Papa kremton Meshën në Shën Martë Papa kremton Meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: sot ka shumë luftëra, paqja e vërtetë mbjellët në zemër

Nuk mund të "jemi të krishterë" nëse "mbjellim përçarje e luftë" në familje, në lagjen tonë, në vendin e punës: "Zoti na dhashtë Shpirtin Shenjt për të qëndruar në Të dhe na mësoftë të duam, thjesht, pa u bërë luftë të tjerëve". Kjo është lutja që Papa bëri gjatë Meshës së mëngjesit kremtuar sot në kapelën e Shën Martës.

R.SH. - Vatikan

Nuk mund të "jemi të krishterë" nëse jemi "mbjellës të luftës" në familje, në lagjen tonë, në vendin e punës: "Zoti na dhashtë Shpirtin Shenjt për të qëndruar në Të dhe na mësoftë të duam, thjesht, pa u bërë luftë të tjerëve". Kjo lutja që Papa bëri gjatë Meshës së mëngjesit, kremtuar sot në kapelën e Shën Martës. Ati i Shenjtë kujtoi lutjen e fillimit të Liturgjisë, me kërkesën drejtuar Zotit për t'u dhënë "të gjithë njerëzve" një "paqe të sigurt", e pastaj në homeli mendimi i Atit të Shenjtë Bergoglio shkoi aty e atëherë:

Kur flasim për paqen, menjëherë mendojmë për luftëra, që në botë të mos ketë luftë, që të ketë paqe të sigurt, ky imazhi që na vjen gjithmonë në mendje, paqja e jo lufta, por gjithmonë larg e jashtë: në atë vend atje diku larg, në atë situatë atje... Edhe këtyre ditëve që ka pasur kaq shumë zjarre lufte, mendja shkon menjëherë atje, e nuk mund të mos flasim për paqe, nuk mund të mos e lusim Zotin të na jap paqen. E kjo është në rregull; pra, duhet të lutemi për paqen e botës, e duhet ta kemi gjithmonë para nesh këtë dhuratë të Zotit, që është paqja dhe këtë dhuratë të paqes, duhet t’ia kërkojmë Zotit për të gjithë.

Të qëndrojmë në Zotin

Në të njëjtën kohë Papa Françesku na kërkon të pyesim veten "si" shkon paqja "në shtëpi", nëse zemra jonë është "në paqe" apo "në ankth", përherë "në luftë, në tension për të patur diçka më shumë se të tjerët, për të mbizotëruar". "Paqja e popujve" apo e një vendi, shpjegoi Papa "mbjellët në zemër": "nëse nuk kemi paqe në zemër, si mund të mendojmë - pyeti Papa - se do të ketë paqe në botë"? Megjithatë, vëren Ati i Shenjtë, "zakonisht" nuk mendojmë për të. Leximi I i Meshës së sotme nga  Shën Gjoni apostull (1Gv 4,11-18), vuri në pah Papa, "na tregon udhën", rrugëtimin për t’ia arritur " paqes brenda": "për të qëndruar në Zotin".

Aty ku është Zoti, ka paqe. Është Ai që na jep paqen, është Ai që e bën paqen, është Shpirti Shenjt që Ai e dërgon, që e ndërton paqes brenda nesh. Nëse qëndrojmë në Zotin, zemra jonë është e qetë e në paqe, e nëse qëndrojmë në Zotin, kur biem në mëkat apo në gabim, Shpirti Shenjt na bën ta njohim e kuptojmë mëkatin dhe gabimin e të lirohemi prej çdo të keqeje. Prandaj të qëndrojmë në Zotin. Po si mund të qëndrojmë në Zotin? Apostulli thotë: "nëse e duam njëri-tjetrin". Këtu është çështja, ky është sekreti i paqes".

Joshja e djallit

Papa Françesku foli për "dashurinë" e vërtetë", jo – ripohoi – për atë të "telenovelave", që jep "spektakël", por për atë dashuri që të shtyn të flasësh "mirë" për tjerin: përndryshe, tha Papa ," nëse nuk mund të flasësh mirë, është më mirë ta mbyllësh gojën", duke mos e kurse dhe kështu nuk merremi me thashetheme e nuk flasim "gjëra të këqija".

Sepse "kur flet keq dhe merresh me thashetheme për të tjerët, atëherë "fillon" lufta. Ndërsa dashuria, nënvizoi Papa, "shihet në gjëra të vogla". Po të ruhemi, sepse "nëse ka luftë në zemrën time - theksoi Ati i Shenjtë - do të ketë luftë në familjen time, do të ketë luftë në lagjen time, dhe do të ketë luftë në vendin e punës". "Xhelozia", smira, thashethemet, vazhdoi Papa, na çojnë në luftë me njëri-tjetrin, "shkatërrojnë", janë si "baltë", na e fusin djallin në zemër, na bëjnë të flasim keq për njëri-tjetrin e kështu i shkatërrojnë lidhjet ndërmjet nesh.

Papa Françesku bëri thirrje, të mendojmë mirë mbi atë që thuhet kur bisedojmë me tjerët, e të pyesim nëse flasim "me frymën e paqes" apo flasim "me frymën e luftës" dhe t’u shmangemi thashethemeve. Aty ku është Zoti, nuk ka urrejtje, zili e xhelozi e nuk ekzistojnë  thashethemet, që i vrasin me fjalë të tjerët, vëllezërit tanë: kështu u shpreh mes tjerash Papa Françesku, sot gjatë homelisë së Meshës, kremtuar sot në mëngjes, në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan.

Duhet të mendojmë si të jetojmë me Zotin, si të jetojmë si të krishterë të mirë: Që të kemi paqe në një bashkësi, në një familje, në një vend, në të gjithë botën, duhet t’ia fillojmë kështu: të jetojmë me Zotin. E aty ku është Zoti nuk ka zili, nuk ka kriminalitet, nuk ka urrejtje, nuk ka xhelozi. Ka vëllazërim. T’i lutemi për këtë Hyjit: të mos e vrasim kurrë të afërmin me fjalë, të jetojmë me Zotin, ashtu siç do të jemi në Qiell. Ashtu qoftë”.

09 janar 2020, 17:25
Lexo gjithçka >