Kërko

Papa Françesku kremton Meshën në kapelën e Shën Martës në Vatikan Papa Françesku kremton Meshën në kapelën e Shën Martës në Vatikan 

Papa në Shën Martë: jo shpirtit të botës, na çon në korrupsion

Papa Françesku rifilloi me kremtimin e Meshëve të mëngjesit në kapelën e shtëpisë së Shën Martës në Vatikan, dhe kujtoi, me Ungjillin e Shën Gjoni apostull, se Shpirti Shenjt "është garanci se Zoti mbetet në ne", e bëri thirrje të mos i besojmë shpirtit të botës, që na bën të pavetëdijshëm, deri në atë pikë sa mos e të dallojmë të mirën nga e keqja".

R.SH. - Vatikan

Jeta e krishterë është të mbetesh a të qëndrosh në Hyjin, duke ndjekur Shpirtin Shenjt Zot dhe jo shpirtin e botës, që çon në korrupsion, që të bën të mos e dallosh të mirën nga e keqja. Papa Françesku rifilloi sot me kremtimin e Meshëve në mëngjes, me pjesëmarrje të grupeve të vogla, në kapelën e shtëpisë së Shën Martës, dhe në homelinë komentoi, kështu, fragmentin nga Letra Parë e Shën Gjonit apostull (1 Gjn 3,22 - 4,6), që është Leximi I i liturgjisë së ditës, në të cilin ungjilltari ndalet tek thirrja e Jezusit drejtuar dishepujve të tij të: "Besojnë në Hyjin".

Për shumë të krishterë sot Shpirti Shenjt është vetëm një pëllumb

Njeriu mund "të jetë në qytetet më mëkatare, në shoqëritë më ateiste, por nëse zemra e tij mbetet në Zotin", theksoi Papa, ky burrë e kjo grua e ka në vetvete shpëtimin. Këtu Ati i Shenjtë Bergoglio përmendi episodin që tregojnë Veprat e Apostujve, kur apostujt mbërrijnë në një qytet dhe takohen me të krishterët e pagëzuar nga Gjoni. E i pyesin: "A keni marr Shpirtin Shenjt?", por këta as që e dinin që ekzistonte ndopak. Sa të krishterë, komentoi Papa Françesku, edhe sot e identifikojnë Shpirtin Shenjt vetëm me pëllumbin e nuk dinë se "është Ai që të bën të qëndrosh në Zotin, është Ai garancia, forca për të qëndruar në Hyjin e Hyji në ty".

Shpirti i botës të bën të pavetëdijshëm

Papa në homelinë e Meshës së mëngjesit foli pastaj për shpirtin e botës, i cili është në kundërshtim me Shpirtin Shenjt Hyj. "Jezusi, në Darkën e Mbrame me Apostujt – kujtoi Papa - nuk i kërkon Atit t’i heq dishepujt prej botës", sepse jeta e krishterë është dhe zhvillohet në botë", "por t'i mbrojë nga shpirti i botës, që është e kundërta nga Shpirti i Hyjit". E është, vuri në dukje Papa, "edhe më keq se të bësh mëkat. Është një atmosferë që të bën të pavetëdijshëm, të shpie deri në atë pikë sa nuk di më të dallosh të mirën prej së keqes".

Shpirti  Shenjt: garanci për të qëndruar në Zotin

Përkundrazi, për të mbetur në Zotin, këtë dhuratë "duhet t’ia kërkojmë pikërisht "Shpirtit Shenjt, që është garancia. Nga Ai "e dimë se mbesim në Hyjin e Hyji mbetet në ne". Po si mund ta dimë, pyeti Papa Françesku, nëse e kemi Shpirtin e Shenjt apo shpirtin e botës? Shën Pali në Letrën drejtuar Efezianëve  (4:25-30), shpjegoi Ati i Shenjtë Bergoglio, na këshillon: "Mos e trishtoni Shpirtin Shenjt të Hyjit. Kur shkojmë drejt shpirtit të botës ne e trishtojmë Shpirtin Shenjt dhe e injorojmë, e lëmë mënjanë e kështu jeta jonë shkon nëpër një rrugë tjetër”.

Të krishterët që kremtojnë vitin e ri duke harxhuar kot para

Shpirti i botës, shtoi Papa, është të harrosh, sepse "mëkati nuk të largon nga Zoti, nëse ti e vëren atë dhe kërkon falje, por shpirti i botës të bën të harrosh se çka është mëkati", duke të bindur se mund të bësh çdo gjë. E Papa tregoi se si këtyre ditëve një prift i tregoi një video me të krishterë që festonin vitin e ri në një qytet turistik, në një vend të krishterë.

