Kërko

Papa Françesku, në meshën e sotme, në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku, në meshën e sotme, në Shtëpinë e Shën Martës  (Vatican Media)

Papa: rrëshqitja e ngadaltë në mëkat na bën ta humbim Zotin

Rreziku më i madh për njeriun është ai i rrëshqitjes së ngadaltë në mëkat, pothuajse pa e kuptuar ç’ndodh, duke arritur deri në humbjen e lidhjes me Zotin. Kështu tha Papa Françesku në homelinë e meshës së sotme në Shtëpinë e Shën Martës.

R.SH. - Vatikan

Rrëshqitja e ngadaltë në mëkat, duke i relativizuar gjërat dhe duke hyrë në “negociata” me zotin e parasë, të kotësisë dhe të krenisë. Sot në mëngjes, në homelinë e meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, Papa Françesku i paralajmëroi besimtarët për atë, që e quajti “rënie me anestezi” në mëkat. Leximi i parë i Liturgjisë së sotme (1 Mbr 11,4-13), marrë nga Libri i parë i Mbretërve, shpjegoi Ati i Shenjtë, “na tregon - të themi - apostazinë e Salomonit”, i cili nuk i qëndroi besnik Zotit. Në fakt, kur u plak, gratë e tij e bënë “ta devijonte zemrën” për të ndjekur perëndi të tjera. Fillimisht, ishte “djali i mbarë”, që i kërkoi Zotit vetëm urtinë e, Hyji e bëri aq të urtë e të mençur, sa tek ai shkonin gjykatësit për këshillë e, edhe mbretëresha e Sabës, nga Afrika, e cila i solli shumë dhurata, pikërisht sepse kishte dëgjuar për mençurinë e tij. “Shihet se kjo grua ishte pak filozofe dhe i bëri pyetje të vështira”, tha Papa, duke nënvizuar se “Salomoni doli fitimtar” nga biseda me mbretëreshën.

Apostasia e ngadaltë

         Salomoni nuk ra menjëherë në mëkat, por dalëngadalë, pak nga pak, duke dëgjuar gratë e tij të huaja, të cilat adhuronin perëndi të tjera. Apostasia e tij erdhi nga pak çdo ditë e kështu, arriti t’i hedhë poshtë dhuratat, që i pati bërë Zoti. Është fjala për “rrëshqitjen” e ngadaltë në mëkat, nënvizoi Ati i Shenjtë:

         “Gratë ia devijuan zemrën e Zoti e qortoi: ‘Ti e ke ndryshuar zemrën’. Kështu ndodh, edhe në jetën tonë. Askush nga ne nuk është kriminel, askush prej nesh nuk bën mëkate tejet të rënda… Por ku është rreziku? Ta lësh veten të rrëshqasësh ngadalë në mëkat, sepse është rënie me anestezi, ti nuk e kupton, por ngadalë rrëshqet, gjërat relativizohen e, kështu, humbet besnikëria ndaj Zotit. Këto gra ishin nga popuj të tjerë, kishin perëndi të tjera. E sa herë, edhe ne e harrojmë Zotin e hyjmë në bisedime me perënditë e tjera: me paranë, me kotësinë, me kreninë. Por kjo bëhet dalëngadalë e, atëherë, nëse nuk kemi Hirin e Tënzot, humbasim gjithçka”.

Kujdes nga mendësia e kësaj bote

         Pastaj, Papa iu referua Psalmit 105(106), për të nënvizuar se kur përzihesh me njerëzit, pa e njohur mirë identitetit tënd, ka rrezik të veprosh si ata, pra, t’i nënshtrohesh mendësisë së kësaj bote, mendësisë pagane:

“Kjo rrëshqitje e ngadaltë në jetë na çon drejt mendësisë së kësaj bote e ky është mëkat i rëndë: ‘Të gjithë bëjnë kështu, nuk ka problem, vërtet nuk është më idealja, por…’. Këto fjalë na justifikojnë, por duhet të paguajmë çmimin e humbjes së besnikërisë ndaj të vetmit Zot. Janë idhuj modernë. Le të mendojmë për këtë mëkatin e mendësisë së botës… Kur humbasim Ungjillin e mirëfilltë, Fjalën e vërtetë të Hyjit, dashurinë e këtij Zoti, që dha jetën për ne. Nuk mund të ndihemi mirë si me Zotin, ashtu edhe me djallin. E themi të gjithë kur flasim për një person, që është pak kështu: ‘Ky i shërben si Zotit, ashtu edhe djallit’. E ka humbur besnikërinë”.

Dashuria e Zotit do të na ndalë

Praktikisht, vazhdoi Papa Françesku, kjo do të thotë të mos i qëndrosh besnik “as Zotit, as djallit”. Si përfundim, Ati i Shenjtë kërkoi t’i lutemi Hyjit të na ndalë, kur e kuptojmë se zemra fillon të rrëshqasë:

“Le të mendojmë për mëkatin e Salomonit, le të mendojmë si rrëshqiti ai Salomon i urtë, i bekuar nga Zoti, me gjithë trashëgiminë e të atit, mbretit David, si ra ngadalë,  krejt i anestetizuar, drejt idhujtarisë, drejt mendësisë së kësaj bote e, kështu, humbi mbretërinë. T’i lutemi Zotit që ta kuptojmë kur fillon e na dobësohet e na rrëshqet zemra, që të ndalemi. Pikërisht Hiri i Tënzot dhe dashuria e Tij do të na ndalin, nëse i lutemi për këtë”.

13 shkurt 2020, 12:11
Lexo gjithçka >