Kërko

Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: paqja e Krishtit, si ujrat e qeta të thellësive të detit

Homelia e meshës në Shtëpinë e Shën Martës, sot në mëngjes, ishte reflektim i Papës Françesku mbi dhuratën e premtuar nga Jezusi, para se të largohej nga dishepujt e tij: paqja. Çka nuk vjen nga bota, por nga Shpirti Shenjt, është e thellë, mbetet edhe gjatë sprovave, madje, na jep guxim për të ecur përpara, duke i bërë zemrat të gëzohen.

R.SH. - Vatikan

Si mund të pajtohen “mundimet” dhe persekutimet e Shën Palit, rrëfyer në faqen liturgjike të sotme nga Veprat e Apostujve, me paqen që Jezusi u lë dishepujve të vet, në fjalët e lamtumirës gjatë Darkës së Mbrame? “Po ju lë paqen, ju jap paqen time”, shkruhet në Ungjillin sipas Gjonit.

“Lum ju kur t’ju nëpërkëmbin e t’ju persekutojnë…”

         Në homelinë e e meshës së sotme, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan, Papa Françesku vërejti se përndjekjet e mundimet duket sikur e cënojnë rëndë paqen, por Ungjilli (ai sipas Mateut e ai sipas Lukës) i përshkruan si Lumni. Vërtet, thuhet: “Lum ju kur t’ju shajnë e t’ju salvojnë dhe kur, për shkakun tim, të thonë të gjitha të zezat kundër jush, por në rrenë”:

         “Paqja e Jezusit ecën paralel me këtë jetë persekutimesh e mundimesh. Paqe, e cila qëndron nën këto gjëra, shumë më thellë se të gjitha ato. Paqe, që askush s’mund ta zhdukë, sepse është dhuratë, ashtu si deti, që në thellësi është i qetë, por në sipërfaqe ka dallgë. Të jetosh në paqe me Jezusin do të thotë ta kesh brenda këtë ndjesi, e cila mbetet edhe gjatë sprovave, vështirësive e mundimeve”.

I krishteri bart mbi supe jetën, pa e humbur paqen

         Vetëm kështu mund të kuptohen çastet e fundit të jetës së shumë martirëve, që “e banë dekën si me le”. Kjo është dhurata e paqes së Jezusit, që nuk mund ta gjejmë me mjete njerëzore. Vjen nga Shpirti Shenjt, që na bën të fortë e të aftë t’i kapërcejmë vështirësitë, pa e humbur fillin, theksoi Papa Françesku:

         “Paqja na mëson – kjo e Jezusit, natyrisht – të ecim përpara në jetë. Na mëson të durojmë. Durim: një fjalë, që nuk e kuptojmë mirë, fjalë shumë e krishterë, që do të thotë të mbajmë mbi supe. Të durojmë do të thotë të bartim mbi supe jetën, vështirësitë, punën, gjithçka, pa e humbur paqen. Madje, të bartësh do të thotë të kesh guximin për të ecur përpara. Kjo kuptohet vetëm kur kemi Shpirtin Shenjt brenda nesh, që na jep paqen e Jezusit”.

Paqja, dhuratë hyjnore, e gëzon zemrën

         Përndryshe, vijoi Papa, na kap nervozizmi, shenjë e qartë se diçka nuk shkon. Me dhuratën e paqes, premtuar nga Krishti, e jo me atë që na vjen nga bota e nga llogaria bankare, mund të përballojmë edhe vështirësitë më të mëdha e madje, me një aftësi të re, “e bëjmë zemrën të qeshet”, nënvizoi Ati i Shenjtë.

         “Njeriu, që e përjeton këtë paqe, nuk e humbet kurrë ndjenjën e humorizmit. Di të qeshë me vetveten, me të tjerët, edhe me hijen e vet, qesh me gjithçka… Është ajo ndjenjë humorizmi, që i afrohet shumë hirit të Tënzot. Paqja e Krishtit në jetën e përditshme, paqja e Krishtit në mundime e madje, me atë ndjenjë humorizmi, që na bën të marrim frymë. Zoti na dhashtë këtë paqe, që vjen nga Shpirti Shenjt, këtë paqe që është e Tij e që na ndihmon t’i durojmë e t’i bartim shumë vështirësi në jetë”.

21 maj 2019, 11:58
Lexo gjithçka >