Kërko

Vatican News
Papa Françesku gjatë Meshës kremtuar  në kapelën e Shën Martës në Vatikan Papa Françesku gjatë Meshës kremtuar në kapelën e Shën Martës në Vatikan  (Vatican Media)

Zoti qan për ne, kur largohemi nga Ai

Vaj i Davidit, për vdekjen e djalit të vet, i cili u çua kundër tij, është një profeci e dashurisë së Zotit Atë për ne, të asaj dashurie që e shtyri Jezusin deri në vdekje mbi kryq. Kështu pohoi Papa Françesku në homelinë e meshën kremtuar në mëngjes në kapelën e Shën Martës në Vatikan. Zoti, theksoi Ati i Shenjtë , është babë dhe kurrë nuk e mohon këtë atësi.

R.SH. - Vatikan

"Djali im, Absalom! Oh, sikur të kisha vdekur unë në vend tënd!” Ky është vaji i ankthshëm i Davidit mbret, në lot, kur mori lajmin e vdekjes së djalit. Leximi i parë i liturgjisë së sotme, marrë nga Libri i Dytë i Samuelit, na përshkruan fundin e betejës së gjatë të Absalomit kundër babait të tij, Mbretit David, për ta zëvendësuar atë në fron. Papa Françesku në homelinë e Meshës së sotme, kremtuar  në mëngjes në kapelën e Shën Martës në Vatikan, përmbledh historinë biblike, e pohon se Davidi vuajti për këtë luftë të djalit, Absalomit, i cili u ngrit kundër babait të vet duke e bindur popullin të luftonte përkrah tij, aq sa Davidi qe detyrua të largohej nga Jeruzalemi për të shpëtuar. "Këmbë zbathur, kokë mbuluar, i shpotitur nga disa – tha Papa Françesku - të tjerë hidhnin gurë ndaj tij, sepse të gjithë njerëzit ishin me këtë djalë që e kishte mashtruar popullin, i kishte joshur zemrat e njerëzve me premtime".

Vaj i Davidit na tregon zemrën e Zotit

Pjesa e sotme  nga Libri i Dytë i Samuelit (2Sam 18,9-10.14.24-25.30;19,1-4 ) e përshkruan Davidin në pritje të lajmeve nga fronti dhe mbërritja, më në fund e një të dërguari që e paralajmëron atë: Absalomi vdiq në betejë. Kur mori lajmin Davidi u prek thellë dhe u dridh në shtat, e qante e thoshte: "Biri im Absalom! Biri im, Absalom. Oh, sikur të  kisha vdekur unë në vendin tënd!". Ata që ishin me të u çuditen nga ky reagim:

Po pse qan? Me të vërtetë, ai është kundër teje, të pati mohuar, e pati mohuar atësinë tënde, të ka fyer, të ka persekutuar, andaj duhet festuar  se fitove!". . Por Davidi vazhdon të thotë vetëm:“Biri im, biri im, biri im, e qante. Ky vaj i Davidit është një fakt historik, por është gjithashtu edhe një profeci. Na bën të shohim zemrën e Zotit, na tregon se çfarë bën Zoti me ne, kur ia kthejmë shpinën dhe largohemi prej Tij, na tregon çka bën Zoti me ne, kur e shkatërrojmë vetveten me mëkat, kur jemi të çorientuar, të humbur. Zoti është babë dhe kurrë nuk e mohon këtë atësi, por na thotë ti je: " Biri im, biri im".

Papa Françesku vazhdoi duke thënë se ne e takojmë vajin e Zotit kur shkojmë dhe i rrëfejmë mëkatet tona, sepse nuk është si "të shkosh në pastrimin kimik" për t’i hequr njollat, por  do të thotë "të shkosh tek babai që qan për mua, sepse është atë".

Zoti nuk e mohon atësinë e vet

Fraza e Davidit: "Sikur të kisha vdekur unë në vend tënd, Absalom, biri im” është profetike, pohoi akoma Papa Françesku, e në Zotin " bëhet realitet”:

Është aq e madhe dashuria që Hyji Atë ka për ne sa që vdiq në vendin tonë. Ai u bë njeri dhe vdiq për ne. Kur e vështrojmë të kryqëzuarin, Jezusin në Kryq, t’i kujtojmë këto fjalë: “Sikur të kisha vdekur  unë në vend tënd”. E ta dëgjojmë zërin e atit që në të Birin Jezus na thotë: “Biri im, biri im”.  Zoti nuk i mohon bijtë, Zoti nuk e negocion atësinë e vet.

Në Jezusin, Zoti vdes në vendin tonë

Dashuria e Zotit është shumë e fortë,  dashuria e Zoti është e skajshme. Ai që ndodhet në kryq, tha Papa Françesku në homelinë e Meshës së sotme, është Zot, i Biri i Atit, dërguar për të dhënë jetën e tij për ne.

Do të na bëjë mirë që në momentet e këqija të jetës sonë –  e të gjithë ne kemi - momente mëkatesh, në momentet e largimi nga Zoti, ta dëgjojmë në zemër këtë zë që na thotë: ”Biri im, vajza ime, çfarë po bën? Mos e vrit veten, të lutem. Unë vdiqa për ty.

Jezus, kujtoi Papën, qau duke parë Jeruzalemin. Jezusi qan "sepse ne nuk e lëmë Të na dojë" dhe e përfundoi homelinë me një ftesë: "Në momentin e tundimit, në momentin e mëkatit, kur largohemi prej Zotit, të përpiqemi ta dëgjojmë këtë zë:" Biri im, vajza ime, pse?'.

04 shkurt 2020, 14:12
Lexo gjithçka >