Kërko

Papa, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës Papa, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës  (Vatican Media)

Papa: ta lusim Zotin me guxim, me gjithë shpirt

Në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa na nxiti t’i lutemi me shpirt Zotit. Në formë private, mori pjesë në kremtim edhe presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, siç njoftoi drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Alessandro Gisotti.

R.SH. - Vatikan

Lutuni me guxim, shiheni Zotin në fytyrë, flitini me gjithë shpirt. Papa Françesku na nxit t’i drejtohemi kështu Zotit, gjatë homelisë së meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Në formë private, mori pjesë në kremtim edhe presidenti i Republikës së Italisë, Sergio Mattarella, siç njoftoi drejtori i përkohshëm i Sallës së Shtypit të Vatikanit, Alessandro Gisotti.

Lutja e ndërmjetësimit

Në predikimin e tij, Papa u përqendrua tek lutja, njëra nga tri mënyrat, që, së bashku me agjërimin dhe bamirësinë, na përgatisin gjatë Kreshmëve për Pashkët e Ringjalljes. Për të kuptuar se ç’është lutja e ndërmjetësimit, përmendi disa figura të Biblës: Moisiu, Abrahami, Ana, nëna e Samuelit, dhe gruaja kananease. Pikërisht Leximi i parë i Liturgjisë së sotme propozon lutjen, që Moisiu i drejton Zotit për popullin e vet. Për shkak të viçit të artë, Hyji i thotë: “Më lësho, të ndizet flakë zemërimi im kundër tij e ta shfaros”. Moisiu i lutet Zotit të mos e bëjë këtë dhe i flet “si mësuesi dishepujve të vet”. Përpiqet ta bindë Hyjin me butësi, por edhe me vendosmëri, që të braktisë ndjetin për t’i ndëshkuar izraelitët. I kujton Zotit premtimet, që i pati bërë Abrahamit, Isakut, Izraelit, të cilëve u pati thënë se pasardhësit do të ishin të shumtë si yjet e qiellit. Njëlloj, nënvizoi Papa, sikur t’i thoshte: “O Zot, mos bëj figurë të keqe, Ti që ke krijuar gjithë këto të mira”. Edhe kur Hyji i thotë Moisiut se prej tij do të krijojë një komb të madh, ky nuk pranon: o me popullin, o hiç.

Shembujt për lutjen e ndërmjetësimit

Papa kujtoi edhe shembuj të tjerë biblikë për lutjen e ndërmjetësimit, si ai i Abrahamit, nipi i të cilit banonte në Sodomë. I kërkoi Hyjit të shpëtonte të drejtët e qytetit e, së fundi, vetëm familja e të nipit shpëtoi si e drejtë. Ati i Shenjtë përmendi Anën, nënën e Samuelit, që lutej me shpirt për të pasur fëmijë, pa pyetur për meshtarin, që e kujtonte gati të dehur. E pastaj, gruaja kananease, që i kërkon Krishtit t’i shpëtojë të bijën nga djalli. Fillimisht Jezusi i thotë se ka ardhur vetëm për popullin e Izraelit, por gruaja nuk u zmbraps dhe këmbëngulja e saj bëri që Krishti të ndërhynte e t’ia shpëtonte të bijën. “Duhet guxim për t’u lutur kështu”, nënvizoi Papa, e duhet edhe shumë besim në Zotin:

“Duhet shumë guxim për t’u lutur kështu. E nganjëherë, ne jemi të vakët. Ndokush na thotë: ‘Lutu për mua, sepse kam këtë e atë problem…’. Po, po, i përgjigjem, e them dy ‘Atyna’, dy ‘FalemiMri’ e pastaj, e harroj… Jo, lutja si papagall nuk vlen. Lutja e vërtetë është kjo: bashkë me Zotin. E kur më duhet të ndërmjetësoj, duhet ta bëj me guxim. Në të folurën e përditshme, kur dëshirojnë ndonjë gjë, njerëzit përdorin një shprehje, që personalisht më thotë shumë: ‘e bëra me gjithë shpirt’. Kjo vlen edhe për lutjen e ndërmjetësimit: ‘duhet bërë me gjithë shpirt’. Guxim, për të ecur përpara. Ndoshta, mund të na vijë ndonjë dyshim: ‘Unë po e bëj këtë, por ku e di a më dëgjon Zoti?’ Ne kemi një siguri: Jezusi. Ai është ndërmjetësuesi i madh”.

Ndërmjetësimi i Krishtit

Krishti i ngjitur në qiell, ndërhyrn për ne para Atit, ashtu siç i pati premtuar shën Pjetrit, para Mundimeve në Kryq. I pati thënë se do të lutej që të mos i mungonte kurrë feja:

“Ai ndërmjetësim i Jezusit… Jezus, lutu për ne, në këtë çast të vështirë. E kur lutem, sido që të jetë – me bindje, duke thënë ‘më jep, të jap’, duke m’u marrë goja, duke diskutuar me Zotin – është Jezusi ai, që e merr lutjen time dhe ia paraqet Atit Qiellor. E Krishti s’ka nevojë të flasë para Atit: i tregon varrët. Ati sheh varrët dhe i jep hirin, që kërkon. Kur lutemi, le të mendojmë se e bëjmë këtë bashkë me Krishtin. Kur themi një lutje ndërmjetësimi, plot me guxim, e bëjmë bashkë me Jezusin: Ai është guximi ynë, Jezusi është siguria jonë, që në këtë çast, ndërhyn për ne”.

Të lutemi me gjithë shpirt

Në përfundim, Papa i nxiti të gjithë të luten me guxim:

“Zoti na dhashtë hirin të ecim në këtë rrugë, të mësojmë lutjen e ndërmjetësimit. E kur ndokush na thotë të lutemi për të, mos e bëni me dy lutje të vogla, por seriozisht, në praninë e Jezusit, me Jezusin, që ndërmjetëson për ne para Atit Qiellor”.

04 prill 2019, 12:26
Lexo gjithçka >