Kërko

Papa Françesku në meshën e kremtuar në Shën Martë Papa Françesku në meshën e kremtuar në Shën Martë 

Lutja e Papës Françesku për ata, që vajtojnë

Në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa u lut për ata, që vuajnë në këtë kohë pandemie. Gjatë homelisë, kujtoi se edhe Jezusi derdhi lot: shumë njerëz sot vajtojnë, të kërkojmë hirin për të ditur si të derdhim lot bashkë me ta, siç bëri Zoti. Sot, nënvizoi Françesku, të jetë për të gjithë ne, e Diela e vajit.

R.SH. - Vatikan

Papa Françesku kremtoi sot në mëngjes meshën, në Shtëpinë e Shën Martës (video e plotë), në të Dielën V të Kreshmëve. U mbushën tri javë tashmë që kremtimi eukaristik në kapelën e shtëpisë, ku banon Ati i Shenjtë, transmetohet drejtpërdrejt në internet, pasi Papa dëshiron që ngushëllimi i Hyjit të arrijë tek të gjithë besimtarët, që nuk mund të marrin pjesë fizikisht në meshë, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Sot, Françesku u lut për gjithë të vuajturit:

          “Mendoj për sa e sa njerëz, që derdhin lot: njerëz të izoluar, njerëz në karantinë, të moshuar të vetmuar, të shtruar në spital e njerëz në terapi, prindër që shohin se si, duke mos pasur më rroga, nuk ia dalin dot t’u japin për të ngrënë fëmijëve. Shumë njerëz vajtojnë. E ne, me zemër, i shoqërojmë. E s’do të na bëjë keq të qajmë edhe ne pak me vajin e Zotit për gjithë popullin e vet”.

          Gjatë homelisë, duke komentuar Ungjillin sipas Gjonit (Gjn 11,1-45), që flet për ringjalljen e Lazrit, Papa Françesku përmendi lotët e Jezusit për mikun e vet. Jezusi derdh lot me dashuri, qan bashkë me të vetët, që vajtojnë, qan gjithnjë për dashuri, sepse e ka zemrën tejet të dhembshur. Sot, para një bote, që vuan nga pandemia, pyeti Ati i Shenjtë, a jemi në gjendje të derdhim lot si Jezusi? Janë shumë ata, që vajtojnë sot. T’i kërkojmë Zotit hirin për të derdhur lot bashkë me ta, u lut Papa. Ja teksti i plotë:

          Jezusi kishte miq. I donte të gjithë, por kishte edhe miq, me të cilët kishte marrëdhënie të veçanta, siç ndodh zakonisht, më shumë afërsi, më shumë besim… E shumë shpesh ndalej në shtëpinë e këtyre vëllezërve: Lazri, Marta, Maria… Jezusi ndjeu dhimbje për sëmundjen e për vdekjen e mikut të tij. Mbërriti tek varri dhe u mallëngjye thellësisht. Tepër i tronditur, pyeti: “Ku e keni vënë?” E Jezusi shpërtheu në lot. Krisht e Zot, por edhe njeri, prandaj qau. Edhe një herë tjetër në Ungjill, thuhet se Jezusi qau: kur derdhi lot për Jeruzalemin. E me sa dhembshuri qan Jezusi! I dalin lotët nga zemra, qan me dashuri, qan me të vetët, që vajtojnë. Vaji i Jezusit… Ndoshta, derdhi lot edhe herë të tjera gjatë jetës – nuk e dimë – sigurisht, në Kopshtin e Ullinjve. Por Jezusi qan për dashuri, gjithnjë.

          U mallëngjye thellësisht e tejet i tronditur, qau. Sa herë e kemi dëgjuar në Ungjill këtë mallëngjim të Jezusit, me atë frazë, që përsëritet: “E pa dhe pati mëshirë”. Jezusi nuk mund t’i shohë njerëzit e të mos ndiejë dhembshuri. Sytë e tij përfshijnë edhe zemrën; Jezusi sheh me sy, por edhe me zemër, prandaj derdh lot.

          Sot, para një bote, që vuan shumë, para njerëzve, që vuajnë nga pasojat e kësaj pandemie, unë pyes: a jam në gjendje të derdh lot, ashtu siç do të kishte bërë me siguri Jezusi e siç bën edhe tani? Zemra ime, a i ngjan asaj të Jezusit? E, nëse është tepër e ngurtë, pavarësisht se jam në gjendje të flas, të bëj mirë, të ndihmoj, por pa përdorur zemrën, nuk jam në gjendje të qaj. T’ia kërkojmë këtë hir Zotit: O Zot, bëj që unë të derdh lot bashkë me Ty, të qaj bashkë me popullin Tënd, i cili vuan në këtë çast. Shumë vajtojnë sot. E ne, nga ky altar, nga ky flijim i Jezusit, i Jezusit që nuk pati turp të qajë, të lutemi për hirin e vajit. Qoftë për të gjithë ne e Diela e vajit.

          Së fundi, Papa e përfundoi kremtimin me adhurimin dhe bekimin eukaristik, duke i ftuar të gjithë në Kungim shpirtëror. Ja lutja e Atit të Shenjtë:

          “O Jezusi im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë nuk mund të të marr sakramentalisht tani, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Sikur të kesh ardhur, unë Të përqafoj e bashkohem krejtësisht me Ty. Mos lejo të ndahem kurrë prej Teje”.

          Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, Papa këndoi antifonën e lashtë mariane “Ave Regina Caelorum”.

29 mars 2020, 10:02
Lexo gjithçka >