Kërko

Mesha e Papës Françesku në Shtëpinë e Shën Martës Mesha e Papës Françesku në Shtëpinë e Shën Martës  (Vatican Media)

Papa: kur e akuzojmë veten para Zotit, çlirohemi nga hipokrizia

Jezusi nuk e toleron hipokrizinë dhe i quan farisenjtë “varre të zbardhura me gëlqere”. Mbi këtë episod meditoi Papa Françesku, në homelinë e tij, në meshën e mëngjesit, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës. Ilaçi kundër hipokrizisë është ta akuzojmë veten para Zotit. Kush nuk di ta bëjë këtë, nënvizoi Françesku, “nuk është i krishterë i mirë”.

R.SH. - Vatikan

Hipokrizia është tema, rreth së cilës u shtjellua homelia e Papës Françesku sot në meshën e mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës. Në Ungjillin e sotëm, Jezusi, i ftuar për drekë nga një farise, kritikohet nga i zoti i shtëpisë, sepse, para se të ulej në tryezë, nuk bëri ritet e larjes. E Papa komentoi: “Ka një qëndrim që Zoti nuk e toleron: hipokrizinë. Kjo ndodh sot në Ungjill. E ftojnë Jezusin për drekë, por për ta gjykuar, jo për ta bërë mik”. Hipokrizi, vazhdoi Ati i Shenjtë, “do të thotë të dukesh në një mënyrë e të jesh një tjetër”. Do të thotë të mendosh ndryshe nga sa thua.

Hipokrizia lindi nga djalli: mashtruesi

Jezusi nuk e duron hipokrizinë. Shpesh, i quan farisenjtë hipokritë, varre të zbardhura me gëlqere. Nuk është fyerje, nënvizoi Papa, është e vërteta. “Nga jashtë dukesh i përsosur, madje, i kollarisur, korrekt, - theksoi Françesku - por nga brenda je tjetër gjë”. Ati i Shenjtë pohoi më pas se “qëndrimi hipokrit vjen nga mashtruesi i madh, nga djalli”. Ai është “hipokriti i madh” dhe hipokritët e tjerë janë “trashëgimtarët” e tij:

“Hipokrizia është gjuha e djallit, është gjuha e së keqes, që hyn në zemrën tonë dhe mbillet nga djalli. Nuk mund të jetohet me njerëz hipokritë, por ka mjaft prej tyre. Jezusit i pëlqen t’ia çjerrë maskën hipokrizisë. Ai e di që pikërisht ky qëndrim hipokrit do ta çojë drejt vdekjes, sepse hipokriti nuk mendon a përdor mjete të ligjshme apo jo, ai vazhdon me shpifje. ‘Le të shpifim, të bëjmë dëshmi në rrenë. Le të kërkojmë një dëshmitar të rremë’”.

Hipokrizia është helm që mbyt

Papa theksoi se dikush mund të kundërshtojë e të thotë se mes nesh, nuk ka hipokrizi të tilla. Por gabohet:

“Gjuha hipokrite, nuk po them se është normale, por është mjaft e zakonshme, është e përditshme. Dukesh në një mënyrë, por je një tjetër. Në luftën për pushtet, për shembull, zilia, xhelozia të bëjnë të dukesh në një mënyrë të caktuar, por brenda ke helmin, që mbyt, sepse hipokrizia vret, gjithmonë, herët a vonë vret”.

Ilaçi është akuzimi i vetvetes

Duhet të shërohemi nga qëndrimi hipokrit, nënvizoi më tej Papa Françesku. “Por cili është ilaçi?”, pyeti Ati i Shenjtë. E u përgjigj: “të thuash të vërtetën para Zotit. Të akuzosh vetveten”:

“Duhet të mësohemi ta akuzojmë veten: ‘Unë e bëra këtë, mendoj kështu, mendoj keq ... e kam zili, do të doja ta shkatërroja atë person...’, ta nxjerrim gjithçka kemi brenda para Zotit. Ky është ushtrim shpirtëror jo i zakonshëm, nuk e bëjmë gjithmonë, por duhet të përpiqemi ta bëjmë: ta akuzojmë veten, ta kuptojmë se jemi në mëkat, në hipokrizi, në ligësinë e zemrës. Sepse është djalli, që mbjell ligësi, prandaj, duhet t’i themi Zotit: ‘Shiko o Zot si jam katandisur!’, e ta themi me përvujtëri”.

Pjetri e kuptoi që ishte mëkatar

I krishteri që nuk di ta akuzojë vetveten, theksoi Papa, nuk është  i krishterë i mirë dhe ka rrezik të bjerë në hipokrizi. E Françesku kujtoi lutjen e shën Pjetrit, kur i tha Zotit: largohu prej meje, sepse jam mëkatar. “Le të mësojmë ta akuzojmë veten”, u lut Papa Françesku në përfundim të meshës.

15 tetor 2019, 12:24
Lexo gjithçka >