Kërko

Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: jemi të lirë kur i bindemi Zotit

Është besimi në Fjalën e Zotit që fiton mbi idhujtarinë, mendjemadhësinë dhe vetëbesimin e tepërt. Në homelinë e meshës, kremtuar sot në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, Papa Françesku kujtoi se të jesh “i krishterë i mirë” do të thotë të dëgjosh ç’thotë Zoti për drejtësinë, bamirësinë, faljen, mëshirën.

R.SH. - Vatikan

T’i bindemi Fjalës së Zotit, e cila “është gjithmonë e re”. Kjo ishte këshilla e Papës, në meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Duke reflektuar mbi Leximin e parë, nga Libri parë i Samuelit (1Sam 15,16-23), Papa Françesku u ndal në faktin se Zoti e refuzoi Saulin si mbret, duke ia besuar Samuelit njoftimin e kësaj “profecie”.

Hapat e korrupsionit

“Mëkati i Saulit”, shpjegoi Ati i Shenjtë, ishte “mungesa e bindjes” ndaj Fjalës së Zotit, të cilën e kishte interpretuar sipas dëshirës së vet, duke e lënë popullin të plaçkiste amalecitët, që, vërtet ishin mëkatarë, por nuk duheshin trajtuar në këtë mënyrë. Zoti i pati thënë Saulit të mos merrte asgjë nga populli i mundur.

“Kur Samueli shkon ta qortojë, i dërguar nga Zoti, ai i shpjegon: ‘Po tani, kishte shumë buaj, shumë kafshë të majme e të mira dhe ato ia bëra fli Zotit’. Sauli vetë nuk kishte vënë asgjë në xhep, të tjerët po. Madje, me këtë interpretim të Fjalës së Zotit, siç i dukej atij e drejtë, i lejoi të tjerët të mbushnin xhepat me diçka nga plaçkitja. Këto janë hapat e korrupsionit: fillohet me një mosbindje të vogël, me mungesën e butësisë ndaj Fjalës së Zotit e pastaj, vijohet edhe më, edhe më, edhe më shumë”.

Mungesa e bindjes

E Samueli, vijoi komentin Papa Françesku, ia sqaron mirë Saulit se, në të vërtetë, Zoti preferon bindjen, në vend të holokausteve e flive, në vend të “flijimeve, agjërimeve e pendesave”. Mëkati i mosbindjes shfaqet pikërisht në parapëlqimin për “mendimin tim e jo për atë, që më urdhëron Zoti, të cilin, ndoshta, nuk e kuptoj”. Kur nuk i bindemi Zotit, nënvizoi Papa, është njëlloj sikur “të shkojmë tek magjistarja e t’i themi të na lexojë duart, ‘për siguri’”. Pra, e hyjnizojmë vetveten e interpretimin tonë të Fjalës së Zotit.

 “Kur ti ngul këmbë në tënden para vullnetit të Zotit je idhujtar, sepse preferon atë që mendon ti, atë idhull. E Saulit, kjo mosbindje i kushtoi mbretërinë: ‘Meqenëse e hodhe poshtë Fjalën e Zotit, Zoti të refuzoi si mbret’. Kjo duhet të na bëjë të mendojmë pak për bindjen tonë ndaj Hyjit. Shpesh parapëlqejmë interpretimet tona për Ungjillin ose për Fjalën e Zotit, në vend të vetë Ungjillit dhe të Fjalës së Zotit. Për shembull, kur përdorim lojë fjalësh,kur bëjmë moralizëm... Ky nuk është vullneti i Zotit. Vullneti i Hyjit është i qartë, tregohet përmes urdhërimeve në Bibël dhe shihet përmes Shpirtit Shenjt në zemër. Por kur jam i pavëmendshëm dhe e shndërroj Fjalën e Zotit në ideologji, jam idhujtar, nuk bindem. Butësi, bindje duhet”.

Mëshirë e jo flijime

 Duke iu referuar Ungjillit të sotëm sipas Markut, Papa Françesku kujtoi se dishepujt u kritikuan, “sepse nuk agjëronin”. E Jezusi shpjegoi si askush nuk shkon të qepë një stof të ri në një fustan të vjetër, sepse do të grisej më keq. E askush nuk derdh verë të re në kacekë të vjetër, përndryshe ato do të shqyheshin e gjithçka do të humbej: prandaj “verë e re në kacekë të rinj”.

“Risia e Fjalës së Zotit - sepse Fjala e Zotit është gjithmonë risi, gjithmonë na çon përpara - gjithmonë fiton, është më e mirë se gjithçka tjetër. E mund idhujtarinë, e mund mendjemadhësinë, e mund qëndrimin e sigurisë në vetvete, siguri, që nuk bazohet në Fjalën e Zotit, por në ideologjitë, me të cilat e kam rrethuar Fjalën e Zotit. Ka një frazë shumë të bukur të Jezu Krishtit, që e shpjegon mirë këtë dhe vjen prej Zotit, marrë nga Besëlidhja e Vjetër: ‘Mëshirë dua e jo holokauste’”.

Besimi në Zotin

Të jesh “i krishterë i mirë”, përfundoi Papa, do të thotë “t’i bindesh” Fjalës së Zotit, të dëgjosh ç’thotë Hyji për “drejtësinë, bamirësinë, faljen, mëshirën” e të jesh koherent në jetë. Është e vërtetë, vërejti Ati i Shenjtë, që Fjala e Zotit, nganjëherë, “na krijon shqetësime”, por “edhe djalli bën kështu”, ama për të na mashtruar. Prandaj, i krishteri duhet të jetë i lirë e të ketë besim në Zotin.

20 janar 2020, 12:44
Lexo gjithçka >