Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë Papa Françesku kremton meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa: përvujtëri dhe butësi, për t’ia hapur zemrën të tjerëve

Kthimi në udhën e Zotit e shërimi i shpirtit, për të cilin kemi nevojë të gjithë: këto, argumentet kryesore të homelisë së Papës Françesku në meshën e sotme, në Shtëpinë e Shën Martës.

R.SH. - Vatikan

Për t’ia hapur zemrën të tjerëve e për t’i ftuar ata të kthehen në udhën e Zotit nevojitet butësi, përvujtëri dhe varfëri, duhen ndjekur gjurmët e Krishtit, pa menduar se jemi më të mirë se të tjerët, pa parë interesin. Këtë nënvizoi Papa Françesku, sot në mëngjes, në homelinë e meshës, në Shtëpinë e Shën Martës. Reflektimi i tij u nis nga Ungjilli i shën Markut (Mk 6,7-13), propozuar nga liturgjia e sotme.

Hapeni zemrën që të hyjë Fjala e Zotit

         Jezu Krishti i fton dishepujt t’i shërojnë njerëzit, ashtu siç bënte edhe Ai vetë, “të shërojnë nga rrënjët mëkatin brenda nesh”, “mëkatin e rrjedhshëm”, komentoi Papa. “Të shërosh është si të rikrijosh”, nënvizoi: “Krishti na ka rikrijuar që nga rrënjët e pastaj na ka bërë të ecim me mësimet e Tij, me doktrinën e Tij, që shëron”, gjithmonë. Por, kërkesa e parë e Tij është kthimi i zemrës:

         Shërimi i parë është kthimi, në kuptimin e hapjes së zemrës që në të të hyjë Fjala e Zotit. Të kthehesh do të thotë të shohësh në një drejtim tjetër, të shkosh bashkë me të tjerët në atë drejtim. E kjo ta hap zemrën, të bën të shikosh gjëra të tjera. Nëse ndokush është i sëmurë e ngul këmbë të mos shkojë tek mjeku, nuk mund të shërohet. Këtyre njerëzve, Krishti u thotë së pari: “Kthehuni, hapeni zemrën”. Megjithëse ne të krishterët bëjmë shumë gjëra të mira, nëse zemra është e mbyllur, ato mbeten bojë e jashtme.

Bariu i mirë nuk e shfrytëzon grigjën

         Por, vërejti Papa, për t’u kërkuar njerëzve të ndryshojnë, duhet autoritet. E për ta fituar këtë autoritet, Krishti në Ungjill thotë të marrim me vete vetëm një shkop për t’u mbështetur, as bukë, as trastë, as para. Ati i Shenjtë përmendi shën Augustinin, i cili theksonte se bariu i mirë nuk përpiqet ta shfrytëzojë për vete grigjën, që i është besuar. Ai, që “kërkon qumështin – thoshte shenjti i madh – kërkon paranë e ai, që kërkon leshin e deleve, do vetëm të vishet bukur, me kotësinë e zanatit të tij. Është njeri ambicioz”. Ndërsa Krishti i nxit dishepujt e vet të shkojnë diku tjetër, nëse nuk i mirëpresin:

Nëse një apostull, njeriu i dërguar, ndokush prej nesh – se jemi shumë të dërguar këtu - shkon pak me hundë përpjetë, duke besuar se është më i mirë se të tjerët, ose duke kërkuar ndonjë interes, ose - nuk di - duke kërkuar një pozitë në Kishë, nuk do të shërojë kurrë askënd, nuk do të jetë në gjendje t’ia hapë zemrën askujt, sepse fjala e tij nuk do të ketë autoritet. Dishepulli do të ketë autoritet, nëse ndjek gjurmët e Krishtit. E cilat janë gjurmët e Krishtit? Varfëria. Nga Hyj u bë njeri! U bë asgjë! U zhvesh! Varfëri, që çon në butësi, në përvujtëri. Jezusi i përvuajtur, që del në rrugë për të shëruar. Prandaj, apostulli i varfër, i përvuajtur, i butë, është në gjendje të thotë me autoritet: “Pendohuni”, e, kështu, të hapë zemrat.

Autoriteti fitohet duke u interesuar për njerëzit

         Të dërguarit e Krishtit, pasi u kërkonin njerëzve të ndryshonin, dëbonin shumë demonë dhe e bënin këtë me autoritet. Është autoriteti i shembullit personal, nënvizoi Papa, e jo i atij, që ka interes e që e kthen autoritetin në “autoritarizëm”. Dishepujt shëronin edhe trupin me vajin e të sëmurëve. “Vajimi është përkëdhelja e Zotit”, nënvizoi Ati i Shenjtë. Secili prej nesh, përfundoi Papa Françesku, mund t’i shërojë të afërmit duke e mësuar këtë përkëdhelje, që s’është tjetër, veçse “fjala e mirë, durimi, këshilla në kohën e duhur, një vështrim, por edhe vajimi, gjithnjë me përvujtëri”.

Të gjithë kemi nevojë të shërohemi, të gjithë, sepse kemi sëmundje shpirtërore, të gjithë. Por, kemi edhe mundësinë t’i shërojmë të tjerët, duke mbajtur këtë qëndrim. Zoti na dhashtë hirin për të shëruar siç shëronte Ai: me butësi, me përvujtëri, me forcë kundër mëkatit, kundër djallit dhe na ndihmoftë të ecim përpara në këtë “zanat” të bukur të shërimit të njëri-tjetrit. Të gjithë të thonë: “Unë e shëroj dikë dhe e lejoj të më shërojë”. Mes nesh. Kjo është bashkësia e krishterë.

07 shkurt 2019, 12:50
Lexo gjithçka >