Kremtonin ditën a parë të vitit me një mondanitet të tmerrshëm, duke harxhuar kot para dhe shumë gjëra tjera. Shpirti i botës. "Kjo a është mëkat?" - “Jo i dashur: është korrupsion, ësahtë më keq se mëkati." Shpirti Shenjt të çon drejt Hyjit e nëse ti mëkaton, Shpirtin Shenj të mbron dhe të ndihmon të ngrihesh përsëri në këmbë prej mëkatit, por mos të harrojmë se shpirti i botës të çon në korrupsion, të çon  deri në atë pikë sa që nuk e di se çfarë është e mirë dhe e keqe: gjithçka e çdo gjë është njësoj.

Vëni në provë shpirtrat, për të provuar nëse vijnë prej Zotit

Papa Françesku  kujtoi mëtej në homeli një këngë argjentinase që thotë: "Shko, ec, shko... çdo gjë është e njëjtë ,atje në fund të furrës do të takohemi". Shpirti i botës, komentoi Papa, të bën të pavetëdijshëm sa "të mos e dallosh mëkatin". E si mund ta di këtë, pyeti akoma Papa, nëse "jam në rrugën e mondanitetit, të shpirtit të botës, apo ndjek Shpirtin e Zotit?”

Gjoni apostull na jep këshillon: "Të dashurit e mi, mos i besoni çdo shpirti (do të thotë çdo ndjenje, a çdo frymëzimi, a çdo ideje), por vini në provë shpirtrat për t’i vërtetuar a janë të Hyjit (apo të botës)".  Po çfarë është kjo provë e Shpirtit? Është thjesht kjo: kur ti ndjen diçka, kur ke dëshirë të bësh diçka apo të vjen një ide, një gjykim i diçkaje, pyete veten: kjo që unë ndjej a është nga shpirti i Zotit apo nga shpirti i botës?

Ajo që ndjej vjen nga shpirti i botës apo nga Zoti?

Po si bëhet kjo? Këshilla e Papës Françesku është të pyesim veten "një herë, dy herë në ditë, ose kur ndjen diçka që të vjen në mendje": Kjo gjë që ndjej, që dua ta bëj, nga vjen? "Nga shpirti i botës apo nga Shpirti i Zotit? Kjo a do të më bëjë mirë apo të ndjek rrugën e mondanitetit që është papërgjegjshmëri?".

Shumë të krishterë nuk e dinë se çka u ndodh në zemrat e tyre

Shumë të krishterë, u ankua Papa "jetojnë pa e ditur se çfarë ndodh në zemrat e tyre". Ja pse Shën Pali e Shën Gjoni thonë: "Mos i besoni çdo shpirti", mos i besoni asaj që dëgjoni, por vëreni në provë, shqyrtojeni. E kështu, "do të dimë se çfarë ndodh në zemrën tonë". "Sepse, përfundoi Papa Françesku homelinë e Meshës së mëngjesit: "Shumë të krishterë e kanë zemrën si të ishte rrugë dhe nuk e dinë se kush shkon e kush kthehet, shkojnë e vijnë, sepse nuk dinë të shqyrtojnë atë çfarë po ndodh brenda".

Për këtë arsye rekomandoj që, çdo ditë, të merrni pak kohë, para se të shkoni në shtrat ose në mesditë – kur të doni ju - [dhe pyesni veten]: çfarë ka kaluar në zemrën time sot? Çfarë doja të bëja, të mendoja? Cili është shpirti që lëviz në zemrën time? Shpirti i Zotit, dhuratë e Zotit, Shpirti Shenjt që gjithmonë më çon përpara drejt takimit me Zotin apo shpirti i botës që më largon nga Zoti ëmbëlsisht, ngadalë; është një rrëshqitje e ngadaltë, e butë, një largim i ngadaltë nga Zoti.

Zemra të mos jetë rrugë, por pikë takimi me Zotin

Le t’ia kërkojmë këtë hir Zotit, kjo porosia e fundit e Papës, që "të qëndrojmë në Hyjin dhe ta lusim Shpirtin Shenjt, që të na ndihmojë të mbesim në Zotin dhe të na jep hirin për t’i dalluar e njohur shpirtrat, do të thotë për të ditur se çka lëviz brenda nesh. E  zemra jonë të mos jetë rrugë", por pikë takimi ndërmjet nesh dhe Zotit.

07 janar 2020, 13:35
Lexo gjithçka >