Kërko

Papa kremton meshën në Shën Martë Papa kremton meshën në Shën Martë 

Papa lutet që të jemi të bashkuar në vështirësi, duke i kapërcyer ndarjet

Në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku i kërkon Zotit hirin që të kapërcejmë ndarjet në këto kohë të vështira. Në homelinë e tij, theksoi se kthim në udhën e Zotit do të thotë t’i qëndrojmë sërish besnikë Atij të Lumit, gjë që s’është aq e zakonshme në jetën tonë: besnikëri në kohë të mira e të këqija, besnikëri ndaj Zotit dhe ndaj njëri-tjetrit.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku kryesoi Meshën në Vatikan (video e plotë) në të Martën e Tetëditëshit të Pashkëve. Në fillim të kremtimit, u lut për bashkim:

“Të lutemi që Zoti të na japë hirin e unitetit ndërmjet nesh. Që vështirësitë e kësaj kohe të na bëjnë të zbulojmë bashkimin ndërmjet nesh, unitetin që ka gjithnjë epërsi ndaj çdo ndarjeje”.

Në homeli, Ati i Shenjtë komentoi Leximin e parë liturgjik, një fragment nga Veprat e Apostujve (Vap 2,36-41), në të cilin shën Pjetri u kumton haptas hebrenjve se Hyji e ka bërë Zot e Krisht atë Jezus, që ata e kryqëzuan: shumë vetëve u dhemb zemra nga këto fjalë, kuptojnë e kthehen në udhën e Zotit. Të ndryshosh në këtë mënyrë, pohoi Papa, do të thotë t’i qëndrosh sërish besnik Hyjit, gjë jo aq e zakonshme në jetën tonë: besnikëri në kohë të mira e të këqija. Të jesh besnik edhe në pasiguri. Siguritë tona, fatkeqësisht, nuk janë ato, që na jep Zoti, por janë idhuj, që na bëjnë jo besimtarë. Jeta jonë dhe historia e Kishës janë plot pabesi. Papa e përfundoi homelinë me Ungjillin e sotëm (Gjn 20,11-18), në të cilin Jezusi i ringjallur i shfaqet Marisë së Magdalës, që qante pranë varrit. Një grua jo aq e fortë shpirtërisht, por besnike, besnike edhe para varrit, para shembjes së iluzioneve e pikërisht ajo bëhet “apostulle e apostujve”. T’i lutemi Zotit, përfundoi Papa, të na e ruajë besnikërinë.

Ja homelia e plotë e Papës Françesku:

Predikimi i Pjetrit, në ditën e Rrëshajëve, ua trondit zemrat njerëzve: “Ai, që kryqëzuat, është ringjallur” (shih Vap 2,36). “Kur i dëgjuan këto fjalë, u tronditën në zemër dhe i thanë Pjetrit e apostujve tjerë: ‘Çfarë duhet të bëjmë ne, o vëllezër?’(Vap 2,37). E Pjetri është i qartë: “Kthehuni. Pendohuni. Ndryshojeni jetën. Ju që keni marrë premtimin e Zotit dhe ju që keni hequr dorë nga Ligji i Zotit, nga kaq shumë gjëra tuajat, e jeni midis idhujve... kthehuni. Kthehuni tek besnikëria ”(shih Vap 2,38). Ky është shndërrimi: të jemi besnikë sërish. Besnikëria, ai qëndrim njerëzor, që nuk është aq i zakonshëm në jetën e njerëzve, në jetën tonë. Gjithmonë ka iluzione, që na tërheqin vëmendjen dhe shumë herë duam të shkojmë pas këtyre iluzioneve. Besnikëria: në kohë të mira dhe në kohë të këqija.

