Kërko

Vatican News
Mesha e Papës në Shën Martë Mesha e Papës në Shën Martë 

Papa: Zoti u shndërroftë zemrat Judave të sotëm, mafiozëve, që shfrytëzojnë nevojtarët

Në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku i lutet Zotit t’ua prekë zemrat atyre, që përfitojnë nga nevojtarët, në këtë krizë të shkaktuar nga pandemia e koronavirusit. Në homeli, flet për tradhtinë e Judës, për ata që i shesin njerëzit, madje edhe të afërmit, për përfitime personale.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku kremtoi meshën në Shtëpinë e Shën Martës (video e plotë), në të Mërkurën e Madhe të Pashkëve. Në fillim të kremtimit, u lut për kthimin në udhën e Zotit të gjithë atyre, që në këtë çast të vështirë, shkaktuar nga pandemia e koronavirusit, shfrytëzojnë pa skrupull nevojtarët:

         “Të lutemi sot për njerëzit që, në këtë kohë pandemie, bëjnë tregti me nevojtarët, përfitojnë nga nevojat e të tjerëve dhe i shesin ata: mafia, fajdexhinjtë e sa e sa të tjerë. Zoti ua prektë zemrat dhe i shndërroftë ato”.

         Gjatë homelisë, Ati i Shenjtë komentoi Ungjillin sipas Mateut (Mt 26, 14-25), i cili flet për tradhtinë e Judës. Edhe sot, nënvizoi Papa, ka njerëz si Juda, që tradhtojnë edhe më të afërmit, duke i shitur për interesat e tyre. Edhe sot ka nga ata, që duan t’i shërbejnë Zotit dhe parave, shfrytëzues që veprojnë fshehtas, në dukje pa të meta, por s’janë tjetër, veçse tregtarë njerëzish: i shesin të afërmit. Juda ka lënë pas dishepuj, dishepuj të djallit. Juda ishte i dhënë pas parasë: kush i do shumë paratë, tradhton. Por edhe tradhtohet nga djalli, i cili nuk i paguan borxhet dhe i lë njerëzit në dëshpërim. E kështu, Juda përfundon duke varur veten. Papa përmendi Judat e shumtë të institucionalizuar, që shfrytëzojnë njerëzit, por edhe Judën e vogël, që ka në shpirt secili prej nesh. Çdo njeri mund të tradhtojë, për dashurinë ndaj parave e pasurisë.

         Duke kujtuar tregtinë e skllevërve afrikanë dikur e, duke e krahasuar atë me skllavërimin e shumë njerëzve të sotëm, si për shembull, vajzat jazide që iu shitën Isisit, Ati i Shenjtë nënvizoi se edhe sot ka njerëz, në gjendje të shesin edhe nënën e tyre për para.

         “Sot – denoncoi Papa, në homeli – tregtia njerëzore bëhet si në kohët e para: bëhet. E pse? E pati thënë Jezusi…: ‘Nuk mund t’i shërbesh Zotit dhe parasë’, bëhen dy zotërinj. …secili prej nesh duhet të zgjedhë: ose i shërben Zotit e je kështu, i lirë ta adhurosh e t’i shërbesh, ose i shërben parasë e do të jesh skllav i saj. E s’mund të bëhen të dyja. Në fund të fundit, bëjnë gjoja sikur i shërbejnë Zotit, për t’i shërbyer parasë. Janë shfrytëzues të fshehur, që për shoqërinë janë të përsosur, por nën tryezë bëjnë tregti, edhe me njerëzit: s’ka rëndësi. Shfrytëzimi njerëzor është shitja e të afërmit”.

         Papa kujtoi më pas jetën e Judës, që ndoshta, filloi si jeta e çdo njeriu të zakonshëm. Ishte pikërisht Jezu Krishti që e thirri të bëhej dishepull i tij, pavarësisht se jo aq i fortë shpirtërisht. Ungjilli tregon se i pëlqenin paratë.

         “Kush i do fort paratë – theksoi Françesku – tradhton për të pasur më shumë, gjithnjë: kjo është rregull, është fakt. …Një gjë që më bën përshtypje – vijoi reflektimin Papa – është se Jezusi nuk i thotë kurrë ‘tradhtar’; thotë se do të tradhtohej, por nuk i thotë Judës ‘tradhtar’. …Përkundrazi, e quan ‘Mik’ dhe e puth. Misteri i Judës… E kjo na bën të mendojmë për një gjë tjetër, që është më reale, më shumë se sot: djalli hyri brenda Judës dhe e çoi deri në këtë pikë. E si përfundoi historia? Djalli nuk i paguan borxhet, nuk është i besueshëm. Të premton gjithçka, të bën të shohësh gjithçka e në fund të fundit, të lë vetëm në dëshpërimin tënd, të varësh veten”.

         Papa e përfundoi homelinë, duke u kërkuar të gjithëve të meditojnë mbi Ungjillin e sotëm:

         “Le të mendojmë për sa e sa Juda të institucionalizuar në këtë botë, që shfrytëzojnë njerëz. E të mendojmë edhe për Judën e vogël, që ka në shpirt secili prej nesh në çastin e zgjedhjes ndërmjet besnikërisë e interesit. Secili prej nesh e ka mundësinë për të tradhtuar, për të shitur, për të zgjedhur interesin personal. Secili prej nesh e ka mundësinë të joshet nga dashuria për paratë apo për pasurinë e mirëqënien e ardhshme. ‘Judë, ku je?’. E këtë pyetje ia bëj secilit prej nesh: ‘Ti, Judë, Juda i vogël brenda meje: ku je?’”.

         Ati i Shenjtë e përfundoi kremtimin me adhurimin e me bekimin eukaristik, duke i ftuar të gjithë në Kungimin shpirtëror. Ja lutja e Papës:

Në këmbët tua, o Jezusi im, bie në gjunjë e të ofroj pendimin e zemrës sime, që bëhet asgjë në praninë Tënde shenjte. Të adhuroj në Sakramentin e dashurisë Tënde, dëshiroj të të marr në banesën e varfër, që të ofron zemra ime. Në pritje të lumturisë së kungimit sakramentor, dua të jesh me mua në shpirt. Eja tek unë, o Jezusi im, që edhe unë të vij tek Ti. Dashuria Jote e përflaktë krejt qenien time, për jetë e për vdekje. Besoj në Ty, shpresoj në Ty, Të dua fort. Ashtu qoftë.

Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, Papa këndoi antifonën e lashtë mariane “Ave Regina Caelorum”.

“Të falemi, o Mbretëresha e Qiellit, o Zojë e Engjëjve, të falemi; porta e rrënja e shëlbimit, për gjithë botën sjell dritën e shkëlqimit. Galdo, o Virgjër e lavdishme, e hirshme mbi të gjitha gratë; të falemi, o krejt shenjte, lutju për ne Zotit tonë Jezu Krisht”.

08 prill 2020, 11:19
Lexo gjithçka >