Kërko

Papa Françesku, në meshën e kremtuar në Shën Martë Papa Françesku, në meshën e kremtuar në Shën Martë 

Papa: kush punon në media t’i ndihmojë njerëzit të mos ndihen të izoluar

Në meshën e kremtuar në Shën Martë, Papa Françesku u drejtohet punonjësve të komunikimit që t’i ndihmojnë njerëzit ta kenë durim në këtë periudhë izolimi. Gjatë homelisë, kujtoi se dishepulli i Krishtit është njeri i lirë, njeri i Traditës dhe i risive, sepse udhëhiqet nga Shpirti Shenjt e jo nga ideologjitë.

R.SH. - Vatikan

Atinfona e hyrjes në meshën e së mërkurës, në Javën V të Kreshmëve, është lutje lirimi: “Ti më liron prej armiqve të mi të hidhur dhe më lartëson mbi kundërshtarët e mi, Ti më shpëton prej njeriut mujshar” (Ps 17). Pasi e shqiptoi atë, në meshën e sotme (video e plotë), kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku iu drejtua punonjësve të mjeteve të komunikimit shoqëror:

“Sot, dua të lutemi për të gjithë ata, që punojnë në media, të cilët punojnë për të komunikuar që njerëzit të mos ndihen shumë të izoluar; punojnë për edukimin e fëmijëve, për informacionin, për t’i ndihmuar të gjithë ta durojnë këtë kohë, kur u duhet të rrinë mbyllur”.

Lutja e Papës për punonjësit e mediave

Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë komentoi Ungjillin e sotëm sipas Gjonit (Gjn 8,31-42), në të cilin Jezusi u thotë judeasve: “Nëse do ta mbani fjalën time, vërtet do të jeni nxënësit e mi; do ta njihni të vërtetën dhe e vërteta do t’ju bëjë njerëz të lirë”. Të jesh dishepull i Krishtit, pohoi Papa, do të thotë ta lejosh Shpirtin Shenjt të të udhëheqë: prandaj nxënësi është njeri i Traditës dhe i risive, njeri i lirë, që nuk u nënshtrohet kurrë ideologjive.

Këtyre ditëve – tha Papa Françesku në homeli – Kisha na bën të dëgjojmë kapitullin e tetë të shën Gjonit ungjilltar: ndeshemi me diskutimin e fuqishëm ndërmjet Jezusit dhe dijetarëve të Ligjit. E sidomos, del në pah identiteti i secilit. Shën Gjoni përpiqet të na afrojë pranë asaj beteje, për të sqaruar identitetet, si atë të Jezusit, ashtu edhe atë të dijetarëve. Jezusi ua tregon vendin, duke u vënë në dukje kontradiktat e tyre. E së fundi, ata nuk gjejnë rrugëdalje tjetër, përveç sharjes: është një nga faqet më të trishta, është blasfemi. Marrin nëpër gojë Zojën.

Por, duke folur për identitet, Jezusi u tha judeasve që i besuan, i këshilloi ata: “Nëse do ta mbani fjalën time, vërtet do të jeni nxënësit e mi”. Kthehet ajo fjalë aq e dashur për Zotin, të cilën do ta përsërisë disa herë: mbani fjalën time, mbeteni në mua. “Të mbeteni në mua”. Të mbetemi në Zotin. Nuk thotë: “Studioni mirë, mësojini mirë argumentimet”. Shkon tek gjëja më e rëndësishme, ajo që bëhet e rrezikshme për jetën, nëse nuk plotësohet: “Mbajeni fjalën time”. E ata, që e mbajnë fjalën e Jezusit kanë identitet të krishterë. E cili është ai? “Jeni vërtet nxënësit e mi”. Identiteti i krishterë nuk është ndonjë letër, ku shkruhet “unë jam i krishterë”, nuk është kartë identiteti: jo! Është të qenët dishepull. Ti, nëse mbetesh në Zotin, nëse e mban Fjalën e Zotit, do të jesh dishepull. Nëse nuk e mban, do të jesh dikush që simpatizon me doktrinën, që e ndjek Jezusin si njeri, i cili bën shumë bamirësi, është i mirë, ka vlera, por të qenët dishepull është identiteti i vërtetë i të krishterit.

E kjo do të të japë lirinë: dishepulli është njeri i lirë, sepse mbetet në Zotin. E “të mbetesh në Zotin”, ç’do të thotë? Ta lejosh Shpirtin Shenjt të të udhëheqë. Dishepulli e lejon Shpirtin ta udhëheqë, prandaj, nxënësi i Jezusit është gjithnjë njeri i traditës dhe i risive, është njeri i lirë. I lirë! Kurrë nuk u nënshtrohet ideologjive, doktrinave brenda jetës së krishterë, doktrinave që mund të diskutohen… mbetet në Zotin, është Shpirti Shenjt që e frymëzon. Kur i këndojmë Shpirtit, i themi se është një mik i shpirtit tonë, se banon në ne. Por kjo ndodh, vetëm nëse mbetemi në Zotin.

 I lutem Hyjit të na bëjë ta njohim këtë urtinë e qëndrimit me Të e këtë familjaritet me Shpirtin: Shpirti Shenjt na jep lirinë. E ky është vojim i shenjtë. Kush mbetet në Zotin është dishepull, e dishepulli është i vojuar, i vojuar nga Shpirti, e ka marrë vojimin nga Shpirti Shenjt dhe ecën përpara. Kjo është rruga, që Jezusi na bën ta shohim, për lirinë e, edhe për jetën. E të qenit dishepull është vojimi, që marrin ata, që e mbajnë fjalën e Zotit. Hyji na bëftë ta kuptojmë këtë gjë, që nuk është e lehtë: sepse dijetarët nuk e kishin kuptuar, nuk kuptohet vetëm me tru; kuptohet me mendje e me zemër kjo urti e vojimit të Shpirtit Shenjt, që na bën dishepuj – e përfundoi Papa homelinë e meshës së kremtuar në Shën Martë, në transmetim të drejtpërdrejtë mediatik, në këto kohë koronavirusi.

 Së fundi, Ati i Shenjtë vijoi me adhurimin dhe bekimin eukaristik, duke i ftuar të gjithë në Kungim shpirtëror. Ja lutja e Atit të Shenjtë:

 Në këmbët tua, o Jezusi im, bie në gjunjë e të ofroj pendimin e zemrës sime, që bëhet asgjë në praninë Tënde shenjte. Të adhuroj në Sakramentin e dashurisë Tënde, dëshiroj të të marr në banesën e varfër, që të ofron zemra ime. Në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të jesh me mua në shpirt. Eja tek unë, o Jezusi im, që edhe unë të vij tek Ti. Dashuria Jote e përflaktë krejt qenien time, për jetë e për vdekje. Besoj në Ty, shpresoj në Ty, Të dua fort. Ashtu qoftë.

Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, Papa këndoi antifonën e lashtë mariane “Ave Regina Caelorum”.

“Të falemi, o Mbretëresha e Qiellit, o Zojë e Engjëjve, të falemi; porta e rrënja e shëlbimit, për gjithë botën sjell dritën e shkëlqimit. Galdo, o Virgjër e lavdishme, e hirshme mbi të gjitha gratë; të falemi, o krejt shenjte, lutju për ne Zotit tonë Jezu Krisht”.

01 prill 2020, 10:48
Lexo gjithçka >