Cerca

Vatican News
Papa, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës Papa, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës  (Vatican Media)

Papa: zemra e ngurtë e humb besnikërinë ndaj Zotit

Ta dëgjosh zërin e Zotit, për të mos e ngurtësuar zemrën e për të mos folur keq për Hyjin. Kjo, ftesa që bëri Papa sot në mëngjes, në meshën e kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, duke kujtuar se Zoti është i mëshirshëm dhe na kërkon të kthehemi tek ai me gjithë zemër.

R.SH. - Vatikan

Ftesë e fuqishme për t’u kthyer në udhën e Zotit: këtë bëri Papa Françesku sot në mëngjes, gjatë meshës së kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, në Vatikan. Duke e shtjelluar reflektimin e tij rreth Leximeve të liturgjisë së sotme, Ati i Shenjtë theksoi me forcë se zemra, që nuk e dëgjon zërin e Zotit për ditë, muaj e vite me radhë, thahet si toka pa ujë, ngurtësohet. E kur ka diçka, që nuk i pëlqen, flet keq e shpif kundër Hyjit. Në Ungjillin e sotëm Jezusi është i qartë: “Kush nuk është me mua, është kundër meje”.

Rreziku i humbjes së besnikërisë

         Zoti, vijoi Papa duke komentuar Leximet, i kërkon popullit të vet ta dëgjojë, duke i premtuar se do t’i qëndrojë gjithnjë besnik e “ju – u thotë – do të jeni gjithnjë populli im”. Por populli nuk e dëgjoi e vijoi rrugën e vet të gabuar, duke i kthyer shpinën Hyjit, pavarësisht se Ai i Lumi, që nga dalja e izraelitëve nga Egjipti, u dërgoi vazhdimisht shërbëtorët e profetët e Tij për t’i kthyer në udhën e drejtë. Por ata u bënë kokëfortë e Hyji, s’mund të bëjë tjetër, veçse të vërejë se besnikëria ndaj Tij është zhdukur. Kjo deklaratë e trishtë, nënvizoi Papa, është si dëshmi vdekjeje:

“Një popull pa besnikëri, që e ka humbur ndjenjën e besnikërisë. Kjo është pyetja, të cilën Kisha dëshiron që secili prej nesh t’ia bëjë vetes: ‘Po unë, a e kam humbur besnikërinë ndaj Zotit?’ – ‘Jo, jo, shkoj në meshë çdo të diel ...’ – ‘Po, po, por është fjala për besnikërinë e zemrës: a e kam humbur atë besnikëri, zemra ime a është ngurtësuar, a ngul këmbë kot, a është e shurdhër, ose nuk e lejon Zotin të hyjë, a jeton për vete me ato tre-katër gjëra, e pastaj bën ç’të dojë?’ Kjo është pyetje për secilin prej nesh: të gjithë duhet ta bëjmë, sepse për këtë shërbejnë Kreshmët, për të na e përtërirë zemrën. ‘Dëgjojeni sot zërin e Zotit’, kjo është ftesa e Kishës. ‘Mos e ngurtësoni zemrën’. Kur dikush jeton me zemërngurtësi, kur nuk e dëgjon Zotin, shkon edhe më tej e kur ka diçka të Zotit që nuk i pëlqen, e lë Hyjin mënjanë me ndonjë pretekst, flet keq për Zotin, shpif dhe e përgojon Zotin”.

Krishti na thotë: kush nuk është me mua, është kundër meje

         Duke komentuar faqen e sotme ungjillore (Lk 11,14-23), Papa Françesku shpjegoi ç’do të thotë të flasësh keq për Zotin, ta diskreditosh Atë. Jezu Krishti shëronte të sëmurët e shpirtrat e njerëzve, por çfarë thoshin për Të? Se i shëronte me forcën e Belzebusë, të djallit. Përpiqeshin ta zhvlerësonin e ky është hapi i parafundit i refuzimit të Zotit, nënvizoi Ati i Shenjtë. Së pari, nuk e dëgjojmë Zotin, duke e lënë zemrën të ngurtësohet; së dyti, e diskreditojmë Hyjin e, së treti, hapi i fundit nga i cili nuk mund të kthehemi mbrapsht: blasfemia kundër Shpirtit Shenjt. Papa kujtoi fjalët e fuqishme të Jezusit, në fund të pjesës së sotme ungjillore:

         “Jezusi përpiqet t’i bindë, por nuk ia del... E ashtu si profeti, që përfundon me këtë frazë të qartë – ‘besnikëria është zhdukur’ - Jezusi përfundon me një fjali tjetër, që mund të na ndihmojë: ‘Ai që nuk është me mua, është kundër meje’. ‘Jo, jo, unë jam me Jezusin, por në një farë distance, nuk i afrohem tepër’: jo, nuk është ashtu. Ose je me Jezusin, ose je kundër Jezusit; ose je besnik, ose nuk je besnik; ose ke një zemër të bindur, ose e ke humbur besnikërinë. Secili prej nesh le ta mendojë, sot, gjatë meshës dhe pastaj, gjatë ditës: lë ta mendojmë pak këtë. ‘Si është besnikëria ime? Për ta refuzuar Zotin, a kërkoj ndonjë pretekst, diçka për ta diskredituar Zotin?’. Mos e humbni shpresën. Këto dy fraza – ‘besnikëria është zhdukur’ dhe ‘kush nuk është me mua është kundër meje’ – lënë ende hapësirë për shpresë, edhe për ne”.  

Të kthehemi tek Zoti

         Papa e përfundoi homelinë, duke kujtuar se jemi të thirrur të kthehemi tek Zoti, i cili, pavarësisht nga sjellja jonë, vazhdon të jetë i mëshirshëm. Edhe kur e kemi ngurtësuar zemrën, Hyji na pret, na lë kohë:

         “‘Kthehuni tek unë me gjithë zemër’, thotë Zoti, ‘sepse jam i mëshirshëm dhe i dhembshur: do ta harroj çdo gjë. Për mua ka rëndësi që ju të vini tek unë. Kjo ka rëndësi, thotë Zoti. Dhe harron çdo gjë tjetër. Kjo është koha e mëshirës, është koha e devotshmërisë së Zotit: le t’i hapim zemrat që të vijë në ne”.

28 mars 2019, 14:44
Lexo gjithçka >