Kërko

Papa, në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës Papa, në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës 

Papa: autoriteti nuk është komandë, por koherencë e dëshmi

Sa keq bëjnë të krishterët “jo koherentë” dhe barinjtë “skizofrenë” të Kishës, që nuk japin dëshmi, duke u larguar kështu nga stili i Zotit, nga “autoriteti” i Tij i vërtetë. U përqendrua në këto tema homelia e Papës në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës.

R.SH. - Vatikan

“Jezusi i mësonte njerëzit si dikush, që ka autoritet”. Ungjilli i shën Markut (Mk 1,21b-28), në liturgjinë e sotme, na tregon për Jezusin, që i mësonte njerëzit në tempull e, ndryshe nga skribët, fliste me “autoritet”. Papa e shtjelloi rreth këtij qëndrimi homelinë e sotme në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Krahasoi mënyrën e Jezu Krishtit për të qenë “me autoritet”, me mënyrën e skribëve, duke nënvizuar se këta të fundit, pavarësisht se ishin njerëz të mësuar, dukej qartë se nuk kishin atë lloj “autoriteti të brendshëm”, që njerëzit shihnin tek Jezusi. Ati i Shenjtë shpjegoi:

         “Cili është autoriteti që ka Jezusi? Është stili i Zotit, ai ‘zotnillëk’ - le të themi kështu - me të cilin Zoti lëvizte, u mësonte të tjerëve, shëronte, dëgjonte. Ky stil fisnik - që vjen nga brenda – na bën të shohim... E çfarë na bën të shohim? Koherencën. Jezusi kishte autoritet, sepse ishte koherent, ashtu si mësonte, ashtu edhe bënte, ashtu jetonte. Kjo koherencë të jep shprehjen e një personi me autoritet: ‘Ky ka autoritet, ky ka autoritet, sepse është koherent’, domethënë jep dëshmi. Kështu tregohet autoriteti: me koherencë dhe dëshmi”.

Skribët, barinj skizofrenë, që thonë, por nuk bëjnë

         Përkundrazi, skribët nuk ishin koherentë dhe Jezusi, theksoi Papa, nga njëra anë i paralajmëron njerëzit, duke u kërkuar të bëjnë si thonë skribët, por jo si bëjnë ata e, nga ana tjetër, i qorton këta gjithmonë, pasi “me qëndrimin e tyre - vërejti Françesku - kishin rënë në një skizofreni baritore: një gjë thoshin e tjetër bënin”. Kjo shihet në disa episode të Ungjillit, të cilat u përmendën nga Papa: nganjëherë Jezusi reagon, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke i kritikuar rreptë, nganjëherë, duke mos u dhënë përgjigje e, në raste të tjera, “duke i cilësuar” me fjalët e duhura:

         “E fjala, që përdor Jezusi për të cilësuar këtë inkoherencë, këtë skizofreni, është ‘hipokrizi’. E, kemi një rruzare të tërë me cilësorë! Le të marrim kapitullin 23 sipas Mateut; shpesh Krishti u thotë ‘jeni hipokritë për këtë, hipokritë për atë, hipokritë...’. Jezusi i përshkruan skribët si ‘hipokritë’. Hipokrizia është mënyra e veprimit të atyre, që kanë përgjegjësi për njerëzit, - në këtë rast përgjegjësi baritore - por nuk janë koherentë, nuk janë zotërinj, nuk kanë autoritet. E populli i Zotit është i butë e i durueshëm; toleron shumë barinj hipokritë, shumë barinj skizofrenë, që thonë dhe nuk bëjnë, s’kanë koherencë”.

Inkoherenca e krishterë është shkandull

Por populli i Zotit, i cili toleron shumë, - shtoi Françesku – di ta dallojë forcën e hirit. Papa e shpjegoi këtë, duke iu referuar Leximit të parë të liturgjisë, në të cilin Elia plak, “kishte humbur gjithë autoritetin, i mbetej vetëm hiri i vajimit e me atë hir” - theksoi Papa – “e bekoi e bëri mrekulli” në Anën, që, tejet e trishtuar, e luste Zotin t’i jepte një fëmijë:

“Populli i Zotit e dallon mirë autoritetin e njeriut nga hiri i vajimit. ‘Po ti shkoke në rrëfim tek ai, që ka bërë këtë e atë…? – ‘Po, për mua ai është Zoti. Pikë. Është Jezusi’. Kjo është urtia e popullit, që toleron shumë, shumë barinj jo koherentë, barinj si skribët, por edhe të krishterët, që shkojnë në meshë çdo të diel e pastaj, jetojnë si paganë. E njerëzit thonë: ‘Ky është shkandull, inkoherencë’. Sa keq bëjnë të krishterët jo koherentë, që nuk japin dëshmi, si edhe barinjtë jo koherentë, skizofrenë, që nuk japin dëshmi!”

Në fund, Papa u lut që të gjithë të pagëzuarit të kenë “autoritet”, “i cili nuk është i njëjtë me komandimin dhe me ngritjen e zërit, por me të qenët koherent, me dëshminë e që këtej, me shndërrimin në shokë të Zotit në udhën e Tij”.

14 janar 2020, 12:00
Lexo gjithçka >