Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës 

Papa: Zoti na ndihmoftë të fitojmë mbi frikën e kësaj kohe të vështirë

Në meshën e kremtuar në Shën Martë, Papa Françesku u lut për të moshuarit e vetmuar, për ata që nuk e kanë punën të sigurt dhe për ata, që vijojnë veprimtarinë e mund të infektohen nga koronavirusi. Gjatë homelisë ftoi të zbulojmë idhujt, që shpesh, fshihen në zemrën e secilit. Idhujtaria na bën t’i humbasim dhuratat e Zotit.

R.SH. - Vatikan

Në meshën e kremtuar në transmetim të drejtpërdrejtë nga kapela e Shtëpisë së Shën Martës (video e plotë), Papa Françesku u lut që Zoti të na ndihmojë të fitojmë mbi frikën e kësaj kohe të vështirë, për shkak të pandemisë së koronavirusit. Në fillim të kremtimit eukaristik, Ati i Shenjtë tha:

         “Në këto ditë vuajtjeje të madhe, ka shumë frikë. Frika e të moshuarve, që janë vetëm, në shtëpitë për pleq, në spitale, ose në shtëpinë e tyre, pa e ditur se ç’mund të ndodhë. Frika e punëtorëve pa punë fikse, që mendojnë ç’do t’u japin për të ngrënë fëmijëve dhe shohin urinë në horizont. Frika e shumë punonjësve socialë, që në këtë çast, e ndihmojnë shoqërinë të funksionojë e mund të infektohen me sëmundjen Covid-19. E, edhe frika – frikërat – e secilit prej nesh: secili e di cila është e vetja. T’i lutemi Zotit që të na ndihmojë të kemi besim, të tolerojmë e të fitojmë mbi frikën”.

         Gjatë homelisë, duke komentuar Leximin e parë, marrë nga Libri i Daljes (Dal 32,7-14), i cili tregon historinë e viçit të artë, shndërruar në idhull, Papa Françesku foli për idhujt e zemrës, idhuj që shpesh, i fshehim me dinakëri. Ati i Shenjtë nënvizoi se idhujtaria na bën ta humbasim gjithçka, na bën t’i humbasim të gjitha dhuratat e Zotit. Idhujtaria na çon drejt një besimi fetar të gabuar. Prandaj, Papa kërkoi të shohim brenda shpirtit, për të zbuluar idhujt tanë të fshehur. Ja teksti i plotë i homelisë së Françeskut:

         Në Leximin e parë, kemi skenën e kryengritjes së popullit. Moisiu kishte shkuar në Mal, për të marrë Ligjin: Zoti ia dha atij, në gur, shkruar me dorën e vet. Por populli u mërzit, u grumbullua rreth Aronit e tha: “Po ky Moisiu, prej kohësh, as që e dimë ku është e ku ka shkuar, jemi pa udhëheqës. Na bëni një zot, që të na ndihmojë të ecim përpara”. E Aroni, që më vonë do të jetë meshtar i Zotit, por aty qe meshtar i marrive dhe i idhujve, tha: “Po, po, më jepni gjithë arin e argjendin, që keni” e ata ia dhanë e bënë, kështu, viçin e artë.  

         Në Psalm dëgjuam ankimin e Zotit: “Bënë një viç në Horeb, adhuruan një shtatore metali, e shkëmbyen lavdinë e tyre me figurën e një demi, që ha bar”. E këtu, në këtë çast, siç thotë Leximi liturgjik: “Zoti i tha Moisiut: ‘Mos vono e zbrit poshtë, sepse populli yt që e nxore nga dheu i Egjiptit, u prish. E lanë me të shpejtë rrugën që ua kam caktuar. Punuan një viç të metaltë e adhuruan dhe i kushtuan fli e thanë: ‘Këta janë zotat e tu, o Izrael, që të nxorën nga dheu i Egjiptit!’”. Apostazi e vërtetë! Nga Zoti i gjallë tek idhujtaria. Nuk patën durim të prisnin kthimin e Moisiut: donin risi, donin diçka, ndonjë spektakël liturgjik, diçka…

         Për këtë, dua të theksoj disa gjëra. Së pari, nostalgjinë idhujtare të popullit: në këtë rast, mendonin për idhujt e Egjiptit, por është nostalgjia e kthimit tek idhujt, e kthimit tek e keqja, duke mos ditur të presin Zotin e gjallë. Kjo nostalgji është sëmundje, edhe e jona. Fillojmë të ecim me entuziazmin se jemi të lirë, por pastaj, fillojnë ankimet: “Po ky është çast i vështirë, në shkretëtirë kam etje, dua ujë, dua mish… në Egjipt hanim qepë, gjëra të mira, që këtu nuk i kemi…”. Gjithnjë, idhujtaria zgjedh: të bën të mendosh për gjërat e mira që të jep, por nuk t’i tregon të këqijat. Në këtë rast, ata mendonin sa mirë ishin në tryezë, me gjellët që u pëlqenin, por harronin se ajo ishte tryeza e skllavërisë. Idhujtaria zgjedh.

