Kërko

Papa Françesku kremton meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku kremton meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës  (Vatican Media)

Papa: shërbimi meshtarak është dhuratë, jo funksion apo punë

Në homelinë e meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku nënvizoi se kur e mban për vete dhuratën e shugurimit të Zotit, kur e përqendron mbi vete, “e shndërron në funksion”, duke ia humbur vlerën thelbësore. Nga mungesa e kundrimit të kësaj dhurate, lindin “të gjitha devijimet, që njohim”.

R.SH. - Vatikan

Shugurimi meshtarak e ipeshkvor, para se të jetë shërbim, është dhuratë e Zotit, “që na pa e na tha ‘Më ndiqni’”, por sigurisht, nuk është “funksion” apo ndonjë “pakt pune”. Papa Françesku e kremtoi sot meshën e mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës, së bashku me shumë ipeshkvij e meshtarë, që ndodheshin aty për të festuar 25-vjetorin e shugurimit, si edhe me kardinalin Edoardo Menichelli, kryeipeshkëv nderi i Ankonës, në prag të moshës 80 vjeçare. Ati i Shenjtë i ftoi të gjithë, edhe vetveten, të reflektojnë mbi Letrën e parë të Shën Palit drejtuar Timoteut, propozuar nga liturgjia e sotme. U përqendrua tek fjala “dhuratë”, tek shërbimi meshtarak si dhuratë për t’u kundruar, duke ndjekur këshillat e shën Palit për dishepullin e ri: “Mos e lër pas dore dhuratën, që ke në shpirt”:

“Nuk është ndonjë pakt pune: ‘Unë duhet të bëj [diçka]’, të bësh është në plan të dytë; duhet ta pranoj dhuratën dhe ta ruaj si të tillë. Prej andej vjen gjithçka, nga kundrimi i dhuratës. Kur e harrojmë këtë, e mbajmë dhuratën vetëm për vete dhe e shndërrojmë në funksion; kështu, humbet thelbi i shërbimit, humbet vështrimi i Jezusit, që na pa të gjithëve dhe na tha: ‘Më ndiqni’. Humbasim shërbimin pa interes”.

Rreziku për ta përqendruar shërbimin në vetvete

Papa u tërhoqi vëmendjen të pranishmëve ndaj këtij rreziku:

         “Nga mungesa e kundrimit të dhuratës, të shërbimit si dhuratë, lindin të gjitha devijimet, që njohim, nga më të shëmtuarat, që janë të tmerrshme, deri tek më të përditshmet, të cilat na bëjnë ta përqendrojmë shërbimin në vetvete dhe jo në dhuratën pa interes e në dashurinë për Atë, që na e bëri këtë dhuratë, dhuratën e shërbimit”.

Kanë rëndësi detyrat, por më parë ta kundrojmë Hyjin

         Këtë dhuratë, citoi Papa shën Palin apostull, Zoti na e jep përmes vendosjes së duarve nga ana e një presbiteri. Por është gjithnjë dhuratë e Hyjit e duhet ruajtur si e tillë, pa e kthyer në funksion. Nganjëherë na qëllon ta harrojmë këtë, nënvizoi Ati i Shenjtë, duke dhënë shembullin e përshkruar në Ungjillin sipas Lukës, ku një farise e pret Jezusin në shtëpinë e tij, duke harruar “shumë rregulla të mikpritjes”. Jezusi ia vë në dukje, duke i treguar gruan, që i dhuron ujin për të larë këmbët, puthjen e mirëseardhjes dhe vajin erëmirë, me të cilin i lyen kryet.

         “Ky njeri ishte i mirë, një farise i mirë, por kishte harruar dhuratën e mirësjelljes, dhuratën e bashkëjetesës, e cila është edhe ajo dhuratë. Dhuratat harrohen gjithnjë kur ka ndonjë interes mbrapa, kur unë dua të bëj këtë e atë, të bëj e të bëj ... Po, ne, meshtarët, të gjithë, duhet të bëjmë disa gjëra e detyra e parë është të kumtojmë Ungjillin, por duhet edhe ta ruajmë, të ruajmë qendrën, burimin nga lind ky mision, i cili s’është tjetër, veçse dhurata, që Zoti na e ka dhënë falas”.

Zoti na ndihmoftë të mos bëhemi afaristë

         Lutja e fundit e Françeskut ishte që Zoti t’i ndihmojë të gjithë meshtarët dhe ipeshkvijtë ta ruajnë shugurimin si dhuratë e pastaj si shërbim. Hir, që Ati i Shenjtë e kërkoi për të gjithë, veçanërisht për ata, që festuan 25-vjetorin e shugurimit. Përndryshe, dhurata e Hyjit prishet e njerëzit, që duhet t’i shërbejnë Zotit, mund të kthehen në sipërmarrës e afaristë.

19 shtator 2019, 12:42
Lexo gjithçka >