Kërko

Papa Françesku në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: mos zgjidhni ideologjinë në vend të fesë

Ka një mënyrë për të qenë i krishterë “me kusht”, pra, vetëm në kushte të caktuara. Pikërisht këtë lloj krishterimi dënoi sot Papa Françesku në meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Duke folur për ata të krishterë, që gjykojnë gjithçka, por me “vogëlsinë e zemrave të tyre”, kujtoi se Zoti u afrohet me mëshirë të gjitha realiteteve njerëzore, sepse Ai erdhi për të shpëtuar, jo për të dënuar.

R.SH. - Vatikan

Leximi i parë liturgjik i ditës së sotme, marrë nga libri i Jonës profet, vijon historinë e filluar dje, që do të përfundojë nesër, në të cilën përshkruhen marrëdhëniet konfliktuale ndërmjet Zotit dhe vetë Jonës. Papa kujtoi së dje dëgjuam thirrjen e parë të Zotit, që dëshiron ta dërgojë profetin në Ninive, për ta kthyer atë qytet në udhën e drejtë. Por Jona nuk iu bind dhe shkoi diku tjetër, larg Zotit, sepse ajo detyrë ishte shumë e vështirë për të. Pastaj, u nis me anije për në Tarsis, por Zoti i çoi stuhinë e ai përfundoi në barkun e një balene, e cila e nxorri sërish në breg, pas tre ditësh dhe tre netësh. “Jezusi - komentoi Françesku - e përdori figurën e Jonës në barkun e peshkut për tre ditë, si simbol të Ngjalljes së Tij”.

Përballë kthesës, Zoti pendohet

Në leximin e sotëm, thirrja e dytë: Zoti i flet përsëri Jonës dhe kësaj radhe profeti i bindet, shkon në Ninive, njerëzit i besojnë dhe duan të kthehen në udhë të mbarë. Kur e pa këtë, Zoti u pendua për të keqen, me të cilën i kishte kërcënuar dhe nuk u bëri gjë. Jona është kokëfortë, por e bëri mirë punën e vet, nënvizoi Papa. Nesër, do të shohim se Jona zemërohet me Zotin, sepse është shumë i mëshirshëm e nuk e çon deri në fund kërcënimin. E profeti e qorton Zotin:

“‘Ah, o Zot, a nuk doli shi ashtu siç e mendoja unë, kur ende isha në vendin tim? Kjo ishte arsyeja pse mendoja të iki në Tarsis! Sepse e dija mirë se ti je Hyj i butë e i mëshirshëm, zemërgjerë e mëshirëmadh dhe se e fal të keqen. Tash, pra, o Zot, ma merr jetën, po të lutem, sepse për mua më e mirë është vdekja se jeta’. Është më mirë të vdes sesa ta vazhdoj këtë punë si profet me ty, që, në fund të fundit, bën të kundërtën e asaj, për të cilën më dërgove”.

Indinjimi i Jonës për mëshirën e Zotit

E Jona doli nga qyteti, ndërtoi një kasolle dhe priti të shohë çfarë do të bëjë Zoti, duke shpresuar që Hyji do ta shkatërronte qytetin. Atëherë Zoti bëri të rritet pranë tij një urth, për hije. Por shpejt, bën që ai urth të vyshkej e të thahej. Jona zemërohet përsëri. Ti ke mëshirë për një bimë, i thotë Zoti, për të cilën nuk je lodhur aspak e unë nuk duhet të kem mëshirë për një qytet të madh si Ninive?

Dialogu ndërmjet Zotit dhe Jonës është i ashpër, dialog kryeneçësh, vërejti Papa:

“Jona, kokëfortë në bindjet e tij fetare dhe Zoti, kokëfortë në mëshirën e tij: Ai kurrë nuk na lë, troket në portën e zemrës deri në fund, aty rri. Jona, kokëfortë sepse e konceptonte fenë me kushte; Jona është modeli i të krishterëve ‘me kusht’. ‘Jam i krishterë, por për sa kohë që gjërat bëhen kështu si them unë’ – ‘Jo, jo, këto ndryshime nuk janë të krishtera’ – ‘Kjo është herezi’ – ‘Kjo nuk është e drejtë’... Të krishterët që i vënë kushte Zotit, vënë kushte për fenë dhe për veprimin e Hyjit”.

Të krishterët “me kusht” kanë frikë të rriten

Françesku nënvizoi se janë këto kushte, që i bëjnë shumë të krishterë “të mbyllen në idetë e tyre dhe të përfundojnë në ideologji: është udhëtimi i keq nga feja në ideologji”. Këta të krishterë, vijoi Papa, kanë frikë nga jeta, nga sfidat e saj e nga sfidat e Zotit. Janë të krishterë, që preferojnë ideologjinë në vend të fesë e kështu, largohen nga bashkësia, kanë frikë ta lëshojnë veten në duart e Zotit dhe gjykojnë gjithçka, duke u nisur nga vogëlsia e zemrës së tyre, vërejti Papa, duke përfunduar:

“Dy figura të Kishës sot: Kisha e ideologëve, që mbyllen në ideologjitë e tyre, dhe Kisha që tregon Zotin, i cili u afrohet të gjitha realiteteve e nuk i vjen ndot prej tyre. Zotit nuk i vjen ndot, mëkatet tona nuk e neverisin, Ai afrohet ashtu siç afrohej për të përkëdhelur të gërbulurit, të sëmurët. Sepse Ai erdhi për të shëruar, Ai erdhi për të shpëtuar, jo për të dënuar”.

08 tetor 2019, 13:23
Lexo gjithçka >