Papa, në meshën e kremtuar në Shën Martë Papa, në meshën e kremtuar në Shën Martë 

Papa i lutet shën Nënë Terezës të ndërmjetësojë pranë Zotit për të pastrehët, në vështirësi

Në meshën e kremtuar në Shën Martë, Papa Françesku lutet në veçanti për ata, që nuk kanë shtëpi. I kërkon shenjtes shqiptare të bamirësisë, Nënë Terezës, të zgjojë në njerëzit dëshirën për t’i ndihmuar. Gjatë homelisë, kujtoi se jeta e të krishterit karakterizohet nga vetëdija se Zoti e ka zgjedhur.

R.SH. - Vatikan

Në meshën e sotme, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës (video e plotë), Papa Françesku, duke parë gjendjen e përgjithshme të shkaktuar nga koronavirusi dhe vështirësitë, që ka shkaktuar sidomos për disa kategori njerëzish, kujtoi shembullin e Nënë Terezës, shenjtes shqiptare të bamirësisë. Ati i Shenjtë kërkoi që mënyra me të cilën ajo u shërbente më të varfërve ndër të varfër t’i frymëzojë edhe njerëzit e sotëm, sidomos të krishterët, për t’u ardhur në ndihmë personave në vështirësi. Kështu, pas antifonës së hyrjes, që na fton t’i mbajmë sytë të ngulur tek Jezusi, shpresë që nuk zhgënjen, Papa u lut për të pastrehët:

 “Këto ditë dhimbjeje e trishtimi nxjerrin në pah shumë probleme të fshehura. Në gazeta, sot, ka një fotografi, që ta vret zemrën: shumë të pastrehë, në një qytet, shtrirë në një parking, nën kontroll… ka shumë të pastrehë sot. T’i lutemi shën Nënë Terezës që të na zgjojë në shpirt ndjenjën e afërsisë me njerëzit e shumtë që, në shoqërinë tonë, në jetën normale, jetojnë të fshehur, por, si të pastrehët, në çaste krize, dalin në pah kështu”.

 Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë komentoi Leximet e sotme liturgjike, marrë nga Libri i Zanafillës (17,3-9) dhe nga Ungjilli sipas Gjonit (Gjn 8,51-59), që kanë në qendër figurën e Abrahamit, besëlidhjen me Zotin dhe kumtin e ri të Jezusit, që vjen “ta rikrijojë” botën, duke na i falur mëkatet. Ne jemi të krishterë, tha Papa, sepse jemi zgjedhur nga Hyji e kemi marrë prej tij premtimin se do të jemi të frytshëm, por duhet t’i qëndrojmë besnikë besëlidhjes me Të. Mëkatet tona, komentoi Papa, kanë të bëjnë me tri përmasa: nuk e pranojmë se Zoti na ka zgjedhur e për pasojë, adhurojmë idhujt; nuk shpresojmë në premtimin e Hyjit dhe; e harrojmë besëlidhjen me Të. Jeta e të krishterit, nënvizoi Françesku, duhet të përshkohet nga vetëdija se është i zgjedhuri i Zotit, nga gëzimi se po shkon drejt plotësimit të premtimit dhe nga besnikëria ndaj aleancës me Hyjin.  

“Zoti – theksoi Papa gjatë homelisë – kujtohet gjithnjë për besëlidhjen. E thamë në Psalm. Zoti nuk harron, nuk harron kurrë. Po, harron vetëm në një rast, kur fal mëkatet. Pasi fal, e humb kujtesën, nuk i kujton mëkatet. Në rastet e tjera, Zoti nuk harron, besnikëria e tij është kujtesa. Besnikëria ndaj popullit të vet. Besnikëria e tij ndaj Abrahamit është kujtesa e premtimeve, që i pati bërë”.

Abrahami, vijoi Françesku, u zgjodh prej Zotit, i cili i premtoi se do të kishte shumë pasardhës e se fisi i tij do të ishte fis mbretërish. Kështu bën Hyji me secilin prej nesh, edhe sot.

“Secili prej nesh është i zgjedhur, askush nuk zgjedh të jetë i krishterë, ndër të gjitha mundësitë, që ofron ‘tregu’ fetar, zgjidhet. Ne jemi të krishterë, sepse jemi zgjedhur. Në këtë zgjedhje ka një premtim… Feja jote do të lulëzojë në vepra të mira, në vepra të frytshme e do të jetë e frytshme… Jezusi thotë se Abrahami u ngazëllye kur mendoi ditën e frytshmërisë së tij më të madhe, atë birin e vet – sepse Jezusi ishte bir i Abrahamit – që erdhi ta rikrijojë botën, gjë më e vështirë se krijimi, - thotë liturgjia – erdhi për shpërblimin e mëkateve tona, për të na liruar. I krishteri është i tillë jo thjesht, pse është i pagëzuar: feja e pagëzimit është veç një kartë. Ti je i krishterë nëse e pranon se Zoti të ka zgjedhur, nëse hyn thellë në premtimet që të ka bërë Zoti e nëse e jeton besëlidhjen me Hyjin: kjo është jeta e krishterë. Mëkatet, gjatë udhës, janë gjithnjë kundër këtyre tri përmasave: kur nuk pranon zgjedhjen e Zotit e zgjedh shumë idhuj, shumë gjëra, që nuk janë të Zotit; kur nuk shpreson në premtimet e Hyjit, por i sheh nga larg ato, edhe shumë herë, siç thuhet në Letrën drejtuar Hebrenjve, duke i përshëndetur nga larg e duke besuar në premtimet e idhujve të vegjël të sotëm; kur e harron besëlidhjen e jeton pa të, sikur Zoti të mos e kishte lidhur me ne. Frytshmëria është gëzim, ai gëzimi i Abrahamit që pa ditën e Jezusit dhe u mbush me gëzim. Këtë na zbulon sot Fjala e Zotit për jetën tonë të krishterë. Qoftë ashtu si e atit tonë: e vetëdijshme se jemi zgjedhur, e gëzueshme se shkojmë drejt premtimit të Zotit dhe besnike ndaj besëlidhjes me Hyjin”.

Së fundi, Ati i Shenjtë vijoi me adhurimin dhe bekimin eukaristik, duke i ftuar të gjithë në Kungim shpirtëror. Ja lutja e Atit të Shenjtë:

“O Jezusi im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë nuk mund të të marr sakramentalisht tani, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Sikur të kesh ardhur, unë Të përqafoj e bashkohem krejtësisht me Ty. Mos lejo të ndahem kurrë prej Teje”.

Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, Papa këndoi antifonën e lashtë mariane “Ave Regina Caelorum”.

“Të falemi, o Mbretëresha e Qiellit, o Zojë e Engjëjve, të falemi; porta e rrënja e shëlbimit, për gjithë botën sjell dritën e shkëlqimit. Galdo, o Virgjër e lavdishme, e hirshme mbi të gjitha gratë; të falemi, o krejt shenjte, lutju për ne Zotit tonë Jezu Krisht”.

02 prill 2020, 09:19
Lexo gjithçka >