Kërko

Papa Françesku në meshën e kremtuar në Shën Martë Papa Françesku në meshën e kremtuar në Shën Martë 

Papa falënderon kë shqetësohet për njerëzit në vështirësi

Në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku u lut edhe një herë për të sëmurët, të moshuarit e vetmuar, familjet, që nuk kanë me ç’të jetojnë, e falenderoi njerëzit, që shqetësohen për ta. Në homeli, pohoi se kundër tërbimit shkatërrimtar të djallit duhet të kemi guximin e heshtjes. Kështu bëri Jezu Krishti e kështu duhet bërë edhe para problemeve të vogla, si thashethemet.

R.SH. - Vatikan

Në meshën e kremtuar në transmetim të drejtpërdrejtë nga Shtëpia e Shën Martës (video e plotë), Papa Françesku shprehu mirënjohje për të gjithë njerëzit, që mendojnë për të tjerët, në këtë periudhë të vështirë, karakterizuar nga pandemia e koronavirusit. Ja fjalët e tij, në fillim të meshës:

“Këto ditë mbërrijnë lajme për sa e sa njerëz, që fillojnë të shqetësohen për të tjerët e mendojnë për familjet, që nuk kanë mjaftueshëm për të ngrënë, për të moshuarit e vetmuar, për të sëmurët nëpër spitale dhe luten e përpiqen të ndihmojnë në një farë mënyre… Ky është sinjal i mirë. Falenderojmë Zotin që zgjon këto ndjenja në zemrat e besimtarëve të vet”.

Gjatë homelisë, duke komentuar Leximet e sotme liturgjike, marrë nga Libri i Urtisë (Ur 2,1.12-22) e nga Ungjilli sipas Gjonit (Gjn 7,1-2.10.25-30), Papa nënvizoi se ata, që donin ta vrisnin Jezusin, nxiteshin nga djalli, sepse pas çdo tërbimi shkatërrimtar të këtij lloji, është pikërisht demoni. Me njerëz të tillë nuk mund të diskutohet, nënvizoi Ati i Shenjtë, mund vetëm të heshtësh, siç bëri Jezusi, i cili zgjodhi heshtjen dhe Mundimet. Ky është stili, që duhet të ndjekim edhe me zemërimet e vogla të përditshme, me thashethemet.

Papa shpjegoi se në gjithë Biblën shihet ky lloj tërbimi i djallit kundër njerëzve të Zotit, të cilët i mundon me çdo lloj mënyre, ua bën jetën e vështirë, në mënyrë që të dorëzohen e ta braktisin udhën e Hyjit. Kështu bëri, për shembull, me Jobin e kështu bëri edhe me Jezusin në shkretëtirë. E sjellja e njerëzve, që donin ta vrisnin Jezusin, në Ungjillin e sotëm, nuk është e ndryshme, duan të shkojnë deri në fund, të shohin vdekjen e një njeriu. E kështu ndodh edhe sot, kur shtyhemi deri aty ku s’mban më, nënvizoi Papa:

“Pas çdo furie, është djalli, që dëshiron ta shkatërrojë veprën e Zotit. Pas diskutimeve ose armiqësisë, mund të ndodhë që të jetë djalli, nga larg, me tundime normale. Por, kur shohim tërbim, s’ka dyshime: aty është djalli. E kjo furi mund të jetë edhe tepër e hollë. Le të mendojmë si djalli u tërbua kundër Jezusit, por të na vijnë ndërmend edhe persekutimet e të krishterëve; si djalli ka kërkuar gjithnjë mjetet më të sofistikuara për t’i çuar në apostazi, për t’i larguar nga Zoti. Siç themi me gjuhën e përditshme, kjo është djallëzore: po, inteligjenca djallëzore.

Më tregonin ipeshkvijtë e një vendi, që vuajti nën diktaturën e regjimit ateist, se gjatë persekutimit, arrinin deri në detaje si këto: të hënën pas Pashkëve, mësueset i pyesnin fëmijët: “Ç’keni ngrënë dje?” e, fëmijët thoshin ç’kishin ngrënë për drekë. Disa pohonin: “Vezë” e ata, që thoshin kështu, përndiqeshin për të parë nëse ishin të krishterë, sepse në atë vend vezët hahen të Dielën e Pashkëve”.

Ky është tërbimi kundër njerëzve të Zotit, vijoi më tej Papa. Para tij, mund të bëjmë vetëm atë, që bëri edhe Jezu Krishti, të heshtim. Është heshtja e të drejtit, para persekutimit. Por, kjo nuk vlen vetëm në diktaturë, shpjegoi Françesku. Edhe në “persekutimet” e vogla të përditshme, si thashethemet për shembull, kur flitet pa baza kundër dikujt, s’mund të bëjmë tjetër veçse të heshtim, sepse herët a vonë, Zoti do të na e nxjerrë të drejtën. Ati i Shenjtë iu lut Hyjit për këtë hir.

Së fundi, Papa e përfundoi kremtimin e meshës me adhurimin e me bekimin eukaristik, duke i ftuar të gjithë të kungohen shpirtërisht. Kjo, lutja e tij:

“O Jezusi im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë nuk mund të të marr sakramentalisht tani, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Sikur të kesh ardhur, unë Të përqafoj e bashkohem krejtësisht me Ty. Mos lejo të ndahem kurrë prej Teje”.

Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, Papa këndoi antifonën e lashtë mariane “Ave Regina Caelorum”.

27 mars 2020, 10:44
Lexo gjithçka >