Kërko

Vatican News
Mesha në Shën Martë Mesha në Shën Martë 

Papa lutet për të pastrehët: duhen ndihmuar nga shoqëria, Kisha t’i strehojë

Në meshën e kremtuar në Shën Martë, Papa u lut për të pastrehët, që nuk kanë shtëpi e nuk mund të mbyllen, në këto kohë koronavirusi. Gjatë homelisë, na ftoi të kundrojmë Jezusin në kryq: Zoti i ka marrë mbi vete mëkatet për të na shpëtuar.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku kremtoi sot Meshën në Shtëpinë e Shën Martës (video e plotë), në të martën e Javës V të Kreshmëve. Antifona e hyrjes është inkurajuese, për këtë kohë pandemie, kur secili është mbyllur në shtëpi për të shmangur infektimin nga koronavirusi: “Shpreso në Zotin, bëhu burrë, ji zemërfortë e prite Zotin” (Ps 26,14). Ati i Shenjtë u lut për ata, që nuk kanë shtëpi:

“Të lutemi sot për ata, që nuk kanë shtëpi, në këtë çast, kur kërkohet të rrimë brenda. Të lutemi që shoqëria e burrave dhe e grave ta shohë këtë realitet dhe t’i ndihmojë, e Kisha t’i strehojë”.

Gjatë homelisë, duke komentuar Leximet e ditës, marrë nga Libri i Numrave (Nm 21,4-9) dhe nga Ungjilli sipas Gjonit (Gjn 8,21-30), Papa kujtoi se vetë Jezu Krishti u bë mëkat, për të na shëlbuar. Erdhi në botë për të marrë përsipër mëkatet tona e në kryq, vuajti e vdiq me të vërtetë. Le ta kundrojmë Jezusin në kryq, theksoi Papa, e le ta falenderojmë. Françesku e filloi komentin nga Leximi i parë liturgjik:

Gjarpri, sigurisht, nuk është ndonjë kafshë simpatike: lidhet gjithnjë me të keqen. Edhe në Zbulesën hyjnore, gjarpri është pikërisht kafsha, që përdor djalli, për t’i bërë njerëzit të mëkatojnë. Në Zbulesë, djalli quhet “gjarpri i lashtë”, ai që, nga zanafilla, kafshon, helmon, shkatërron, vret.

 Ati i Shenjtë përshkroi gjendjen e hebrenjve, që kishin dalë nga Egjipti, ishin lodhur së shkuari pas Moisiut e kujtonin kohën, kur kishin për të ngrënë, pavarësisht se në skllavëri. E tepruan aq shumë, sa Zoti u dërgoi gjarpërinj të zjarrtë, që kafshonin njerëzit, të cilët vdisnin, siç përshkruhet në Librin e Numrave.

Në atë çast – komentoi Papa – gjarpri është gjithnjë imazhi i së keqes: populli sheh mëkatin në gjarprin, sheh se gjarpri bëri keq. E shkon tek Moisiu e i thotë: “Kemi mëkatuar, sepse folëm kundër Zotit e kundër teje. Përgjëroju Hyjit që të na i largojë këta gjarprinj”. Populli pendohet. Kjo është historia e shkretëtirës. Moisiu u lut për popullin e Zoti i tha: “Bëj një gjarpër e vendose mbi një shtyllë prej metali. Nëse ata, që i ka kafshuar gjarpri, do ta shohin, do të shpëtojnë”.

Mos ishte ndoshta idhujtari edhe kjo, pyeti më pas Ati i Shenjtë, duke shpjeguar se, në të vërtetë, kjo ishte profeci, ishte paralajmërim për ç’do të ndodhte më vonë. Siç thotë Jezusi, në Ungjillin e sotëm sipas Gjonit: “Kur ta lartoni Birin e njeriut, atëherë do ta merrni vesh se UNË JAM e se nuk bëj asgjë prej vetes”.

Jezusi i lartuar: mbi kryq – vijoi Papa. - Moisiu bën një gjarpër dhe e ngre lart. Jezusi do të lartohet, si gjarpri, për të dhuruar shpëtimin. Por thelbi i profecisë është se pikërisht Jezusi u bë mëkat për ne. Nuk mëkatoi: u bë mëkat. Siç thotë Shën Pjetri në Letrën e tij: “I mori mbi vete mëkatet tona”. E kur shohim të kryqëzuarin, le të mendojmë për Zotin, që vuan: gjithçka shohim është e vërtetë. Por, ndalemi para se të mbërrijmë në thelbin e asaj së vërtete: në këtë çast, Ti o Zot dukesh mëkatari më i madh, u bëre mëkat. More mbi vete të gjitha mëkatet tona, u bëre asgjë. Kryqi – komentoi Françesku – vërtet është torturë, është hakmarrja e dijetarëve të Ligjit, e atyre që nuk e donin Jezusin: e kjo është e vërtetë. Por, e vërteta që vjen prej Zotit, është se Ai i Lumi erdhi në botë për të marrë mbi vete mëkatet tona, deri sa u bë ai vetë mëkat. I gjithi mëkat. Aty janë mëkatet tona. Duhet të mësohemi ta shohim të kryqëzuarin në këtë dritë, e cila është më e vërteta, është drita e shëlbimit. Në Jezusin bërë mëkat shohim se Krishti mundet plotësisht. Nuk bën gjoja se po vdes, nuk bën gjoja se po vuan, ashtu i vetëm, i braktisur… “O Atë, pse më braktise?”. Gjarpri: unë lartohem si gjarpri, si ai, që është krejt mëkat. Nuk është e lehtë të kuptohet kjo e, nëse e mendojmë mirë, kurrë nuk do të arrijmë në ndonjë përfundim. Vetëm të kundrojmë, të lutemi e të falenderojmë.

Së fundi, Papa e përfundoi kremtimin me adhurimin dhe me bekimin eukaristik, duke i ftuar të gjithë në Kungim shpirtëror. Ja lutja e Atit të Shenjtë:

O Jezusi im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë nuk mund të të marr sakramentalisht tani, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Sikur të kesh ardhur, unë Të përqafoj e bashkohem krejtësisht me Ty. Mos lejo të ndahem kurrë prej Teje.

Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, Papa këndoi antifonën e lashtë mariane “Ave Regina Caelorum”.

“Të falemi, o Mbretëresha e Qiellit, o Zojë e Engjëjve, të falemi; porta e rrënja e shëlbimit, për gjithë botën sjell dritën e shkëlqimit. Galdo, o Virgjër e lavdishme, e hirshme mbi të gjitha gratë; të falemi, o krejt shenjte, lutju për ne Zotit tonë Jezu Krisht”.

31 mars 2020, 09:28
Lexo gjithçka >