Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë 

Papa: lutem për të moshuarit e vetmuar e të frikësuar

Zoti u qëndroftë pranë dhe u dhashtë forcë gjysheve dhe gjyshërve tanë. Papa Françesku e ofron për këtë ndjet meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës e transmetuar drejtpërdrejt përmes internetit. E fton të falim gjithmonë dhe me gjithë zemër.

R.SH. - Vatikan

Me zemër në dorë, Papa Françesku i kushton vëmendje çdo ditë një kategorie të veçantë. Sot në mëngjes, ia kushtoi Meshën (video e plotë) të moshuarve, që, në këtë kohë kufizimesh për shkak të koronavirusit, e ndiejnë më shumë se të tjerët distancën nga të dashurit.

“Do të dëshiroja që sot të lutemi për të moshuarit, të cilët e vuajnë në mënyrë të veçantë këtë periudhë, ndihen shumë të vetmuar e, ndonjëherë, kanë shumë frikë. T’i lutemi Zotit t’u qëndrojë pranë gjyshërve, gjysheve tona, gjithë të moshuarve dhe t’u japë forcë. Ata na dhanë urtinë, jetën, historinë. E ne, le t’u qëndrojmë pranë me lutje”.

Homelia e Papës u frymëzua nga Ungjilli i ditës (Mt 18,21-35),  që trajton temën e faljes. Shën Pjetri e pyet Jezusin sa herë duhet t’i falësh të tjerët. Nuk është gjë e lehtë, pohoi Ati i Shenjtë, i cili kujtoi se ka “njerëz, që jetojnë veç duke dënuar të tjerët”. Por Zoti, nënvizoi Françesku, na dëshiron të dhembshur e të gatshëm për të falur me gjithë zemër. Ja homelia e plotë, sipas transkriptimit tonë:

Jezusi vjen pasi bëri një katekizëm mbi bashkimin ndërmjet vëllezërve, të cilin e përfundoi me këto fjalë: “Ju siguroj se kur dy prej jush, dy ose tre, do të bien dakord dhe do të kërkojnë ndonjë hir, do t’u jepet”. Uniteti, miqësia, paqja ndërmjet vëllezërve e tërheq dashamirësinë e Zotit. E Pjetri bën pyetjen: “Po, por ç’duhet të bëjmë me njerëzit, që na fyejnë? Nëse vëllai im kryen mëkate kundër meje e më fyen, sa herë më duhet ta fal? Shtatë herë?”. E Jezusi u përgjigj me atë fjalë që, në idiomën e tyre, do të thotë “gjithmonë”: “Shtatëdhjetë herë shtatë”.

Gjithmonë duhet të falim. E nuk është e lehtë, të falim. Sepse zemra jonë egoiste është shpesh plot me urrejtje, hakmarrje, mëri. I kemi parë të gjithë familjet e shkatërruara nga urrejtja, që transmetohet brez pas brezi. Vëllezër, që, para arkivolit të ndonjërit prej prindërve, nuk përshëndeten, sepse mbajnë mëri të vjetra. Duket se lidhja me urrejtjen është më e fortë se dashuria e, pikërisht ky është thesari - të themi kështu - i djallit. Ai gjithmonë ulet këmbëkryq midis grindjeve, midis urrejtjeve tona dhe i shton ato, i mban gjallë, që të shkatërrojë. Të shkatërrojë gjithçka. E shpesh, për gjëra të vogla, shkatërron. E shkatërrohet edhe ky Zot, që nuk erdhi për të dënuar, por për të falur. Ky Zot, që është në gjendje të bëjë festë për një mëkatar, që i afrohet, e kështu, ia harron gjithçka.

Kur Zoti na fal, i harron të gjitha ligësitë, që kemi bërë. Dikush thotë: “kjo është sëmundja e Zotit”. Hyji nuk kujton, është në gjendje ta humbasë kujtesën në këto raste. Zoti nuk i kujton më historitë e këqija të sa e sa mëkatarëve, të mëkateve tona. Na fal e shkon përpara. Vetëm na kërkon: “Bëni të njëjtën gjë: mësoni të falni”, mos e mbani këtë kryq të pafrytshëm të urrejtjes, të zemërimit, të “do të ma paguash”. Kjo fjalë nuk është as e krishterë, as njerëzore. Kjo është bujaria e Jezusit, që na mëson se për të hyrë në parajsë duhet të falim. Madje, na thotë: “Shkoni në meshë?” – “Po” – “Por nëse kur shkoni në meshë, ju vjen ndërmend se vëllai ka diçka kundër jush, pajtohuni së pari; mos ejani tek unë me dashuri për mua, nga njëra anë dhe, me urrejtje për vëllain, nga ana tjetër”. Koherenca e dashurisë. Të falim. Të falim me zemër.

Ka njerëz, që jetojnë duke dënuar të tjerët, duke folur keq për të tjerët, duke hedhur vazhdimisht baltë mbi shokët e tyre të punës, duke hedhur baltë mbi fqinjët, të afërmit, sepse nuk ua falin diçka, që u kanë bërë, ose nuk falin diçka, që nuk u pëlqen. Duket se kjo është pasuria e vetë djallit: të mbjellë dëshirën e zjarrtë për të mos falur, që njerëzit të jetojnë pa e falur njëri-tjetrin. Por falja është kusht për të hyrë në parajsë.

Shëmbëlltyra, që na tregon Jezusi, është shumë e qartë: falni. Zoti na mësoftë urtinë e faljes, që nuk është e lehtë. E le të bëjmë këtë gjë: kur shkojmë për t’u rrëfyer, për të marrë sakramentin e pajtimit, së pari, ta pyesim veten: “A fal unë?”. Nëse e ndiejmë se nuk falim, të mos bëjmë sikur kërkojmë falje, sepse nuk do të falemi. Të kërkosh falje, do të thotë të falësh. Janë bashkë, të dyja këto gjëra. Nuk mund të ndahen. E ata, që kërkojnë falje për veten e tyre, si ky zotëri, të cilin pronari e fal gjithmonë, por ai nuk i fal të tjerët, do të përfundojnë pikërisht si ai. “Kështu do të bëjë me ju edhe Ati im Qiellor, nëse nuk e falni me gjithë zemër, secili vëllain e vet”.

Zoti na ndihmoftë ta kuptojmë këtë dhe ta ulim kokën, të mos jemi mendjemëdhenj, por shpirtmëdhenj në falje. Të paktën, falni “për interes”. Po si kështu? Po: fal, pasi nëse nuk fal, nuk do të falesh. Bëni këtë të paktën. Por gjithmonë, falje.

17 mars 2020, 11:48
Lexo gjithçka >