Kërko

Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës 

Papa Françesku: të krishterët të mos dorëzohen para dështimit

Gjatë meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku komentoi Leximin e parë, marrë nga Libri i Numrave (Nm 21,4-9), ku flitet për “shpirtin e lodhjes”, që “shuan shpresën”.

R.SH. - Vatikan

Nganjëherë të krishterët “parapëlqejnë dështimin”, që u lë hapësirë ankesave, pakënaqësive, të cilat përbëjnë “fushën e përsosur ku shin djalli”. Në homelinë e meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa Françesku reflektoi për “lodhjen”, siç tregohet në Librin e Numrave (Num 21,4-9). “Populli i Zotit – shkruhet në Leximin e parë - nuk e përballoi udhëtimin”: “entuziazmi” dhe “shpresa”, që lindën nga ikja prej skllavërisë së Egjiptit, u shuan pak nga pak në bregun e detit dhe pastaj, në shkretëtirë, duke arritur në mërmëritje kundër Moisiut. “Shpirti i lodhjes e shuan shpresën”, theksoi Papa, “lodhja përzgjedh: gjithmonë na bën të shohim anën e shëmtuar të çastit, që përjetojmë, duke harruar kështu, të mirat që kemi marrë”.

“E ne, kur ndodhemi në mjerim, nuk e durojmë udhëtimin dhe kërkojmë strehë ose tek idhujt, ose tek mërmëritjet, ose në gjëra të tjera... Ky është model për ne. E ky shpirt i lodhjes tek ne të krishterët na çon edhe në pakënaqësi për jetën: shpirti i pakënaqësisë. Nuk më pëlqen asgjë, gjithçka shkon keq... vetë Jezusi na e mësoi këtë, kur flet për këtë frymë pakënaqësie, duke thënë se ne jemi si fëmijë lojcakë”.

Fara e djallit

Disa të krishterë dorëzohen para “dështimit”, ndonjëherë kanë “frikë nga ngushëllimet”, vazhdoi Papa Bergoglio, kanë “frikë nga shpresa”, “frikë nga përkëdheljet e Zotit”, duke kaluar “një jetë të përzishme”.

“Kjo është jeta e shumë të krishterëve. Jetojnë duke u ankuar, jetojnë duke kritikuar, jetojnë duke mërmëritur, jetojnë të pakënaqur. ‘Njerëzit nuk e duruan udhëtimin’. Ne të krishterët, shpesh, nuk e durojmë udhëtimin. E parapëlqejmë të lidhemi me dështimin, pra, me mjerimin. Por mjerimi është i gjarprit: i gjarprit të lashtë, atij të Parajsës tokësore. Kemi një simbol këtu: të njëjtin gjarpër, që pati joshur Evën. Kjo është mënyrë për të dëshmuar gjarpërin që kanë brenda, i cili gjithmonë kafshon në mjerim”.

Frika nga shpresa

E kalojnë jetën, duke u ankuar, vërejti Papa, duke folur për ata, që “parapëlqejnë dështimin”, që “nuk kanë shpresë”, që “nuk mund ta durojnë ringjalljen e Jezusit”. E pastaj, përfundoi:

“Vëllezër dhe motra, le të kujtojmë vetëm këtë frazë: ‘Populli nuk mundi ta durojë udhëtimin’. Të krishterët nuk mund ta përballojnë udhëtimin. Të krishterët nuk e durojnë shpresën. Të krishterët nuk e përballojnë dot shëlbimin. Të krishterët nuk e pranojnë ngushëllimin. Lidhemi më tepër me pakënaqësinë, lodhjen, dështimin. Zoti na liroftë nga kjo sëmundje”.

09 prill 2019, 13:11
Lexo gjithçka >