Kërko

Vatican News
2019.12.19 Messa Santa Marta  2019.12.19 Messa Santa Marta   (Vatican Media)

Papa: Zoti e bën shkretëtirën të lulëzojë, shëlbimi është dhuratë

Mëkati nuk njeh mirënjohje, na mbush mendjen se jemi shpëtimtarët e vetvetes, ndërsa është Zoti ai që na shpëton. Kështu pohoi Papa Françesku në homelinë e Meshës së mëngjesit kremtuar në kapelën e Shën Martës, në Vatikan.

R.SH. - Vatikan

Shkretëtira do të lulëzojë. Në  homelinë e Meshës së mëngjesit, kremtuar në kapelën e shtëpisë së Shën Martës në Vatikan, Papa Françesku përdori këtë imazh, duke iu referuar Isaisë profet, për të kujtuar se Zoti është në gjendje të ndryshojë gjithçka, falas, ndërsa për njeriun lulëzimi duket i pamundur në shkretëtirën e përbërë nga rëra e thatë. Ftesa e Papës është, pra, t’i jemi mirënjohës Zotit për të gjitha hiret e bekimet, e mos të harrojmë se mëkati është dëshirë për të shpaguar vetveten.

Zoti mund të ndryshojë çdo gjë

Reflektimi i Papës filloi nga leximet biblike të Liturgjisë së sotme nga Libri i  Gjyqtarëve (13,2-7.24-25) e Ungjilli Lukës (1,5-25), në pritje të Krishtlindjes "e cila na vë përpara dy shkretëtirave", që janë dy gratë beronjë: Elizabeta dhe nëna e Samsonit. Në Ungjill historia e Elizabetës na kujton gjithashtu edhe historinë e Abrahamit e të Sarës. "Shterpësia është shkretëtirë", nënvizoi Papa, sepse "një grua beronjë përfundon, kështu, pa pasardhës". Megjithatë, të dyja janë "gra të besimit" dhe mbështeten tek Zoti:

E Zoti bën që të lulëzojë shkretëtira. Të dyja gratë mbetën shtatzënë dhe lindën një djalë. "Po, o Atë, kjo a është një mrekulli?" Jo, kjo është më shumë se një mrekulli: kjo është baza, është bash themeli i fesë sonë. Të dyja mbetën shtatzëne sepse Hyji është në gjendje të ndryshojë gjithçka, edhe ligjet e natyrës; është të gjendje t’ia hap udhën Fjalës së vet. E, dhuratat e Zotit janë falas, për çka duhet të jemi mirënjohës. E jeta e këtyre dy grave është shprehje e dhuratës falas që bën  Zoti.

Shën Gjon Pagëzuesi dhe Samsoni simbol mirënjohje ndaj dhuratës së Zotit

Si Gjon Pagëzuesi, ashtu edhe Samsoni janë "dhuratë falas e Zotit", janë simbol, të themi kështu - të mirënjohjes për shpëtimin tonë", pohoi Papa, sepse "askush nuk mund të shpëtojë vetveten". "I vetmi që shpëton është Zoti”, i vetmi që ka mundësi të na shpëtojë nga mjerimi dhe nga brutaliteti ynë, dhe ”nëse nuk mbështetesh në dhuratën e shpëtimit të Zotit, nuk do të shëlbohesh", nënvizoi Ati i Shenjtë. Për këtë duhet të kemi fe, duhet të besojmë në dhuratën e Zotit.

Jemi sterilë, gjithçka është bekim

Pikërisht për të theksuar domethënien e hirit të Tënzot, Papa Françesku kujtoi Shën Augustinin duke na nxitur t’ia hapim zemrën dhuratës që na bën Zotit:

Askush prej nesh nuk e meriton Shpëtimin. Askush! "Mirëpo unë i lutem Zotit, agjëroj......". Po, kjo të bënë mirë, por në qoftë se nuk e pranon dhuratën e Zotit që në fillim të gjithë kësaj, nuk ka mundësi shëlbimi. Ne jemi sterilë. Të gjithë. Sterilë në jetë pa hirin Tënzot, sterilë për të zënë shenjtërinë. Vetëm, dhurata e pranuar Zotit, që është hiri Tij, ndihmon. Prandaj nuk mund të mburremi se jemi të drejt. Shpëtimi, mos të harrojmë, është dhuratë që kemi falas prej Zotit, nuk është meritë. Për t’u shëlbuar na ndihmon vetëm besimi ynë në dhuntinë e Hyjit.  Sepse çdo gjë që kemi është hir e bekim.

Për këtë arsye jemi të thirrur ta adhurojmë Zotin e ta falënderojmë për "kaq shumë hire".

Ta lëvdojmë Zotin për gjithçka që na jep

Të dyja këto gra, pastaj, lindën fëmijë që do të jenë të mëdhenj në histori, vuri në dukje Papa, duke u ndalur në veçanti tek historia e Samsonit i cili, mundës i madh dhe njeri i fortë, pasi e shpëtoi popullin prej filistenjve, "ndoshta duke mos u kujdesur për dhuratën e marrë” prej Zotit, bëri gabim dhe ra në duart e një gruaje që e shiti atë tek filistenjtë. Por pastaj e mori veten. Papa e përmendi historinë e tij pikërisht për të kujtuar se "ne të gjithë jemi mëkatarë dhe mëkati nuk njeh mirënjohje".

Por duhet të pyes, a jam i vetëdijshëm se mëkati nuk është mirënjohës? Dhe kur shkoj të rrëfehem, çfarë bëj? A i them mëkatet si një papagall apo i them sepse ndjej se rrezikova dhuratën e Zotit, për të pasur diçka timen? Të jesh mirënjohës dhe të kujtosh shembullin e Samsonit: i zgjedhur, i mirë, e aty nga fundi i jetës së tij kishte një gabim, pastaj e mori veten dhe shpëtoi. Sigurisht që ne mund të rrëshqasim, mund të mëkatojmë dhe të besojmë se vetvetiu mund edhe të shpëtojmë. Ky është mëkati. Mëkati është vullneti për të shpaguar veten. Në këto ditë para Krishtlindjes ta lëvdojmë Zotin për dhuratën e shpëtimit, për dhuratën e jetës, për gjithçka që Ai na jep falas. Çdo gjë është hir e bekim.

19 dhjetor 2019, 16:42
Lexo gjithçka >