe për Ditën e Komunikimeve shoqërore, përqendruar tek tema “Fake news (lajmet e rreme) dhe gazetaria e paqes”. E Papa i përshëndeti të gjithë punonjësit e mediave, posaçërisht gazetarët, që angazhohen të  kërkojnë të vërtetën  e lajmeve, duke kontribuar për ndërtimin e një shoqërie të drejtë e paqësore.

 

 

13 maj 2018, 12:44