 Ka një pjesë në Librin II të Kronikave, që më bën shumë përshtypje. Është në fillim të kapitullit XII.  “Kur mbretëria u konsolidua - thotë aty - mbreti Roboam u ndie i sigurt dhe u largua nga ligji i Zotit dhe tërë Izraeli e ndoqi” (shih 2 Kron 12,1). Kështu thotë Bibla. Është fakt historik, por edhe fakt universal. Shumë herë, kur ndihemi të sigurt, fillojmë të mendojmë për planet tona dhe dalëngadalë, largohemi nga Zoti; nuk i qëndrojmë besnikë. E kështu, siguria ime nuk është ajo, që më jep Zoti, por ndonjë idhull. Kjo i ndodhi Roboamit dhe popullit të Izraelit. U ndie i sigurt – se mbretëria ishte konsoliduar - u largua nga ligji e filloi të adhurojë idhujt. Por, mund të themi: “O atë, unë nuk gjunjëzohem para idhujve”. Jo, mbase nuk bie në gjunjë, por nëse i kërkon e shpesh, në zemër, i adhuron idhujt, atëherë gjunjëzohesh. Sa e sa herë! Siguria ua hap derën idhujve.

Por a është e keqe siguria? Jo, është hir i Tënzot. Të jesh i sigurt, por të sigurohesh edhe se Zoti është me ty. Por kur siguria dhe vetveteja bëhen qendra e jetës, atëherë largohem nga Zoti, si mbreti Roboam, bëhem i pabesë. Është kaq e vështirë ta ruash besnikërinë! Gjithë historia e Izraelit e, më pas, gjithë historia e Kishës, është plot pabesi. Plot! Plot egoizëm, plot siguri personale, që e bëjnë popullin e Zotit të largohet prej Tij, ta humbasë besnikërinë, hirin e besnikërisë. Madje, edhe ndërmjet nesh, ndërmjet njëri-tjetrit, besnikëria nuk është virtyt i lehtë për t’u mbajtur, sigurisht. Njëri nuk është besnik ndaj tjetrit, tjetri... “Ndryshoni, kthehuni në besnikërinë ndaj Zotit” (shih Vap 2,38).

E në Ungjill, ikona e besnikërisë: ajo grua besnike, që nuk e kishte harruar kurrë gjithçka kishte bërë Zoti për të. Ishte aty, besnike, edhe para së pamundurës, para tragjedisë, besnikëri, që e bëri të mendojë se ishte në gjendje ta bartëte edhe trupin [e Jezusit]... (shih Gjn 20,15). Grua e brishtë, por besnike. Ikona e besnikërisë është kjo Maria e Magdalës, apostulle e apostujve.

Le t’i lutemi sot Zotit për hirin e besnikërisë: ta falënderojmë kur Ai na jep siguri, por kurrë të mos mendojmë se ato janë siguritë “e mia” e, gjithmonë, të shikojmë përtej sigurive personale; t’i lutemi për hirin e të qënit besnik edhe para varreve, para shembjes së iluzioneve. Besnikëria mbetet gjithmonë, por nuk është e lehtë ta ruajmë. Zoti na ndihmoftë ta ruajmë.

Ati i Shenjtë e përfundoi kremtimin me adhurimin e me bekimin eukaristik, duke i ftuar të gjithë në Kungimin shpirtëror. Ja lutja e Papës:

Në këmbët tua, o Jezusi im, bie në gjunjë e të ofroj pendimin e zemrës sime, që bëhet asgjë në praninë Tënde shenjte. Të adhuroj në Sakramentin e dashurisë Tënde, dëshiroj të të marr në banesën e varfër, që të ofron zemra ime. Në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të jesh me mua në shpirt. Eja tek unë, o Jezusi im, që edhe unë të vij tek Ti. Dashuria Jote e përflaktë krejt qenien time, për jetë e për vdekje. Besoj në Ty, shpresoj në Ty, Të dua fort. Ashtu qoftë.

Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që meritove për ta bartur, Aleluja! 

U ngjall si pati thënë, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

14 prill 2020, 09:27
Lexo gjithçka >