Papa Françesku, në Shën Martë: “Vlera e lëmoshës materiale e shpirtërore. Mos i gjyko të tjerët!”
R. SH. - Vatikan
“Mos i gjyko të tjerët, mos i dëno, por fali! Kështu mëshira jote mund t’i përngjasë mëshirës së Atit Qiellor”. Gjatë Meshës, kremtuar sot në Shën Martë, Papa u kujtoi të gjithëve se për të mos gabuar në jetë, “duhet t’i përngjasim Zotit, të ecim para syve të Atit”.
Duke u nisur nga Ungjilli i sotëm i Lukës (Lk 6,36-38), Françesku foli kryesisht për mëshirën e Zotit, e aftë për t’i falur edhe sjelljet “më të shëmtuara”. Mëshira e Zotit është diçka tepër e madhe, tej mase. Nuk duhet ta harrojmë kurrë këtë. Sa njerëz thonë: “Unë s’kam lënë gjë pa bërë! E kam blerë, tashmë, vendin tim në fund të ferrit. Nuk mund të kthehem mbrapa. Për mua nuk mund të ketë mëshirë askush!”. Po, a ke menduar ndonjëherë për mëshirën e Zotit? Ta kujtojmë atë historinë e zonjës së vejë, që shkoi të rrëfehej tek famullitari i Arsit (pasi i shoqi ishte hedhur nga ura e ishte mbytur në lum). E ajo qante. E thoshte: “E mjera unë, mëkatarja! E mjer im shoq, që tashti digjet në flakët e ferrit! Vrau veten, e vetëvrasja është mëkat mortar. Në ferr është! Jam e sigurt!”. E famullitari i Arsit, asaj: “Po, ndalu njëherë, moj zonjë, e mos harro se ndërmjet urës e lumit është mëshira e Zotit”. Është! Deri në fund. Deri në fund të fundit!
Sjellje të mira, për Kreshëm
Jezusi na jep tri këshilla, nëse duam ta meritojmë mëshirën e Zotit. Së pari na porosit: “Mos gjyko!”: zakon i keq ky, nga i cili duhet hequr dorë, posaçërisht në këtë kohë Kreshmësh:
“Zakon, që ngatërrohet në jetën tonë, edhe pa u kujtuar fare. Gjithnjë! Edhe kur ia nisim një bisede: ‘A e sheh ç’bëri ai… ajo?”. Ia nisim menjëherë me gjykimin e tjetrit. Mendo sa herë në ditë gjykojmë kështu. Po mjaft, ju lutem. Dukemi si gjykatës dështakë, të gjithë. Nuk mund ta nisim bisedën, pa bërë një koment për tjetrin: ‘Shikoja, shikoja surratin, paska bërë kirurgji plastike! E qenka bërë hukubet fare’”.
Së dyti, nuk duhet marrë tjetri nëpër gojë kot. E së fundi, duhet falur, edhe pse është tejet e vështirë; që veprat tona të maten me masën e përdorur nga vetë Zoti për ne.
Mos jini xhepa të mbyllur!
Gjatë homelisë, Papa Bergoglio i fton të gjithë të ecin në udhën e urtisë e të bujarisë, xhadeja, që të ndihmon t’i japësh fund “thashethemeve”, me të cilat gjykojmë gjithnjë, gjithnjë dënojmë e vështirë se falim ndonjëherë, më të rrallë:
“Zoti na mëson: ‘jep! Jepni, e do t’ju jepet’: jini bujarë në të dhënë. Mos jini ‘xhepa të mbyllur’; jini bujarë me të varfërit, me ata që kanë nevojë. Jepni shumë sende: jepni këshilla, buzëqeshje. Jep, jepni, gjithnjë! Jepni, e do t’ju jepet! Do t’ju jepet një masë e rrastë, plot e përplot, sepse Zoti do të jetë bujar: ne japim një, e Ai njëqind herë më shumë se dhamë ne. E kjo është sjellja, që i vë fre gjykimeve, që nuk të lë të gjykosh, të dënosh e të nxit të falësh. E edhe vlera e lëmoshës: jo vetëm e lëmoshës materiale, por edhe e asaj shpirtërore: të humbasësh kohën me tjetrin që ka nevojë, të vizitosh një të sëmurë, të qeshësh e të bësh për të qeshur!”.