Papa Françesku, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës  (Vatican Media)

Françesku në Shën Martë: të krishterë të gëzuar, jo pengje të formaliteteve

Mos kini turp ta shprehni gëzimin e takimit me Zotin: ky ishte reflektimi i Papës Françesku në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, sot në mëngjes. Ungjilli, tha ai, do të përhapet vetëm nëse ungjillëzuesit do të jenë plot jetë dhe gëzim. Një gëzim, që vazhdon edhe “në tryezë, me familjen, të gjithë së bashku”.

R.SH. - Vatikan

Ndjenja e gëzimit se jemi të krishterë ishte në qendër të homelisë së Papës Françesku, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Ati i Shenjtë reflektoi mbi Leximin e parë të liturgjisë së sotme, marrë nga Libri II i Samuelit, ku tregohet për Davidin dhe për gjithë popullin e Izraelit në festë, sepse Arka e Besëlidhjes me Zotin kthehej në Jeruzalem.

Festa e popullit, sepse Zoti është afër

         E kthimi i kësaj Arke, që ishte rrëmbyer, kujtoi Papa, ishte gëzim i madh për njerëzit, të cilët e ndienin Zotin afër dhe festonin. Davidi mbret gëzohet bashkë me popullin, vihet në krye të procesionit, flijon një dem të vogël dhe një dash. Pastaj, këndon e hedh valle bashkë me njerëzit, vërejti Ati i Shenjtë:

         “Është festë: gëzohet populli i Zotit, sepse Hyji është me ta. E Davidi? Hedh valle. Kërcen para popullit, e shpreh gëzimin pa turp; është gëzimi shpirtëror i takimit me Zotin: ‘Hyji u kthye mes nesh e kjo na jep gëzim të madh’. Davidi as që e mendon se është mbret e se mbreti duhet të mbajë distancë me njerëzit… ‘madhëria e Tij’… me distancë… Davidi e do Zotin, është i lumtur për këtë ngjarje, për faktin se mban mbi supe Arkën e Hyjit. E shpreh këtë lumturi, këtë gëzim, duke hedhur valle e duke kënduar si gjithë populli”.

Përbuzja për gëzimin spontan

         Teksti i Samuelit profet vijon me përshkrimin e kthimit të Davidit në shtëpi, ku ndodhej njëra nga gratë e tij, Mikola, e bija e Saulit. Ajo e priti me këmbët e para. Duke parë mbretin të hidhte valle, i kishte ardhur turp dhe e qortoi, duke i thënë: “S’të erdhi turp, që hodhe valle si rrugaç, si një nga populli?” E Papa theksoi:

         “Është përbuzja për fenë e sinqertë, për spontaneitetin e gëzimit të pranisë së Zotit. E Davidi i shpjegon: ‘Kjo ishte arsye për të gëzuar. Gëzimi i pranisë së Zotit, sepse e prumë Arkën në shtëpi!’. Por ajo e përbuz të shoqin. E thotë Bibla se kjo zonjë – quhej Mikola – nuk pati fëmijë, për shkak të kësaj. Hyji e ndëshkoi. Kur i mungon gëzimi të krishterit, ai s’është i frytshëm; kur mungon gëzimi në zemrat tona, nuk jemi të frytshëm”.

Nevojiten ungjillëzues të gëzueshëm

         Papa Françesku vërejti, më pas, se festa nuk shprehet vetëm shpirtërisht, por ndahet me të tjerët. Davidi mbret i shpërndau secilit një bukë, një copë mish e një ëmbëlsirë me rrush të thatë, që çdokush të festonte në shtëpinë e vet. Është e vërtetë që gëzimi nuk është gjithçka, por krishterimi ka nevojë për festën, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke kujtuar Nxitjen Apostolike “Evangelii Nuntiandi”, në të cilën shën Pali VI flet për këtë aspekt dhe i nxit të krishterët të gëzohen për praninë e Zotit. Së fundi, Papa Françesku e përmblodhi kështu mendimin e tij:

         “Kisha nuk do të ecë përpara, Ungjilli nuk do të përhapet me ungjillëzues të mërzitshëm, plot hidhërim. Jo! Do të ecë përpara vetëm me ungjillëzues të gëzueshëm, plot jetë. [Ky wshtw] gëzimi se po dëgjojmë Fjalën e Zotit, gëzimi se jemi të krishterë, gëzimi se po ecim përpara, aftësia për të festuar pa pasur turp e pa qenë si kjo zonja, Mikola, të krishterë formalë, të krishterë pengje të formaliteteve”.

28 janar 2020, 12:50
Lexo gjithçka >