Kërko

Papa Françesku, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës  (Vatican Media)

Papa: kush shërben është më i madhi në Kishë, jo kush ka tituj më shumë

Ankthi për të qenë më i rëndësishmi dhe për të pasur më shumë para. Në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku kritikoi pasionet e kota, zilinë dhe thashethemet. Mendësia e kësaj bote, tha ai, është armike e Zotit, sepse Hyji na nxit të jemi të përvuajtur.

R.SH. - Vatikan

         Nuk mund të jetohet Ungjilli, duke bërë kompromise, përndryshe ndjekim mendësinë e botës, që është “armike e Zotit”. Hyji parapëlqen udhën e shërbimit. Në homelinë e meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku komentoi Ungjillin e sotëm sipas Markut (9,30-37), ku Jezu Krishti u thotë të Dymbëdhjetëve se po të dëshirojnë të jenë të parët, duhet të jenë të fundit e t’u shërbejnë të gjithëve. Jezusi e dinte se gjatë rrugës dishepujt kishin debatuar mes tyre se kush ishte më i madhi. Kjo grindje, nënvizoi Papa, tregon ambicien për t’u ngjitur më lart, për të shkuar pas mendësisë së botës, por, siç kujton edhe shën Jakobi apostull në Leximin e parë të liturgjisë së sotme, dashuria për mendësinë e kësaj bote është armike me Zotin.

         “Ky ankth i botës, ky ankth për të qenë më të rëndësishëm se të tjerët, duke thënë: ‘Jo! Unë e meritoj këtë, ky tjetri nuk e meriton’. Kjo është mendësia e botës, ky është shpirti i saj e kushdo, që e bën të vetin këtë shpirt, tërheq armiqësinë e Zotit. Në një pasazh tjetër, Jezusi u thotë dishepujve: ‘O jeni me mua, o kundër meje’. Nuk ka kompromise në Ungjill. E kur dikush dëshiron ta jetojë Ungjillin, duke bërë kompromise, në fund të fundit, shkon pas shpirtit të kësaj bote, i cili përpiqet gjithmonë të bëjë kompromise për t’u ngjitur më lart, për të mbizotëruar, për të qenë më i madh”.

Zilia është tenjë, që e bren shpirtin

         Shumë luftra e grindje shkaktohen pikërisht nga dëshirat e kësaj bote, nga pasionet e tepruara, theksoi Papa, duke iu referuar fjalëve të Shën Jakobit apostull. Vërtet, “sot e gjithë bota është e mbjellë me luftë. Po lufta në gjirin tonë? Njëlloj si ajo ndërmjet apostujve: kush është më i rëndësishmi?”, pyeti Françesku:

         “‘Pa shikoni pak karrierën, që kam bërë: tani, s’mund të kthehem më mbrapsht!’ Ky është shpirti i botës e nuk është aspak i krishterë. ‘Jo! Tani e kam radhën unë! Duhet të fitoj më shumë, që të kem më shumë para dhe më shumë pushtet’. Ky është shpirti i botës. E pastaj, ligësia e fjalëve: thashethemet. Nga rrjedhin? Nga zilia. Ziliqari më i madh është djalli, e dimë: kështu na thotë Bibla. Për shkak të zilisë së djallit, e keqja hyri në botë. Zilia është tenja, që të shtyn ta shkatërrosh, ta përflasësh, ta luftosh tjetrin”.

Në Kishë, është i madh ai, që bëhet shërbëtor

         Në dialogun me dishepujt dukeshin qartë të gjitha këto pasione të kota, prandaj Jezusi i qorton dhe i nxit të bëhen shërbëtorë për të gjithë, të synojnë vendin e fundit:

         “Kush është më e rëndësishëm në Kishë? Papa, ipeshkvijtë, monsinjorët, kardinajtë, meshtarët e famullive më të bukura, kryetarët e shoqatave laike? Jo! Më i madhi në Kishë është ai, që bëhet shërbëtor për të gjithë, ai që u shërben të gjithëve, jo kush ka më shumë tituj. E Krishti, për ta sqaruar këtë, mori një fëmijë, e vendosi në mesin e dishepujve dhe, duke e përqafuar me butësi - sepse Jezusi fliste me butësi, ishte shumë i butë - u tha atyre: ‘Kush e mirëpret këtë fëmijë, më mirëpret mua’, domethënë, kush mirëpret më të voglin, më të përvuajturin, më shërbëtorin. Kjo është udha. Rruga kundër shpirtit të botës është një e vetme: përvujtëria. T’u shërbesh të tjerëve, të zgjedhësh vendin e fundit, të mos ngjitesh pa fre”.

25 shkurt 2020, 14:20
Lexo gjithçka >