Kërko

Konferenca për shtyp e kryeipeshkvit të Palermos, imzot Corrado Lorefice Konferenca për shtyp e kryeipeshkvit të Palermos, imzot Corrado Lorefice 

Etapat e shtegtimit të Papës në Palermo, te don Puglisi

U paraqit sot në Palermo, vizita e Papës në kryeqendrën siçiliane, më 15 shtatorin e ardhshëm, me rastin e 25-vjetorit të vrasjes së të Lumit Pino Puglisi nga mafia.

R.SH. - Vatikan

“I Lumi Giuseppe Puglisi është perlë e klerit palermitan e do të jetë përgjithmonë, deri kur Zoti të kthehet, sepse Kisha ekziston për të shpallur ardhjen e Huyt”. Kështu tha kryeipeshkvi i Palermos, imzot Corrado Lorefice, duke u takuar, sot paradite, me klerin e me shtypin, pas njoftimit të vizitës baritore të Papës Françesku në Siçili, më 15 shtator.

Mallëngjimi i Kishës palermitane

         Është dita e lindjes dhe njëkohësisht, e vdekjes së don Pino Puglisi-t, i cili u vra nga mafia 25 vjet më parë, pikërisht sepse luftonte e predikonte kundër të korruptuarve e kriminelëve. Është udha, në të cilën Kisha palermitane “dëshiron të vazhdojë të ecë”, nënvizoi imzot Lorefice, gjatë konferencës për shtyp.

Vizita dhe dreka me të varfërit

         Paraditen e 15 shtatorit, në orën 9.00, Papa Françesku do të mbërrijë në Piazza Armerina (komuna e Enna-s), ku do të takohet me Kishën vendore në sheshin Falcone dhe Borsellino. Që këndej, do të zhvendoset për në Palermo, ku do të kremtojë Eukarestinë. Pas kremtimit, Ati i Shenjtë do të hajë drekë me të varfërit e me emigrantët, që strehohen nga misioni “Shpresë e bamirësi”, themeluar 25 vjet më parë nga misionari laik, Biagio Conte. “Gjest e shenjë”, komenton imzot Lorefice:

         Kjo është shenjë e një Pape, që na kujton se Kisha duhet të kumtojë Ungjillin, pra, Lajmin e Mirë, që ka të bëjë drejtpërdrejt me jetën e njerëzve në përgjithësi e, sidomos, me jetën e njerëzve, që janë prekur nga e keqja. Nëse Ungjilli ka në qendër të vet misterin e vdekjes e të ngjalljes së Krishtit, që të gjithë njerëzit të jenë të lirë e ta kenë jetën me begati, atëherë është e qartë që Papa prek vende, ku kjo jetë rrezikon të mos shprehet në gjithë bukurinë dhe dinjitetin e vet.

Ndalesa e Papës në vendet e don Puglisi-t

         Pasditen e 15 shtatorit, Ati i Shenjtë do të vizitojë privatisht Brancaccio-n -  famullinë e Shën Gajtanit dhe sheshin Anita Garibaldi – vendet e shërbimit dhe të martirizimit të don Pino Puglisi-t, shpallur i Lum më 25 maj 2013. Por nuk do të mungojë as takimi me klerin, rregulltarët e seminaristët, si edhe lutja para varrit të don Pinos, në katedralen e qytetit.

28 maj 2018, 15:03