Versioni Beta

Cerca

Vatican News
 E Premtja e Mëshirës: Papa në Institutin “Elisa Scala” të Romës E Premtja e Mëshirës: Papa në Institutin “Elisa Scala” të Romës 

E Premtja e Mëshirës: Papa në Institutin “Elisa Scala” të Romës

Sot pasdite, në orën 16.00, në kuadrin e “Të Premteve të Mëshirës”, Ati i Shenjtë Françesku, i shoqëruar si gjithnjë nga imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e ri, ishte për vizitë në Shkollën e përgjithshme Eliza Scala të Romës, shkollë shtetërore në periferinë jug-lindore të kryeqytetit .

R. SH. Vatikan

Sot  pasdite, në orën 16.00, në kuadrin e “Të Premteve të Mëshirës”, Ati i Shenjtë Françesku, i shoqëruar si gjithnjë nga imzot Rino Fisichella, kryetar i Këshillit Papnor për Ungjillëzimin e ri, ishte për vizitë në Shkollën e përgjithshme Eliza Scala të Romës, shkollë shtetërore në periferinë jug-lindore të kryeqytetit, ndërmjet Borgatës Finocchio e Borghesiana.

Shkolla e përgjithshme Elisa Scala lindi në vitet ’50; në vijim të shtimit të popullatës së zonës, duke nisur nga vitet ’70, u zgjerua me katër ndërtesa të tjera. Ati i Shenjtë vizitoi pjesën qendrore të Institutit. Për ta pritur, kishin dalë drejtoresha e shkollës, profesoresha Claudia Gentili dhe qindra djem e vajza, mbledhur në shkollë për veprimtaritë e pasdites.

Profesoresha Gentili i tregoi Papës historinë e shkollës, e cila që nga tetori 2015 lidhet me atë të familjes Scala, vajza e vogël e së cilës, Eliza, që ndiqte klasën e parë të  shkollës së mesme në shkollën e asokohshme të përgjithshme, vdiq tragjikisht për shkak të një leucemie akute në moshën 11 vjeçe. Eliza ishte vajzë shumë e shkathët, e vendosur, plot pasion për librat dhe bibliotekat. Kur ndërroi jetë, prindërit i propozuan shkollës një projekt për realizimin e ëndrrës së saj: një sallë për libra, që të mund të shfrytëzohej nga nxënësit. Pak muaj më vonë, në dhjetor 2015, lindi biblioteka “Eliza”, një hapësirë për t’u mbushur me libra. Pas saj, edhe nisma “Dhuro një libër për Elizën”. Sot janë mbledhur më se njëzet mijë vëllime, në disa gjuhë, e të gjithë kushtuar Elizës. Aq e madhe u bë biblioteka e Elizës, sa të hyjë në listën e Bibliotekave komunale të Romës. E, pak muaj më parë, shkollës iu njoh e drejta për t’i vënë emrin e Elizës së vogël.

Gjatë vizitës, Papa u takua me prindërit  e Elizës, që i treguan, me emocion të thellë, lokalet e bibliotekës. Ati i Shenjtë kaloi disa minuta me ta dhe i dhuroi bibliotekës disa vëllime, që të gjitha me një kushtim për  Elizën.

Të rinjtë kënduan disa këngë, për të krijuar atmosferën e festës e të mikpritjes, që shkaktoi vizita e papritur e Papës. Pasi përshëndeti drejtoren, pedagogët e personelin shkollor, prindërit e fëmijët, Papa u rikthye në Shtëpinë e Shën Martës.

25 maj 2018, 17:48