         Pastaj, diçka tjetër: idhujtaria të bën të humbasësh gjithçka. Aroni, për të bërë viçin, u kërkon: “Më jepni arin e argjendin”: por ishte ari e argjendi, që ua kishte dhënë Zoti, kur u pati thënë: “Kërkojuni egjiptianëve ar borxh”. Është dhuratë e Zotit e me atë dhuratë bënë idhullin. E kjo është tepër e keqe. Por, kjo na ndodh edhe neve: kur kemi sjellje, që na çojnë drejt idhujtarisë, kapemi pas gjërave që na largojnë prej Zotit, sepse bëjmë një zot tjetër e madje, me dhuratat, që na ka dhënë Hyji. Me inteligjencën tonë, me vullnetin, me dashurinë, me zemrën… këtoj janë dhuratat e Zotit, që ne i përdorim për idhujtari.

         Po, ndokush prej jush mund të më thotë: “Po unë në shtëpi nuk kam idhuj. Kam të Kryqëzuarin, fuguren e Zojës, që nuk janë idhuj…” – Jo, jo: fjala është për zemrën. Pyetja, që duhet t’i bëjmë vetes sot, është: cili është idhulli që kam në zemër, në shpirtin tim? Në atë pjesë të fshehur, ku ndihem mirë, që më largon nga Zoti i gjallë. E me idhujtari, ne kemi edhe një qëndrim tejet dinak: dimë si t’i fshehim idhujt, siç bëri Rakela kur iku nga i ati dhe i fshehu idhujt në samarin e devesë e në mes të rrobave. Edhe ne, ndër palët e zemrës, fshehim shumë idhuj.

         Pyetja, që dua të bëj sot, është kjo: cili është idhulli im? Ai idhull i mendësisë së kësaj bote… e idhujtaria arrin deri tek përshpirtëria, sepse këta nuk e donin viçin e artë për ndonjë cirk: jo. E donin për ta adhuruar: “U gjunjëzuan para tij”. Idhujtaria të çon drejt një besimi fetar të gabuar, madje, shpesh, mendësia e kësaj bote – që është idhujtari – të bën ta shndërrosh kremtimin e një sakramenti në festë të zakonshme. Një shembull: kremtimi i martesës. Nuk dihet më a është sakrament, ku bashkëshortët e rinj japin gjithë vetveten e duhen para Zotit, duke i premtuar të jenë besnikë e duke marrë kështu, hirin e Tënzot apo është thjesht, paradë modelesh, si është veshur njëri e si është veshur tjetri… punë të kësaj bote. Është idhujtari! Sa për shembull, këtë. Sepse idhujtaria nuk ndalet, ecën përpara.

         Sot, pyetja, që dua t’ju bëj të gjithëve, edhe vetes, është: cilët janë idhujt e mi? Secili ka të vetët. Cilët janë idhujt e mi? Ku i fsheh? Në fund të jetës, mos e dhashtë Zoti t’i thotë secilit prej nesh: “Je prishur. Je larguar nga jeta, që të kisha caktuar. Ke adhuruar një idhull".

         T’i kërkojmë Zotit hirin për t’i njohur idhujt tanë. E, nëse nuk mund t’i përzëmë, të paktën t’i kufizojmë në një qoshe…

         Së fundi, Papa e përfundoi kremtimin me adhurimin e me bekimin eukaristik, duke i ftuar të gjithë në Kungim shpirtëror, me këtë lutje.

         “O Jezusi im, unë besoj se je me të vërtetë i pranishëm në të Shenjtnueshmin Sakrament. Të dua mbi gjithçka e të dëshiroj në shpirtin tim. Meqë nuk mund të të marr sakramentalisht tani, eja të paktën shpirtërisht në zemrën time. Sikur të kesh ardhur, unë Të përqafoj e bashkohem krejtësisht me Ty. Mos lejo të ndahem kurrë prej Teje”.

         Para se të largohej nga kapela, që i kushtohet Shpirtit Shenjt, Papa këndoi antifonën e lashtë mariane “Ave Regina Caelorum”.

26 mars 2020, 10:09
Lexo gjithçka >