Papa Françesku, gjatë meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku, gjatë meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës 

Françesku: të jesh i krishterë do të thotë ta pranosh udhën e Krishtit, deri në kryq

I krishteri e pranon udhën e përshkuar nga Jezusi për të na shpëtuar, domethënë rrugën e përvujtërisë. Kështu pohoi Papa Françesku, gjatë meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Të kërkojmë hirin e koherencës së krishterë, që të mos e përdorim krishterimin për “karrierë”.

R.SH. - Vatikan

“Kush thonë njerëzit se jam unë?”, “Ju ç’thoni?”. Këto janë pyetjet e Ungjillit të liturgjisë së sotme, nga të cilat u nis Papa Françesku në homelinë e meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Ungjilli, reflektoi Ati i Shenjtë, na paraqet etapat e përshkuara edhe nga apostujt, për të na mësuar kush është Jezusi. Ato janë tri: ta njohim, ta rrëfejmë, ta pranojmë udhën, që Zoti ka zgjedhur për Krishtin.

Ta dëshmojmë Jezusin, falë Shpirtit Shenjt

         Njohja me Jezusin është hapi i parë që bëjmë, kur marrim në dorë Ungjillin, kur i çojmë fëmijët në katekizëm apo në meshë, nënvizoi Papa. Më pas, hapi i dytë është të rrëfejmë për Jezusin, ta dëshmojmë atë me fjalë e vepra.

“E këtë nuk mund ta bëjmë të vetëm. Në Ungjillin sipas Mateut, Jezusi i thotë Pjetrit: ‘Kjo nuk vjen nga ti. Ta zbuloi Ati Qiellor’. Ne mund të rrëfejmë e ta dëshmojmë Jezusin vetëm me forcën e Zotit, me forcën e Shpirtit Shenjt. Askush s’mund të thotë që Jezusi është Zot dhe ta dëshmojë atë pa Shpirtin Shenjt, thotë shën Pali apostull. Pra, bashkësia e krishterë duhet ta kërkojë gjithmonë forcën e Shpirtit Shenjt për ta dëshmuar Jezusin, për të thënë se Ai është Hyji, Ai është Biri i Zotit”.

Ta pranojmë udhën e Krishtit, deri në kryq

         Por cili është qëllimi i jetës së Jezusit, pse erdhi mbi këtë tokë? Përgjigja e kësaj pyetjeje përbën hapin e tretë në rrugën për ta njohur atë. E Papa kujtoi se si vetë Jezusi filloi t’u tregonte apostujve se do të vuante, do të vritej e pastaj, do të ringjallej:

“Të rrëfesh për Jezusin do të thotë të rrëfesh vdekjen e ringjalljen e Tij; nuk është rrëfim e aq: ‘Ti je Zoti’ e pastaj, ndalemi aty. Jo: ‘Ti erdhe për ne dhe vdiqe për mua. U ngjalle. Na jep jetë, na premtove Shpirtin Shenjt për të na udhëhequr’. Ta dëshmosh Jezusin do të thotë ta pranosh udhën, që Ati Qiellor zgjodhi për të: përvujtërinë. Shën Pali, kur u shkruan filipianëve, thotë: ‘Zoti dërgoi Birin e tij, i cili e mohoi vetveten, u bë shërbëtor, e përuli veten deri në vdekje, në vdekjen mbi kryq’. Nëse nuk e pranojmë rrugën e Jezusit, rrugën e përvuajtjes, që zgjodhi Ai për shëlbimin, jo ​​vetëm nuk jemi të krishterë, por do të meritonim fjalët, që Jezusi i tha Pjetrit: ‘M’u hiq sysh, he djall!’”.

Kush nuk ndjek rrugën e përvujtërisë, nuk është i krishterë

Papa Françesku theksoi se djalli e di shumë mirë që Jezusi është Biri i Zotit, por Krishti e refuzon këtë “rrëfim” të tij, njëlloj siç e largon Pjetrin, kur ai e kundërshton udhën e zgjedhur nga Jezusi. “Të dëshmosh Jezusin – pohoi më tej Ati i Shenjtë – do të thotë ta pranosh rrugën e përuljes dhe përvujtërisë. E kur Kisha nuk ecën në këtë rrugë, gabon, bëhet e kësaj bote”. Krishterimi, përfundoi Papa, nuk është udhë për të bërë karrierë e për t’u ngjitur në shkallët e shoqërisë.

“E kur ne shohim shumë të krishterë të mirë, me vullnet të mirë, por që e ngatërrojnë fenë me konceptin shoqëror të mirësisë, të miqësisë; kur shohim shumë klerikë, që thonë se e ndjekin Jezusin, por duan nderime, luks, udhët e kësaj bote, nuk po kërkojnë Jezusin: kërkojnë veten e tyre. Nuk janë të krishterë; thonë se janë të tillë, por vetëm me emër, sepse nuk e pranojnë rrugën e Jezusit, udhën e përvujtërisë. E kur lexojmë në historinë e Kishës për shumë ipeshkvij, që kanë jetuar kështu e, për shumë papë të kësaj bote, të cilët nuk e kanë njohur udhën e përvujtërisë dhe nuk e kanë pranuar atë, duhet të mësojmë se rruga e tyre nuk duhet ndjekur”.

20 shkurt 2020, 12:36
Lexo gjithçka >