Kërko

Mesha e Papës Françesku në Shën Martë Mesha e Papës Françesku në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa në Shën Martë: mëkati të plak, Shpirti Shenjt na mban të ri

“Trishtimi nuk është qëndrim i krishterë”: kështu tha Papa Françesku, gjatë predikimit të tij në meshën e mëngjesit. Megjithëse jeta “nuk është karnaval” dhe ka shumë vështirësi, është e mundur t’i kapërcejmë ato dhe të ecim përpara, por, nënvizoi Bergoglio, kemi nevojë për dialogun e përditshëm me Shpirtin Shenjt, që na shoqëron.

R.SH. - Vatikan

Shpirti Shenjt është protagonisti i pjesës ungjillore, që propozon liturgjia e sotme. Mbi të u përqendrua homelia e Papës Françesku, në meshën e kremtuar në mëngjes, në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Kur Krishti përshëndet dishepujt, para ngjitjes në Qiell, bën një katekizëm të vërtetë për Shpirtin Shenjt. Dishepujt e trishtuar për largimin e Tij, Jezusi i qorton rëndë, sepse, theksoi Papa, “trishtimi nuk është qëndrim i krishterë”. Por si t’ia bëjmë për të mos qenë të trishtuar? “Kundër trishtimit – nënvizoi Ati i Shenjtë – duhet të lutemi... t’i kërkojmë Zotit ta mbajë gjallë e ta përtërijë gjithnjë rininë e shpirtit”. E këtu, ndërhyn Shpirti Shenjt, sepse pikërisht Ai e mban gjallë rininë tonë.

I krishteri nuk mund të jetë i trishtuar

Një shenjtor thoshte: shenjtori i trishtuar është shenjtor për të ardhur keq. Po kështu, vazhdoi Papa, “i krishteri i trishtuar është për të ardhur keq: nuk shkon”. Shpirti Shenjt na jep forcën për t’i bartur kryqet e jetës, pohoi Françesku, duke dhënë shembullin e Palit e të Silës, në Leximin e parë të sotëm, që, edhe pse në zinxhirë, i këndonin himne Hyjit. Shpirti Shenjt e bën të re çdo gjë. Shpirti Shenjt, vijoi Papa, na shoqëron gjithmonë në jetë, është Parakliti. “Ç’emër i çuditshëm!”, komentoi e pastaj, shpjegoi:

“Paraklit: fjala ‘paraklit’ do të thotë “ai, që rri pranë meje për të më mbështetur’, që të mos bie, që të mund të eci përpara, që të mund ta ruaj këtë rini të Shpirtit. I krishteri është gjithmonë i ri: gjithmonë. E kur zemra e të krishterit fillon të plaket, thirrja e tij fillon e pakësohet. O je i ri në zemër, në shpirt, o nuk je plotësisht i krishterë”.

Dialogu i përditshëm me Shpirtin Shenjt na bën të ecim përpara

         Pali e Sila, kujtoi Françesku, ishin rrahur e vuanin, por ishin plot gëzim e këndonin:

         “Kjo është rinia. Rini, që të bën t’i shohësh gjërat me shpresë, të ecësh përpara. Por, për ta pasur këtë rini nevojitet dialog i përditshëm me Shpirtin Shenjt, i cili është gjithnjë pranë nesh. Është dhurata e madhe, që na ka lënë Krishti; është mbështetje, që të bën të ecësh përpara”.

Mëkati e plak zemrën, Shpirtin Shenjt e mban të re

         E megjithëse jemi mëkatarë, vazhdoi Papa, Shpirti Shenjt na ndihmon të pendohemi e na rison. Ndërsa mëkati na plak, plak gjithçka. Në jetë, përfundoi Françesku, ka çaste të vështira, por kurrë nuk duhet të trishtohemi si paganët, sepse kemi Shpirtin Shenjt, që na mbështet në kapërcimin e vështirësive, madje, edhe në martirizim:

         “T’i lutemi Zotit të mos e humbasim këtë rini të përtërirë, të mos jemi të krishterë në pension, që e kanë humbur gëzimin e nuk e lënë veten të ecin përpara… I krishteri nuk shkon kurrë në pension; i krishteri jeton… jeton, sepse është i ri – kur është i krishterë i vërtetë”.

28 maj 2019, 12:34
Lexo gjithçka >