Papa gjatë kremtimit të Meshës në Shën Martë Papa gjatë kremtimit të Meshës në Shën Martë  (ANSA)

Papa: Zoti na pyet: “Ku është yt vëlla? I urituri, i sëmuri, i burgosuri?”

Ku je? Ku është yt vëlla? Këto pyetje ia bën Zoti Adamit, Evës e edhe Kainit, në Librin e Zanafillës. E sot na i bën edhe ne, kujtoi Papa gjatë homelisë të Meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës.

Ashtu si Kainit, Zoti na drejton edhe ne pyetjen: “Ku është yt vëlla?”. Gjatë homelisë së Meshës, kremtuar në Shtëpinë e Shën Martës, Papa nxiti për t’iu përgjigjur personalisht kësaj pyetjeje, e jo me përgjigje kompromisi, për t’i bërë bisht problemit. Papa kujtoi, në vijim, se po fliste për vëllain  e sëmurë, të burgosur, të uritur, atë vëlla, që vijon të na e kujtojë Ungjilli i Mateut, në Kapitullin e 25-të.

Historia e Kainit dhe e Abelit, e propozuar nga Leximi i Parë i Liturgjisë së sotme (Zan 4,1-15.25), ishte në qendër të reflektimit të Françeskut. Lexim, që bën pjesë në një gjini letrare, tipike për Biblën: mund ta quajmë “e pyetjeve të vështira” dhe “e përgjigjeve të kompromisit”. Sepse jemi para një pyetjeje shqetësuese, asaj që Zoti ia drejton Kainit: “Ku është vëllai yt?”. E përgjigjja, në këtë rast, është përpjekje për të bërë dredha, por edhe për t’u mbrojtur “E ç’punë kam unë me jetën e tim vëllai? Thua jam rojtari i tij? Unë i laj duart”. E me këto fjalë, Kaini  përpiqet t’i shpëtojë syrit të zemëruar të Zotit, që më pas do ta ndiqte kudo” - vërejti Papa.

Pyetje  bezdisëse

Françesku ndalohet, pastaj, tek “pyetjet shqetësuese”, që bën Jezusi. Shpesh ia drejton edhe Pjetrit. Kujtojmë, për shembull pyetjen “A më do?”, të përsëritur, me ngulm, tri herë. Aq sa Pjetri nuk di më si t’i përgjigjet. Ashtu si ua drejton edhe dishepujve: “Ç’thonë gjindja për mua?” E ata: “Thonë se je profet, Pagëzuesi…”. Po Ai ngulmon përsëri me pyetje: “E, ju? Ju çka thoni?”. Pyetje bezdisëse, pra. Ndërsa Zoti i bëri Kainit një pyetje tjetër, që s’ka nevojë ta përsërsim. Sepse dimë një mori përgjigjesh: “E po, është jeta e tij, unë e respektoj, e i laj duart… nuk dua t’i ngatërrohem tjetrit nëpër këmbë”, “secili është i lirë të zgjedhë rrugën e vet….”. Me këto shembuj, Papa  dëshiron të vërë në dukje  sesi, në jetën tonë të përditshme, këtyre pyetjeve shqetësuese, që na i drejton Zoti, u përgjigjemi në përgjithësi, në një mënyrë, që nuk thotë asgjë - e thotë gjithçka, gjithçka kemi në zemër.

Përgjigje kompromisi

Zoti ia bën edhe sot kësaj dite, secilit prej nesh, pyetjen: “Ku është yt vëlla?”. Ndoshta ndonjëri, që është habitshëm, mund t’i gjegjet: “Epo, në shtëpi, me të shoqen”. Po Papa sqaron se Zoti nuk po flet për të shoqen, por për të vëllain, të uriturin, të sëmurin, të burgosurin, të përndjekurin nga drejtësia:

“Ku është yt vëlla?”- “Nuk e di” - “Po ai është i uritur!”. “Po, po,  sigurisht është duke ngrënë drekën në Karitasin e famullisë! Po, po, ata i japin për të ngrënë”. E me këtë përgjigje - kompromisi - shpëtoj lëkurën. “Po, tjetri? I sëmuri? Ku është?”…”Sigurisht do të jetë në spital”. “Po në spital nuk ka vend! E ndoshta i mungojnë edhe ilaçet?”. “Punë për të, unë nuk mund t’i fus hundët në jetën e tjetrit… do ta ketë ndokënd, që ia jep ilaçet”- e kështu laj duart.  “Po vëllai yt, i burgosuri, ç’bën?”. “Aaa, ai? Po merr çka meriton. Duhet ta paguajë, atë që bëri. Na lodhën shpirtin keqbërësit e rrugës. E bëri? Ta paguaj tani!”. Po a thua ti nuk e ke dëgjuar kurrë këtë pyetje që del drejt nga goja e Zotit: “Ku është yt vëlla? Ku është vëllai i shfrytëzuar, ai që punon në të zezë.  Pa siguri, pa pushime…”. “Eh, po nuk ka punë e secili bën atë që gjen!”… Një përgjigje tjetër kompromisi.

Me këto shembuj konkretë, Papa kërkon që secili të besojë se Zoti ia drejton atij vetë pyetjen dramatike, që del nga Ungjilli, për të hyrë në jetën tone sot: “Ku është yt vëlla?”. E vëllai është njëri prej atyre, që kujtohen në Kapitullin e 25-të të Mateut: i sëmuri, i urituri, i eturi, i zhveshuri,  i vogli, që nuk mund të shkojë në shkollë, i droguari, i burgosuri… në ç’skutë të zemrës sonë është vëllai ynë? A kemi vend edhe për të, në zemrën tonë? Apo mjaftohemi t’i japim një lëmoshë vëllait, që na shtrin dorën e i lutemi të mos na trazojë më.  Ju lutem - vijoi Papa - me këto sende shoqërore të Kishës, na duket si të ishim parti komuniste, e kjo tingëllon keq. Sepse Zoti vijon të të pyesë. “Ku është yt vëlla?”. Nuk të pyet organizata bazë e partisë, por Zoti. “Jemi mësuar - nënvizoi akoma Françesku - të japim përgjigje kompromsi, përgjigje për t’i bërë bisht problemit, për të ikur nga problemi, për të mos e parë  e  për të mos e prekur problemin”.

Ku je?

Ku je? Duhet t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, përndryshe mëkati bën folenë në prag të portës sate. Duke pritur të hyjë brenda. Për të të shkatërruar. E pastaj vjen edhe pyetja tjetër e Zotit, ajo drejtuar Adamit, pas mëkatit: “Adam, ku je?”:

“E Adami u fsheh nga turpi, nga frika. Sa mirë do të ishte ta ndjenim edhe ne këtë turp! Ku është yt vëlla? Ku je? Në ç’botë jeton, që nuk i shikon vuajtjet e dhimbjet rreth teje? Ku është yt vëlla? … Mos u fshih nga realiteti. Përgjigjiu hapur, ndershmërisht, madje me gëzim këtyre pyetjeve, që po t’i bën vetë Zoti!”.

18 shkurt 2019, 13:38
Lexo gjithçka >