Kërko

 Papa Françesku  kremton Meshën në kapelën e shtëpisë së Shën Martës Papa Françesku kremton Meshën në kapelën e shtëpisë së Shën Martës  (Vatican Media)

Papa Françesku: thelbësore në jetë është marrëdhënia me Zotin

Sëmundjet e shpirtit duhen shëruar dhe mjekimi është t’i kërkosh falje Zotit për mëkatet. Papa Françesku u shpreh kështu në homelinë e Meshës, kremtuar në kapelën e shtëpisë së Shën Martës, duke komentuar Ungjillin e ditës nga shën Marku, që tregon për shërimin e paralizës të një të sëmuri kryer nga Jezusi. Është e drejtë, tha Ati i Shenjtë, t’i trajtosh sëmundjet e trupit, por "a mendojmë për shëndetin e zemrës"? Ne e harrojmë këtë, dhe nuk shkojmë te Mjeku, që është Jezusi, i cili mund të na shërojë.

R.SH. - Vatikan

Fragmenti i Ungjillit të sotëm, në liturgjinë e Fjalës së Zotit, marrë nga Marku (2,1-12), na paraqet episodin e shërimit të kryer nga Jezusi të një të paralizuari. Jezusi gjendet në Kafarnaum dhe aty shumë njerëz u mblodhën rreth tij, sa që s’kishte më vend as para dere. Përmes një vrime, hapur në pullazin e shtëpisë, disa njerëz e lëshuan tek Jezusi vigun në të cilin ishte i sëmuri.

Shpresa është që Jezusi do ta shërojë të sëmurin e pikuar, por Ai do t'i befasojë të gjithë duke i thënë: "Biro, të janë falur mëkatet!". Vetëm atëherë e urdhëroi të ngrihet në këmbë, ta marrë vigun e të shkojë në shtëpi. Papa Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit komentoi duke thënë se me fjalët e tij, Jezusi na mundëson të shkojmë tek thelbësorja: “Ai është njeri i Zotit", pohoi, shëronte, por nuk ishte shërues, mësonte por ishte më shumë se një mësues dhe përpara skenës që i paraqitej, Jezusi shkon drejtë e në thelbin e çështjes:

E shikon të paralizuarin dhe i thotë: "Të janë falur mëkatet!". Shërimi fizik është një dhuratë, shëndeti fizik është një dhuratë që duhet ta ruajmë, për çka duhet të kujdesemi. Por Zoti na mëson se edhe shëndetin e zemrës, shëndetin shpirtëror, duhet ta ruajmë.

Frika për të shkuar atje ku takohesh me Zotin.

Dhe Jezusi shkon te çështja thelbësore edhe me gruan mëkatare, për të cilën flet Ungjilli, kur para vajit të saj thotë: "Të janë falur mëkatet!”. Të tjerët skandalizohen, tha Papa, "kur Jezusi shkon në thelb, skandalizohen, sepse aty është profecia, aty është forca". Të njëjtat fjalë Jezusi ia thotë njeriut në pishinë, i cili nuk mbërrin kurrë në kohë të zbresë në ujë që të mund të shërohet. Gruas samaritane që i bën shumë pyetje, - "ajo e luante pak rolin e teologes”, tha Papa – Jezusi në bisedë e pyet për burrin e saj. Shkon drejtë e në thelbin e jetës dhe, pohoi Papa, "thelbësore është marrëdhënia me Zotin. E ne harrojmë këte, shpesh herë, sikur të kishim frikë të shkonim atje ku është vend takimi me Jezusin, me Zotin". Ne bëjmë shumë, madje bëjmë çmosin, tha Papa, për shëndetin tonë fizik, ndjekim këshillat për mjekë e ilaçe, dhe kjo është një gjë e mirë, "por a mendojmë edhe për shëndetin e zemrës?".

Këtu, kemi një fjalë të Jezusit që ndoshta do të na ndihmojë " Biro, të janë falur mëkatet!". A kemi menduar për ilaçin e faljes së mëkateve tona? Të pyesim: “Unë a duhet t’i kërkoj falje Zotit për diçka?". "Po, po, në përgjithësi po, të gjithë jemi mëkatarë", por më pas dalëngadalë e humbasim vetëdijen dhe çështja zbehet, e humbet forcën, forcën e profecisë që Jezu Krishti e ka, kur shkon në thelbin e çështjeve. E sot Jezusi, i thotë çdonjërit prej nesh: "Dua t'i fal mëkatet", "Biro, të janë falur mekatet!".

Falja është ilaç për shëndetin e zemrës

Papa vazhdoi homelinë duke thënë  se ndoshta dikush nuk gjen në vetvete mëkate për t’i rrëfyer, sepse "mungon vetëdija e mëkateve". Duhet te jemi të ndërgjegjshëm për "mëkatet konkrete", për "sëmundjet e shpirtit" që të mund t’i shërojmë me "ilaçin e faljes që na ofron Jezu Krishti”.

Është një gjë e thjeshtë, që Jezusi të na mësojë kur shkon tek thelbësorja. I nevojshëm e thelbësor është shëndeti, në tërësi: shëndeti i trupit dhe i shpirtit. Ta ruajmë mirë shëndetin e trupit, por edhe atë të shpirtit. Shkojmë tek Mjeku që mund të na shërojë, që mund të na i falë mëkatet. Jezusi ka ardhur për këtë, Ai e dha jetën për këtë.

17 janar 2020, 13:25
Lexo gjithçka >