Papa gjatë Meshës së mëngjesit në Shën Martë Papa gjatë Meshës së mëngjesit në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: Zoti na kërkon një zemër të hapur e plot mëshirë

“Ilaçi kundër ngurtësimit të zemrës, është kujtesa”. Françesku, gjatë Meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, na fton të mos e harrojmë hirin e shëlbimit, që e bën zemrën të sinqertë e të aftë për mëshirë.

R. SH. - Vatikan

Kanë tepër pak bukë, dishepujt e ngjitur në barkë me Jezusin e nisin të shqetësohen për sende materiale: “Diskutonin ndërmjet tyre - na kujton Ungjilli i sotëm sipas Markut (Mk 8,14-21) -  sepse nuk kishin bukë” Jezusi, si u kujtua për këtë shqetësim, nisi t’i qortonte: “Pse ankoheni se nuk keni bukë? Nuk  kuptoni akoma? Apo e keni zemrën të ngurtë? Keni sy, e nuk shihni; veshë, e nuk dëgjoni? A nuk ju kujtohet më si i theva pesë bukë për pesëmijë vetë e sa shporta mbushët me copat e mbetura?”.

Ku mungon mëshira, lulëzon idhujtaria dhe ideologjia

Papa  Françesku e mori shtytjen nga kjo skenë e Ungjillit, për ta bërë të kuptueshëm ndryshimin ndërmjet zemrës së ngurtë, si ajo e dishepujve, e zemrës së mëshirshme, si  ajo e Zotit,  zemër, që shpreh vullnetin e Tij:

“E vullneti i Zotit është mëshira: ‘Mëshirë dua, jo flije!’. E një zemër që nuk di ç’është mëshira, është idhujtare, e vetëkënaqur, që shkon përpara  e mbështetur nga egoizmi i vet e bëhet e fortë vetëm përmes ideologjive. Të mendojmë për katër grupet ideologjike të kohës së Krishtit: farizejtë, saduçejtë, esenët e zelotët. Katër grupe, që e kishin bërë zemrën gur, për ta çuar përpara planin, që nuk ishte i Zotit: nuk kishin vend për planin e Zotit, s’kishin kohë për mëshirë!”.

Jezusi është shuplakë për çdo  zemër të ngurtë

Por ka një ilaç edhe për ashpërsinë e zemrës. Eshtë kujtesa. Prandaj në Ungjillin e sotëm e në një mori fragmentesh të Biblës, që i rikujton vazhdimisht Papa, tingëllon si një lloj refreni thirrja për fuqinë shëlbuese të kujtesës, hir që duhet kërkuar - theksoi Françesku - sepse e mban zemrën të hapur e besnike:

“Kur bëhet zemra gur, kur ngurtësohet, nis harresa…harrohet hiri i shëlbimit, harrohet dhurata e falur. Zemra e ngurtë çon në grindje, çon në luftëra, çon në egoizëm, çon në rrënimin e vëllait, sepse nuk di ç’është mëshira, dhembshuria. E mesazhi më i madh i shëlbimit është se Zoti pati mëshirë për ne. Ky është refreni i Ungjillit, kur Jezusi shikon një njeri, një situatë të dhimbshme: 'pati mëshirë’! Vetë Jezusi është mëshira e Atit: Jezusi është shuplakë, që i jepet çdo zemre të ngurtë”.

Të kërkojmë hirin e një zemre të hapur

Të kërkojmë, prandaj, hirin e një zemre të hapur, “të paideologjizuar”, domethënë, të pangurtësuar, por të mëshirshme përballë ngjarjeve të botës sepse - kujtoi Papa - nga kjo do të gjykohemi ditën e gjyqit të fundit, jo nga idetë tona e as nga ideologjitë tona. “Pata uri, e më dhatë të ha; isha në burg, e erdhët e më vizituat i brengosur, e më ngushëlluat”- shkruhet në Ungjill. E kjo - kujtoi Françesku - është mëshirë! Kjo nuk është ngurtësi zemre. E përvujtëria, kujtesa e rrënjëve tona dhe e shëlbimit tonë, na ndihmojnë  ta  kemi gjithnjë zemrën plot mëshirë.

Prej këndej, lutja e fundit e Papës:

“Secili prej nesh e ka diçka të ngurtësuar në zemër. Të kujtojmë, e Zoti na dhashtë një zemër të drejtë e të sinqertë, siç e kërkuam gjatë lutjes, një zemër ku banon Ai vetë. Zoti nuk mund të hyjë në zemra prej guri; në zemrat ideologjike nuk hyn Zoti! Zoti hyn vetëm në zemrat, që janë si zemra e Tij; në zemrat mëshirëmëdha, zemrat e dhembshura, të hapura. Zoti na e dhashtë këtë hir!”.  

18 shkurt 2020, 12:18
Lexo gjithçka >