Kërko

Vatican News
Papa Françesku në Shën Martë Papa Françesku në Shën Martë 

Papa lutet për familjet në krizë, viktima të fajdexhinjve

Gjatë meshës në Shën Martë, Papa Françesku mendon për sa e sa familje në krizë, për shkak të koronavirusit. Ka njerëz, që përfitojnë nga situata, denoncon. Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë kujton se Jezusi lutet për ne para Atit Qiellor, duke i treguar varrët e veta, çmimin e paguar për shpëtimin tonë: duhet të kemi më shumë besim në lutjen e Jezusit, sesa në lutjet tona.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku kryesoi meshën në Shtëpinë e Shën Martës (video e plotë), në të enjten e javës së dytë të Kohës së Pashkëve. Në hyrje, pati një mendim për familjet në vështirësi, për shkak të pandemisë së koronavirusit:

“Në shumë anë, ndihet një nga efektet e kësaj pandemie: shumë familje në nevojë kanë uri e, për fat të keq, ‘i ndihmon’ grupi i fajdexhinjve. Tjetër pandemi kjo. Pandemia shoqërore: familje njerëzish, që kanë një punë të përditshme, ose ndonjë punë në të zezë, të padeklaruar, fatkeqësisht, por tani nuk mund të punojnë e nuk kanë ç’të hanë... me fëmijë. E pastaj, fajdexhinjtë ua marrin edhe atë pak që kanë. Le të lutemi. Të lutemi për këto familje, për fëmijët e shumtë të këtyre familjeve, për dinjitetin e këtyre familjeve. Të lutemi edhe për fajdexhinjtë, që Zoti t’ua prekë zemrat e të ndryshojnë rrugë”.

 Gjatë homelisë, Papa komentoi pjesën e Veprave të Apostujve (Vap 5,27-33) ku Pjetri përballet me qortimet dhe kërcënimet e kryepriftit, i cili nuk do që apostulli t’u flasë njerëzve për Krishtin. E Pjetri i përgjigjet se duhet t’i bindemi Zotit e jo njerëzve, prandaj u kumton hapur të gjithëve ringjalljen e Jezusit, shpëtimtarit, që krerët fetarë deshën ta vrisnin. Guximi i Pjetrit, i cili ishte i dobët shpirtërisht, aq sa arriti ta mohojë Zotin, vërejti Papa Françesku, vjen nga lutja e Jezusit për të. Jezusi lutet që të mos i mungojë feja. Jezusi lutet për Pjetrin. E Jezusi lutet edhe për ne para Atit Qiellor, duke i treguar varrët e veta, çmimin e paguar për shëlbimin tonë. Jezusi është ndërmjetësuesi: duhet të kemi më shumë besim në lutjen e Krishtit, përfundoi Papa, sesa në lutjet tona.

“Le të mendojmë pak për këtë. T’i drejtohemi Jezusit, duke e falenderuar që lutet për ne. Ai lutet për secilin prej nesh. Jezusi deshi të marrë me vete plagët për t’ia treguar Atit Qiellor. Është çmimi i shëlbimit tonë. Duhet të kemi më shumë besim; më tepër se në lutjet tona, në lutjen e Jezusit. ‘O Zot, lutu për mua’ – ‘Po unë jam Zoti, unë mund të të jap çdo gjë…’ – ‘Po, por lutu për mua, sepse Ti je ndërmjetësuesi’. Ky është sekreti i Pjetrit: ‘Pjetër, unë do të lutem për ty ‘ që feja jote të mos mungojë’ (Lk 22,32). Zoti na mësoftë t’i kërkojmë hirin të lutemi për secilin prej nesh”.

Së fundi, Papa e përfundoi kremtimin me adhurimin dhe me bekimin eukaristik, duke i ftuar të gjithë në Kungim shpirtëror. Ja lutja e Atit të Shenjtë:

“Në këmbët tua, o Jezusi im, bie në gjunjë e të ofroj pendimin e zemrës sime, që bëhet asgjë në praninë Tënde shenjte. Të adhuroj në Sakramentin e dashurisë Tënde, dëshiroj të të marr në banesën e varfër, që të ofron zemra ime. Në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të jesh me mua në shpirt. Eja tek unë, o Jezusi im, që edhe unë të vij tek Ti. Dashuria Jote e përflaktë krejt qenien time, për jetë e për vdekje. Besoj në Ty, shpresoj në Ty, Të dua fort”.

Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, u këndua antifona mariane “Regina caeli”, tipike për kohën e Pashkëve:

“Regína caeli laetáre, allelúia.
Quia quem merúisti portáre, allelúia.
Resurréxit, sicut dixit, allelúia.
Ora pro nobis Deum, allelúia”.

(Mbretëreshë e qiellit, gëzohu, Aleluja!
– Se ai që meritove për ta bartur, Aleluja! 

U ngjall si pati thënë, Aleluja!
– Lute për ne Hyjin, Aleluja!)

23 prill 2020, 10:49
Lexo gjithçka >