Kërko

Papa kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës Papa kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: të lutemi për qeveritarët e ata, për popullin

Në homelinë e meshës së kremtuar sot në Shtëpinë e Shën Martës, e para pas pushimeve të verës, Françesku reflektoi mbi Letrën e parë të Shën Palit Apostull drejtuar Timoteut, duke i nxitur gjithë besimtarët t’i lartojnë Zotit lutje për qeveritarët.

R.SH. - Vatikan

Lutuni për qeveritarët e për politikanët, që “të mund t’i përgjigjen me dinjitet thirrjes së tyre”. Këtë kërkoi Papa Françesku në meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, kremtimin e së cilës e filloi sot, për herë të parë pas pushimeve të verës.

Lutja

         Duke reflektuar mbi Letrën e parë të Shën Palit Apostull drejtuar Timoteut, Ati i Shenjtë vërejti se në të “nxitet gjithë populli i Zotit” të lutet, pa u zemëruar e pa bërë polemikë të kotë, për të gjithë njerëzit, por sidomos për mbretërit e për ata që janë në pushtet, që të kenë “një jetë të qetë dhe paqësore, dinjitoze dhe të përkushtuar ndaj Zotit”:

         “Shën Pali e thekson pak ambientin e një besimtari: ai është lutja. Është lutja e ndërmjetësimit, kur thotë: ‘Të gjithë të luten për të gjithë, që të mund të kemi një jetë të qetë dhe paqësore, dinjitoze dhe të përkushtuar ndaj Zotit’. Të lutemi, që të bëhet e mundur kjo. Por ka një theksim, mbi të cilin dua të ndalem pak: ‘Për të gjithë njerëzit - dhe pastaj shton - për mbretërit dhe për të gjithë ata, që kanë pushtet’. Pra, është një lutje për pushtetarët, për politikanët, për njerëzit, që janë përgjegjës në një institucion politik, në një vend, në një provincë”.

Të lutemi për ata, që e mendojnë ndryshe

Ata, vijoi Papa, ose marrin lajka, ose sharje. Ka politikanë, por edhe meshtarë e ipeshkvij, të cilët njerëzit i fyejnë sa mundin. Ndokush edhe e meriton, por tashmë, është bërë zakon ajo, që Françesku e quajti “rruzarja e ofendimeve, e sharjeve dhe e zhvlerësimeve”. Qeveritarët kanë përgjegjësinë e rëndë për ta udhëhequr vendin, ndërsa ne i lemë vetëm, pa iu lutur Zotit t’i bekojë. “Jam i sigurt – nënvizoi Papa - që askush nuk lutet për qeveritarët, përkundrazi: duket sikur lutja për pushtetarët është ‘fyerja’”. E Ati i Shenjtë kujtoi krizën e fundit qeveritare në Itali, gjendje, që vlen për çdo vend:

“Kush prej nesh u lut për qeveritarët? Kush prej nesh u lut për parlamentarët? Që të merren vesh për atdheun e tyre? Duket se fryma patriotike nuk arrin deri tek lutja; po, arrin tek zhvlerësimet, tek urrejtja, tek grindjet e, këtu përfundon. ‘Prandaj dua që në çdo vend, njerëzit të luten, duke lartuar drejt qiellit duar të pastra, pa zemërim dhe pa polemikë’ (shkruan shën Pali). Duhet diskutuar e ky është funksioni i parlamentit, duhet diskutuar, por pa e poshtëruar tjetrin; madje, duhet të lutemi për tjetrin, për atë që ka një mendim të ndryshëm nga yni”.

Thirrje për kthesë

         Për ata, që mendojnë se filan politikan është “tepër komunist”, ose “i korruptuar”, Papa, duke cituar Ungjillin e sotëm sipas Lukës, nënvizoi se nuk duhet “diskutuar për politikë”, por – nguli këmbë – duhet të lutemi. Ka nga ata, që thonë edhe se “politika është e ndyrë”. Por shën Pali VI, kujtoi Françesku, besonte se ajo është “forma më e lartë e dashurisë”:

         “Mund të jetë e ndyrë, si çdo profesion tjetër... Jemi ne, që i ndyejmë gjërat, por gjërat në vetvete nuk janë të ndyra. Besoj se duhet të bëjmë kthesë e të lutemi për politikanët e të gjitha ngjyrave, për të gjithë! Lutuni për pushtetarët. Këtë na kërkon shën Pali apostull. Ndërsa dëgjoja Fjalën e Zotit, më erdhi ndërmend një episod shumë i bukur i Ungjillit: sundimtari, që lutet për njërin prej të vetëve, centurioni që lutet për njërin nga të vetët. Edhe qeveritarët duhet të luten për popullin e tyre… ky lutej për një shërbëtor, ndoshta për një, që i shërbente në shtëpi: ‘Është shërbëtori im, jam përgjegjës për të’. Qeveritarët janë përgjegjës për jetën e një vendi. Është bukur të mendosh që, nëse njerëzit luten për pushtetarët, pushtetarët do të jenë në gjendje të luten për njerëzit, ashtu si ky centurion, që lutej për shërbëtorin e tij”.

16 shtator 2019, 13:56
Lexo gjithçka >