Kërko

Papa kremton Meshën në Shën Martë Papa kremton Meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: të krishterë të dashuruar me ligjin e Zotit, por jo kokëfortë

Françesku, për homelinë e Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, e mori shtytjen nga Leximi i sotëm, që përshkruan kthimin e Shën Palit në udhën drejt Damaskut, për të kuptuar vlerën e epshmërisë dhe të hapjes së zemrës, ndaj zërit të Zotit. Kështu i ndodhi atij që, kokëfortë, po jo në shpirt, nga persekutues i të krishterëve, u bë Apostull i Popujve.

R. SH. - Vatikan

Kthimi i Saulit të Tarsit në udhën e Damaskut, pasi dëgjoi zërin e Zotit, që e thërriste, hap një faqe të re në historinë e shëlbimit. Shënon çastin kur çelet porta edhe për paganët, për ata që nuk ishin izraelitë. Me një fjalë, porta, që çonte drejt universalitetit të Kishës. Me lejën e vetë Zotit, “si një gjë tejet e rëndësishme”. Kështu u shpreh Papa Françesku sot paradite, në homelinë, mbajtur gjatë kremtimit të Meshës në Shën Martë, duke u paraqitur besimtarëve fragmentin e mirënjohur, shkëputur nga Veprat e Apostujve, ku shikojmë sesi Jezusi ia ndryshon jetën një burri, deri në atë çast persekutues i të krishterëve.

Në qendër të homelisë, pra, ishte figura e Apostullit të Popujve që, si u verbua, ndenji në Damask për tri ditë, pa bukë e pa ujë, derisa Anania, i dërguar nga Zoti, erdhi për t’ia kthyer dritën e syve, duke i hapur rrugën drejt kthesës dhe predikimit “përplot me Shpirtin Shenjt”. Papa, duke iu drejtuar posaçërisht një grupi murgeshash të Kotolengos, të pranishme në Meshë me rastin e 50-vjetorit të jetës së tyre rregulltare si dhe disa meshtarëve eritreas, që shërbejnë në Itali, nënvizoi posaçërisht dy tipare të Apostullit.

Koherencë e epshmëri

E këtë e bëri, duke skicuar, me pak vija, figurën e Shën Palit: “burrë i fortë”, “i dashuruar me ligjin, me Zotin, me pastërtinë e ligjit”, “i ndershëm”; “kokëshkretë”, “por koherent”:

“Para së gjithash, koherent, sepse njeri me zemrën e hapur për Zotin. Nëse i persekutonte të krishterët, e bënte me bindjen se ishte vetë Zoti, që e donte këtë. E si kështu? Kështu, sepse kishte pikërisht këtë bindje. E edhe zellin për pastërtinë e shtëpisë së Zotit, për lavdinë e Zotit. Zemra e tij ishte e hapur për zemrën e Zotit. E për këtë rrezikonte edhe kokën. Rrezikonte, rrezikonte e shkonte përpara. E një tipar tjetër i temperamentit të tij ishte epshmëria. Nuk ishte kokëfortë”.

Kokëfortë, por jo në shpirt

Ndoshta temperamenti i tij qe kolerik - saktësoi Papa – koka, por jo shpirti. Pali ishte i gatshëm t’u bindej porosive të Zotit. I përndoqi dhe i vrau me zell të madh të krishterët, deri në çastin kur dëgjoi zërin e Zotit. E që në atë çast, u bë fëmijë, e la Zotin ta çonte ku të donte Ai vetë:

“I verbër, u nis për Jeruzalem, agjëroi tri ditë, priti t’i fliste Zoti. Të gjitha bindjet, që kishte, heshtën, në pritje të zërit të Zotit: ‘Çfarë duhet të bëj, o Zot?’. E shkoi. Shkoi drejt takimit të Damaskut,  takimit me njeriun tjetër të butë, të cilin e la ta katekizojë si të ishte fëmijë. E edhe ta pagëzojë, si foshnjë”.

E, si rifitoi forcat, çfarë bëri? Heshti. Shkoi në Arabi për t’u lutur. Për sa kohë? Nuk e dimë. Epshmëri, gatishmëri për t’ia hapur zemrën Zotit. Eshtë shembull për jetën tonë e më pëlqen ta kujtoj para motrave, që kremtojnë  50-vjetorin e jetës rregulltare. Ju falënderoj – u tha Papa - që e dëgjuat zërin e Zotit e ju falënderoj edhe për epshmërinë tuaj!

Epshmëria  e grave të Kotolengos i kujtoi Françeskut vizitën,  që pati bërë në vitet ’70, në një nga strukturat, që mikpresin njerëz me kufizime psikike e fizike, nga mbarë bota. Tregoi sesi, duke kaluar nga dhoma në dhomë, e udhëhiqte një motër, si këto, që e dëgjonin sot në Shtëpinë e Shën Martës dhe e kalojnë jetën “Atje, ndërmjet të flakurve”. Pa ngulmin e tyre e pa epshmërinë e tyre - reflektoi Papa - nuk do të mund të bënin kurrë, atë që bëjnë!

Karizma e krishterë e të voglit dhe e të madhit

Të ngulmosh! Të mos heqësh dorë kurrë! Ky është një sinjal i Kishës. E unë dua t’i falënderoj sot, përmes jush, shumë burra e gra guximtare, që rrezikojnë jetën, që shkojnë përpara, e edhe që kërkojnë rrugë të reja në jetën e Kishës. Kërkojnë rrugë të reja! ‘Por, o Atë. A nuk është mëkat?’. Jo, nuk është! Kërkojmë rrugë të reja. E kjo u bën mirë të gjithëve! Me kusht që të jenë rrugët e Zotit. E të shkojmë përpara: përpara në thellësitë e lutjes, në thellësitë e epshmërisë, të zemrës së hapur për zërin e Zotit. E kështu bëhen ndryshimet e vërteta në Kishë, me njerëz që dinë të luftojnë në  të voglën e në të madhen.

I krishteri - përfundoi Papa Françesku - duhet ta ketë karizmën e së voglës e të së madhes. E lutja, që i drejtoi Shën Palit në përfundim  të homelisë, ishte pikërisht kërkesa për të nxjerrë hirin “e dëgjimit të zërit të Zotit e të zemrës së hapur për atë të Lumin; hirin për të mos u trembur para gjërave të mëdha, për të shkuar përpara, me kusht që të kemi delikatesën të kujdesemi edhe për gjërat e vogla”.

10 maj 2019, 13:31
Lexo gjithçka >