Papa Françesku, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: kur Fjala e Zotit arrin në zemër, është festë

Takimi me Fjalën e Zotit na mbush me gëzim dhe kjo është forca jonë. Kështu tha Papa Françesku në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në homelinë e së cilës theksoi se festa e së dielës nuk kuptohet pa Fjalën e Zotit.

R.SH. - Vatikan

T’ia hapim zemrën takimit me Fjalën e Zotit, sepse kjo na jep gëzim. Kjo është thirrja e Papës Françesku, sot në mëngjes, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Fjala e Hyjit, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke komentuar leximin e sotëm nga Libri i Nehemisë, nuk duhet të hyjë nga një vesh e të dalë nga tjetri.

Populli kishte uri për Fjalën e Zotit

         Kuadri i leximit liturgjik është rindërtimi i tempullit dhe kthimi nga mërgimi. Nehemia, që ishte guvernator, flet me Esdrën meshtar për të “fronëzuar” Fjalën e Zotit, pra për ta ngritur atë lart mbi fron para Popullit të Zotit. Kur populli i mbledhur në shesh e pa Shkrimin Shenjt, u ngrit në këmbë, sepse, theksoi Papa, “kishte uri për Fjalën e Hyjit”.

         “Nehemia, që ishte guvernator, Esdra, prift dhe skrib, si edhe Levitët, që mësonin njerëzit, i thanë popullit: ‘Kjo ditë i kushtohet Zotit’. Për ne është e diela. E diela është dita e takimit të popullit me Zotin, dita e takimit të familjes sime me Hyjin. Dita e takimit tim me Zotin, është ditë takimi. ‘Kjo ditë shenjte i kushtohet Zotit’”.

Nuk kuptohet festa e së dielës pa Fjalën e Zotit

         Për këtë, Nehemia, Esdra dhe Levitët u thoshin njerëzve të mos mbanin zi e të mos vajtonin. Në fakt, leximi i parë i sotëm tregon sesi të gjithë njerëzit qanin ndërsa dëgjonin. Por, qanin nga gëzimi, nënvizoi Papa Françesku:

         “Kur e dëgjojmë Fjalën e Zotit çfarë ndodh në zemrën time? A i kushtoj vëmendje Fjalës së Zotit? E lë ta prekë zemrën apo shikoj në tavan duke menduar gjëra të tjera dhe Fjala hyn nga njëri vesh e del nga tjetri, nuk arrin në zemër? Çfarë bëj për t’u përgatitur që Fjala të arrijë në zemër? Dhe kur Fjala arrin në zemër, ndodh që derdh lot nga gëzimi dhe bëj festë. Nuk kuptohet festa e së dielës pa Fjalën e Zotit, nuk kuptohet. ‘Atëherë Nehemia u tha atyre: ‘Shkoni, festoni - e jep edhe një recetë të mirë për festën - hani mish me dhjamë, pini verëra të ëmbla dhe dërgoni porcione për ata që nuk kanë asgjë - për të varfërit; gjithnjë të varfërit janë ministrantët e festës së krishterë, të varfërit! - sepse kjo ditë shenjte i është kushtuar Zotit tonë; mos u trishtoni, sepse gëzimi i Zotit është forca juaj’”.

Trishtimi nuk është forcë; t’ia hapim zemrën gëzimit

         Atëherë Papa iu kthye mesazhit të sotëm, duke kujtuar se trishtimi nuk është forca jonë:

“Fjala e Zotit na bën të gëzueshëm, takimi me Fjalën e Zotit na mbush me gëzim dhe ky gëzim është forca ime, është forca jonë. Të krishterët janë të gëzuar sepse e kanë pranuar, e kanë marrë Fjalën e Zotit në zemrat e tyre dhe vazhdimisht e takojnë Fjalën, e kërkojnë atë. Ky është mesazhi i sotëm për të gjithë ne. Një shqyrtim i shkurtër i ndërgjegjes: si e dëgjoj Fjalën e Hyjit? Apo thjesht, nuk e dëgjoj? Si e takoj unë Zotin në Fjalën e tij, që është Bibla? E pastaj: a jam i bindur se gëzimi i Zotit është forca ime? Trishtimi nuk është forca jonë”.

03 tetor 2019, 15:20
Lexo gjithçka >