Papa në Shën Martë Papa në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: dashuria e Krishtit është diçka e madhe

Në Meshën e mëngjesit në shtëpinë e Shën Martës, Papa na nxit të kuptojmë dhembshurinë e dashurisë së Zotit në Jezusin për secilin prej nesh: vetëm në këtë mënyrë, thotë, mund ta kuptojmë me të vërtetë dashurinë e Krishtit.

R.SH. - Vatikan

Shpirti i Shenjt na bëftë ta kuptojmë "dashurinë që Krishti ka ndaj nesh" dhe na i përgatitë zemrat tona për "të pranuar dashurinë" që Zoti ka për ne. Kjo porosia e Papës Françesku gjatë homelisë së Meshës së mëngjesit kremtuar në kapelën e shtëpisë së Shën Martës, të cilën e përqendroi mbi Leximin e Parë të liturgjisë së sotme, marrë nga Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve ( Rm 8, 31b-39). Në homelinë e tij, Papa shpjegoi se si i Apostulli i popujve mund të duket madje edhe "pak si mendjemadh", "shumë i sigurt në vetvete" kur pohon se as "vështirësia, as ngushtica, as ankthi, as persekutimi, as uria, as zhveshtësia, as rreziku, ad shpata" nuk do të na ndajnë kurrë "prej dashurisë së Jezu Krishtit".

Dashuria e nënës.

Megjithatë, vuri në dukje Papa duke lexuar Shën Palin, "ne jemi mëse se fitues" me dashurinë e Zotit. Shën Pali ishte i tillë, shpjegoi Ati i Shenjtë Françesku sepse, që nga momenti kur "Zoti e thirri në rrugën e Damaskut, ai filloi ta kuptojë misterin e Krishtit": "ishte dashuruar në Krishtin", ishte pushtuar - vëren Papa - nga "një dashuri e fortë", "e madhe", jo nga një "argument" si ato të "telenovelave". Një dashuri "serioze", deri në atë pikë sa të "ndjejë se Zoti e shoqëronte gjithmonë në gjëra të mira e në gjëra të këqija".

Ai e ndjeu këtë me dashuri. Dhe unë pyes, po unë a e dua Zotin ashtu? Kur vijnë momentet e këqija, sa herë e ndjej dëshirën që më bënë të them "Zoti më ka braktisur, nuk më do më" dhe kështu tundohem për t’u larguar prej Zotit. Ndërsa Pali ishte i sigurt se Zoti nuk braktisë kurrë. Ai e kuptoi dashurinë e Krishtit. Kjo është rruga që na tregon Pali: rrugën e dashurisë, gjithmonë, në të mirë e në të keq, gjithmonë, gjithmonë përpara. Kjo është madhështia e Palit.

Jepni jetën për njëri-tjetrin.

Dashuria e Krishtit, shtoi Papa "nuk mund të përshkruhet", është diçka e madhe.

Është pikërisht Ai që u dërgua nga Ati për të na shpëtuar dhe këtë e bëri me dashuri, Jezusi e dhuroi jetën për mua: nuk ka dashuri më të madhe se sa të japësh jetën për një tjetër. Të mendojmë për një nënë, për dashurinë e një nëne, për shembull, e cila e jep jetën për të birin, e përcjellë gjithmonë në jetë, në momente të vështira, por kjo është ende pak... Dashuria e Krishti është një dashuri afër nesh, dashuria e Jezusit nuk është një dashuri abstrakte, është një dashuri unë-ti, unë-ti, për secilin prej nesh, me emër dhe mbiemër.

Duke qarë për secilin prej nesh

Në Ungjillin e Lukës ( 13,31-35), Papa vuri në dukje "diçka nga dashuria konkrete e Jezusit". Duke folur për Jeruzalemin, Jezusi e kujtoi kohën kur u përpoq “t’i bashkoj fëmijët e tij, sikurse klluka i bashkon zogjtë e vet nën krahë”, dhe iu ndalua. Prandaj “qau”.

Dashuria e Krishtit e bëri të qaj, të qajë për secilin prej nesh. Sa dhembshuri ka në këtë shprehje. Jezusi mund të dënonte Jeruzalemin, të fliste keq... Dhe ankohet se nuk pati mundësinë të dashuronte si zogjtë e kllukës. Kjo është dhembshuria e dashurisë së Hyjit në Jezusin. Pali e kuptoi këtë. Nëse nuk arrijmë ta ndjejmë, nëse nuk arrijmë ta kuptojmë dhembshurinë e dashurisë së Zotit në Jezusin për secilin prej nesh, kurrë, nuk do të jemi në gjendje të kuptojmë se çfarë është dashuria e Krishtit. Është një dashuri e tillë, që pret gjithmonë, me durim, një dashuria që e luan kartën e fundit me Judën:" Mik", i thotë e kështu i ofron atij një rrugëdalje, deri në fund. Edhe mëkatarët e mëdhenj, Jezusi i do deri në fund, po me këtë dhembshuri. Nuk e di nëse ne mendojmë për Jezusin kaq të butë, për Jezusin që qan, si qau para varrit të Lazrit, si qau këtu, duke shikuar Jeruzalemin.

Një dashuri që qan

Prandaj Papa Françesku, në homelinë e Meshës së sotme, na nxit të pyesim veten nëse Jezusi qan për ne, Ai që na ka dhënë "kaq shumë gjëra" ndërsa ne shpesh zgjedhim të shkojmë "nëpër rrugë tjera". Dashuria e Zotit  bëhet "lot, bëhet vaj, bimë e përdëllimit në Jezusin", ripohoi. Për këtë arsye, përfundoi Papa homelinë, Shën Pali "ishte dashuruar në Krishtin dhe asgjë nuk mund ta ndante prej Tij" 

31 tetor 2019, 12:29
Lexo gjithçka >