Kërko

Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës  (Vatican Media)

Papa: për të krishterin, shpresa është si ajri që thith

Për të qenë njerëz të shpresës, nuk duhet të lidhemi me asgjë, por të jetojmë, “të prirur drejt” takimit me Zotin. Nëse humbet kjo perspektivë, jeta bëhet statike dhe gjërat që nuk lëvizin, korruptohen. Kështu Papa Françesku në homelinë e meshës së mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, përqendruar në shpresën e krishterë.

R.SH. - Vatikan

Shpresa është si spiranca, që e hedh në bregun tjetër. Ky ishte imazhi, që përdori Papa Françesku në meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës në Vatikan. Ati i Shenjtë bëri thirrje për të jetuar të prirur kah takimi me Zotin, përndryshe jeta e të krishterit korruptohet. Reflektimi i Papës u nis nga Leximi i parë i liturgjisë së sotme, marrë nga Letra e Shën Palit drejtuar Romakëve, ku apostulli i këndon himne shpresës. Shën Pali vë në dukje se është shpresa, që duhet të vërë në lëvizje jetën e të krishterit, kjo prirje kah takimi me Zotin, të udhëhequr nga Shpirti Shenjt. Ky është kapari, që gjithë të krishterët e kanë në dorë edhe sot: këtë premtim, i cili na nxit të mendojmë se vuajtjet e sotme nuk mund të krahasohen me lavdinë e ardhshme, që do të na zbulohet. E kjo, nënvizoi Françesku, vlen për gjithë Krijimin e Hyjit:

         “Shpresa është kjo jetë në tension, gjithnjë; e dimë se nuk mund ta ngremë çerdhen këtu: jeta e të krishterit është ‘e prirur drejt diçkaje”. Nëse i krishteri e humbet këtë perspektivë, jeta e tij bëhet statike e gjërat, që nuk lëvizin, korruptohen. Le të mendojmë për ujin: kur uji është i ndenjur, nuk rrjedh, nuk lëviz e korruptohet. I krishteri i paaftë për t’u prirur, për të qenë në tension drejt bregut tjetër, ka diçka mangut: përfundon i korruptuar. Për të, jeta e krishterë do të jetë një lloj doktrine filozofike. Kështu do ta jetojë e do të thotë se ajo është feja, por pa shpresën, nuk është kështu”.

Shpresa kuptohet nga të varfrit

         Papa Françesku vuri në dukje se nuk është aq e lehtë ta kuptosh shpresën. Nëse flasim për fe, i referohemi “besimit në Zotin që na krijoi, në Jezusin që na shëlboi… themi Besojmën dhe dimë gjëra konkrete për fenë”. Nga ana tjetër, kur flasim për bamirësi, kemi parasysh aktin, me të cilin “u bëjmë mirë të afërmve, të tjerëve”. Por shpresa kuptohet me vështirësi: “është më e përvuajtura e virtyteve”, që “vetëm të varfrit mund ta kenë”:

         “Nëse duam të jemi burra dhe gra të shpresës, duhet të jemi të varfër, të varfër, të palidhur me asgjë. Të varfër! Dhe me mendjen tek bregu tjetër. Shpresa është e përvuajtur, është një virtyt që përpunohet - të themi kështu - çdo ditë: çdo ditë duhet të merremi me të, çdo ditë duhet të marrim litarin dhe të kontrollojmë që spiranca të jetë e fiksuar atje dhe që e mbajmë në dorë; çdo ditë duhet të kujtohemi se kemi marrë një kapar, që është Shpirti Shenjt, i cili punon brenda nesh, përmes gjërave të vogla”.

Shpresa është virtyt, që punon pa u dukur

         Në Ungjillin e sotëm, Krishti e krahason Mbretërinë e Zotit me kokrrën e sinapit. Të presim që të mbijë e të rritet, nënvizoi Papa, se po shkuam përditë ta shohim, duket sikur nuk rritet kurrë. Duhet durim, theksoi Ati i Shenjtë. Shpresa ka nevojë për durim, për besimin se kur ne mbjellim, Zoti do ta rrisë filizin. E gjithnjë nga Ungjilli i sotëm, Françesku mori imazhin e tharmit, i cili simbolizon shpresën, që duhet të përzihet me brumin e jetës e jo të mbahet në frigorifer, këshilloi Papa:

         “Prandaj, shpresa është virtyt, që nuk shihet: punon pa u dukur... Nuk është e lehtë të jetosh me shpresë, por ajo duhet të jetë ajri, që thith i krishteri, ajër shprese; në të kundërt, nuk do të jetë në gjendje të ecë, nuk mund të vazhdojë, sepse nuk do të dijë ku të shkojë. Shpresa – ajo po, natyrisht - na jep siguri: shpresa nuk zhgënjen. Kurrë. Nëse shpresoni, nuk do të zhgënjeheni. Duhet t’ia hapim zemrën atij premtimi të Zotit, të priremi drejt atij premtimi, por duke e ditur se Shpirti Shenjt punon brenda nesh. Zoti na dhashtë, të gjithëve, këtë hir për të jetuar të prirur, por jo drejt nervave, drejt problemeve, jo: të prirur drejt Shpirtit Shenjt, që na çon në bregun tjetër dhe na mban në shpresën e Zotit”.

29 tetor 2019, 12:41
Lexo gjithçka >