Vatican News
Papa gjatë homelisë së Meshës kremtuar në Shën Martë Papa gjatë homelisë së Meshës kremtuar në Shën Martë  (� Vatican Media)

Papa: ta kemi gjithnjë në zemër atë, që na shoqëron në udhët e jetës

Gjatë homelisë së Meshës, kremtuar sot në Shën Martë, Papa ftoi për t’i kujtuar çdo ditë ata, që na shoqërojnë në udhët e jetës, që bëhen familjarë e që është mirë t’i falënderojmë ose t’u kërkojmë të falur për fyerjet që mund t’u kemi bërë dashur-padashur.

Për homelinë e Meshës së mëngjesit Papa u frymëzua nga një punonjëse, që largohej, të cilën e kujtoi dhe e falënderoi. Falënderimi bëhej në atmosferën e ngrohtë të Shtëpisë së Shën Martës, të cilën Papa e quajti “familje e madhe”, me shumë njerëz, që e shoqërojnë njëri -tjetrin në udhën e jetës. Që punojnë ditë për ditë këtu, me përkushtim e kujdes. Që e ndihmojnë tjetrin, nëse është i sëmurë e trishtohen fort kur dikush largohet. Fytyra, buzëqeshje, përshëndetje: farë, që hidhen në zemrën e secilit.  

Egoizmi është mëkat

Në vijim Papa foli kryesisht për jetën e përditshme në Shtëpinë e Shën Martës. U ndalua posaçërisht tek familja, që nuk përbëhet vetëm nga nëna, babai, vëllezërit, xhaxhallarët, gjyshat, por tek familja e madhe, tek të gjithë ata, që na shoqërojnë për pak kohë në shtegtimin e përditshëm: fqinjët, miqtë, shokët e punës, të studimit…Ne nuk jemi kurrë vetëm. Zoti na do në gjirin e popullit, na do në shoqëri; nuk na do egoistë: egoizmi është mëkat.

Në reflektimin e tij, Françesku kujtoi mirësinë  e shumë shoqeve të punës, që kujdesen gjithnjë për kë ka nevojë, për kë është i sëmurë. Pas çdo emri, fshihet një njeri, zbulohet një histori, një prani e shkurtër, por që ka lënë shenja të pashlyeshme. “Mendoj për Luizën, për Kristinën” - kujtoi Papa - gjyshen e shtëpisë, për motër Marianën, që nisi të punonte këtu që e re e pastaj vendosi t’ia kushtonte jetën Zotit. E duke folur për familjen e  tij “të madhe” Papa i kujtoi edhe ata, që nuk janë më në Shtëpinë e Shën Martës. Kujtoi Miriamin, që shkoi bashkë me fëmijën e saj; Elvirën, shembull i njeriut që lufton për jetën, deri në fund të fundit. E pastaj të tjerë akoma, që dolën në pension ose shkuan të punojnë gjetiu. Njerëz, që  bënë vetëm mirë e që, prandaj të vjen shumë keq kur nisen e shkojnë.

Sot na bën mirë të gjithëve  të mendojmë për ata, që na shoqëruan në udhët tona të jetës. Të mendojmë me mirënjohje. E t’i falemi nderës edhe Zotit. Faleminderit, o Zot, që nuk na lë kurrë vetëm! Është e vërtetë se jeta është plot me probleme. Ashtu si është e vërtetë se ku ka njerëz, ka edhe thashetheme. Edhe këtu brenda. Lutemi e marrim nëpër gojë: të dyja. Madje nganjëherë mëkatojmë, duke mos e jetuar me fund dashurinë e krishterë.

Një hir i madh

Mëkaton, e humbet durimin, por pastaj kërkon falje. Kështu bëhet në familje! Dëshiroj, prandaj t’i falënderojmë të gjithë ata, që na shoqërojnë, për durimin e tyre - nënvizoi Papa - e t’u kërkojmë falje për mungesat tona:

“Sot është ditë për të falënderuar e për t’i kërkuar falje nga zemra secilit prej nesh, njerëzve që na shoqërojnë në jetë për një copë udhe a për gjithë jetën… E dëshiroj të përfitoj, me rastin e largimit të Patricies, për t’i falënderuar e për t’u kërkuar ndjesë të gjithë njerëzve, që na shoqërojnë. Secili prej nesh ta bëjë këtë me ata, që e shoqërojnë. E edhe me ata, që punojnë këtu, në këtë shtëpi. Një falënderim të madh, të madh. E ju, Patricia, që po nisni këtë pjesë të dytë të jetës, ju uroj edhe 40 vjet të tjera!”.

14 shkurt 2020, 11:49
Lexo gjithçka >