Kërko

Papa kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës Papa kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës  (Vatican Media)

Papa: marrëdhëniet pa interes me Zotin na ndihmojnë t’u shërbejmë të tjerëve

Nuk ka asnjë lidhje me Zotin jashtë mirësisë së dhurimit falas. Papa e kujtoi këtë sot në mëngjes, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, gjatë së cilës këshilloi ta zgjerojmë zemrën për të marrë hirin hyjnor.

R.SH. - Vatikan

Të japim falas ç’kemi marrë falas nga Zoti. Homelia e sotme e Papës Françesku, gjatë meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, u përqendrua krejtësisht në mirësinë e Zotit, në faktin se Ai na dhuron gjithçka falas e, në nevojën që edhe ne të bëjmë kështu me të tjerët. Ati i Shenjtë ftoi ta hapim zemrën, që Hyji të na e dhurojë këtë hir. Hiri nuk blihet. Është për të shërbyer popullin e Zotit e jo për t’u shërbyer.

Thirrja e të krishterit është shërbimi për të tjerët

         Papa Françesku u nis nga pjesa e sotme ungjillore, marrë nga Mateu (10,7-13), që flet për misionin e apostujve të Krishtit. Çdo i krishterë, nënvizoi Ati i Shenjtë, nuk mund të qëndrojë vendnumëro, por duhet të vihet për udhë e të predikojë ardhjen e Mbretërisë Qiellore. Krishti i dërgoi apostujt me misionin për të shëruar të sëmurët, për të ringjallur të vdekurit, për të pastruar lebrozët, për të përzënë demonët. Pra, theksoi Papa, i krishteri e kalon jetën në shërbim.

         “Jeta e krishterë është për të shërbyer. Është shumë e trishtë kur shihen të krishterë që në fillim të kthimit të tyre e të vetëdijësimit se janë të krishterë, shërbejnë e duan t’i shërbejnë popullit të Zotit, por, pastaj, përfundojnë të shërbehen nga populli i Zotit. Kjo i bën shumë keq popullit të Zotit. Thirrja e të krishterit është të shërbejë e jo të shërbehet”.

Ta zgjerojmë zemrën

         Jeta e krishterë, vijoi Papa, është jetë, që dhurohet falas. Ungjilli thotë: “falas keni marrë, falas jepni”. Shëlbimi, vërejti Ati i Shenjtë, nuk blihet, na është dhënë falas. E ashtu siç ka bërë Zoti me ne, ashtu duhet të bëjmë ne me të tjerët, pra, t’u shërbejmë atyre falas. Është bukur, nënvizoi Papa…

         “…ta dimë se Hyji është plot dhurata për ne. Vetëm një gjë kërkon: që zemra jonë të hapet. Kur themi ‘Ati ynë’ e lutemi, e hapim zemrën, që të mbërrijë kjo dhuratë falas. Nuk ka marrëdhënie me Zotin jashtë kësaj mirësie. Nganjëherë, kur kemi nevojë për diçka shpirtërore, ose për një hir, themi: ‘Tani po agjëroj, po bëj pendesë, po bëj një nëntëshe lutjeje…”. Shumë mirë, por kini kujdes: kjo nuk është ‘pagesë’ për hirin, që s’mund të blihet; kjo është për ta zgjeruar zemrën që hiri të vijë në të. Hiri është falas”.

Jepni falas

         Të gjitha dhuratat e Zotit janë falas, vijoi më tej Papa Françesku, por duhet hapur zemra, përndryshe nuk është në gjendje të mbajë kaq shumë dashuri falas. Me Zotin nuk bëhet tregti, nënvizoi Ati i Shenjtë, i cili ftoi të mësojmë si të dhurojmë falas. E kjo vlen edhe për barinjtë e Kishës, të cilët nuk mund ta kthejnë hirin e Tënzot në mall për treg.

         “Në jetën tonë shpirtërore e kemi gjithnjë mbi krye rrezikun për të kërkuar pagesën, gjithnjë, edhe kur flasim me Zotin, a thua se duhet t’i japim para nën dorë. Jo! Nuk shkon kështu! Nuk është kjo rruga: ‘O Zot, nëse ti ma bën këtë, unë po të jap atë..”, jo! Unë mund të bëj një premtim, por kjo ma zgjeron zemrën për të marrë diçka, që është aty, falas për ne. Kjo marrëdhënie mirësie me Zotin na ndihmon të sillemi kështu edhe me të tjerët, si në dëshminë e krishterë, ashtu edhe në shërbimin e krishterë, në jetën baritore të atyre, që janë barinjtë e popullit të Zotit. Për udhë. Jeta e krishterë është ecje. Predikoni, shërbeni e mos u shërbeni. Shërbeni e jepni falas, ç’keni marrë falas. Shenjtëria jonë të jetë ky zgjerim i zemrës, që mirësia e Zotit, hiret e Tënzot, që janë aty e që Ai i Lumi dëshiron të na i dhurojë, të mbërrijnë në zemrat tona. Ashtu qoftë”.

11 qershor 2019, 12:30
Lexo gjithçka >