Kërko

 Papa duke kremtuar Meshën në Shën Martë Papa duke kremtuar Meshën në Shën Martë  (Vatican Media)

Papa për martirizimin e Shën Gjonit: jeta ka vlerë, kur dhurohet

Papa Françesku, në homelinë e Meshës, kremtuar në Shën Martë, na fton të meditojmë mbi katër protagonistët e fundit të Gjon Pagëzuesit: mbretin e korruptuar e të lëkundur; gruan djallëzore, që e urrente; balerinën e llastuar e tekanjoze dhe Profetin kokëprerë, në vetminë e burgut.

R. SH. - Vatikan

Martirizimi i Gjonit, “burrit më të madh lindur nga gruaja” sipas Jezusit, është dëshmi e madhe: dëshmon se jeta ka vlerë, vetëm kur u dhurohet të tjerëve “në dashuri, në vërtetësi, në jetën e përditshme, në familje”. Papa Françesku e komentoi kështu, gjatë homelisë së Meshës së mëngjesit, në Shtëpinë e Shën Martës, fragmentin ungjillor të Markut, kushtuar aktit tragjik, kur xhelatët e dërguar nga Herodi në qelinë e errët të burgut, i presin kokën Gjon Pagëzuesit, për ta paraqitur, pastaj, mbi një tabaka, në kulmin e njërës nga gostitë më të shfrenuara të mbretit.

Rrëfim me katër personazhe, që Françesku na fton t’i njohim nga afër, me zemër të hapur, që në këto çaste të na flasë vetë Zoti. I pari, mbreti Herod, “i korruptuar e i pavendosur”. Herodiada, pastaj, gruaja e vëllait të mbretit, “me shpirtin e mbushur plot mllef”; Salomea, “balerina e llastuar” dhe “Profeti kokëprerë, në vetminë e  qelisë”. Rrëfim, që Papa e tregoi, duke e nisur nga fundi, nga çasti kur dishepujt kërkojnë trupin e Profetit, dhe, si e marrin,  e varrosin me lot në sy.

“Këtë fund pati më i madhi burrë - kometoi Papa - Po Gjoni e dinte  se duhej asgjësuar. E pati thënë që në fillim, duke folur për Jezusin: ‘Ai duhet të rritet, ndërsa unë, të zvogëlohem’. E si tha, ashtu edhe bëri. U zvogëlua, deri në vdekje. Ai, pararendësi; ai, që kumtoi Krishtin; ai, që tha: ‘Nuk jam unë, është ky Mesia!’. Ua tregoi dishepujve - kujtoi Papa - e pastaj drita e tij u shua pak nga pak, deri tek errësira e asaj qelie burgu, mbi kashtën e së cilës iu rrokullis koka”.

Martirizimi është shërbim, është mister e dhuratë

Po pse ndodhi gjithë kjo?- pyeti Françesku. -Nuk është e lehtë ta tregosh jetën e martirëve - shpjegoi - martirizimi është shërbim, është mister, është dhuratë e jetës, shumë e veçantë, shumë e madhe, është fund i dhunshëm, për shkak të mërive njerëzore, që i shtyjnë deri atje, sa t’ia këpusin fillin e  jetës të krishterit, njeriut të ndershëm, duke e bërë, kështu, martir.

Mbreti shpirtprishur nuk mund të ndërrojë jetë

Papa, pra, analizoi sjelljet e tre personazheve, protagonistë të martirizimit. Mbretin, sidomos, i cili besonte se Gjoni ishte profet, kishte dëshirë ta dëgjonte e, deri diku, edhe e mbronte, por njëkohësisht e dronte, ndaj e mbante të mbyllur në burg. Luhatej para Profetit, sepse ai ia përplaste mëkatet në fytyrë. Në zërin e Profetit - shpjegoi Papa Françesku - dëgjonte zërin e Zotit, që i thoshte “Ndrysho jetë!”. Po ai, i pavendosur siç ishte, nuk qe në gjendje të ndryshonte. Mbreti ishte i korruptuar, e ku ka korrupsion, nuk është aspak e lehtë të dalësh. I korruptuar, që  kërkonte  të krijonte ekulibër diplomatik ndërmjet jetës së tij, të ngarkuar jo vetëm me mëkatin e shkeljes së kurorës, por edhe me gjithfarë padrejtësish të tjera - e shenjtërisë së profetit, të cilën e kishte gjithnjë parasysh. Nyje tepër e ngatërruar, që nuk e zgjidhte dot!

Gruaja me shpirtin e shejtanit

Pastaj Papa përshkroi Herodiadën, gruan e të vëllait të mbretit, që Herodi e mbyti, për ta shtënë në dorë, atë e mbretërinë. Ungjilli thotë për të vetëm se e urrente për vdekje Gjonin, sepse ia plaste të vërtetën në fytyrë:

“E ne e dimë se urrejtja është e aftë për gjithçka - komentoi Françesku - është forcë e llahtarshme. Urrejtja është frymëmarrja e shejtanit. E atij, që nuk di të dojë, nuk mund të dojë, sepse është i gatuar i tëri vetëm nga urrejtja.  E kjo grua kishte shpirtin shejtanor të urrejtjes, që shkatërron”.

Mbreti, si shejtani, i thotë Salomesë: të jap gjithçka

Së fundi, personazhi i tretë, e bija e Herodiadës, Salomeja, që dinte vetëm të vallëzonte e që u pëlqeu pa masë gostarëve të mbretit. Herodi, në kulmin e entuziazmit, nësa valltarja e mbështjellë me vela spërdridhej para syve të tij,  i tha “Kërkomë ç’të duash, e unë do ta jap!”. Përdori - kujtoi Papa - po ato fjalë, që pati përdorur shejtani për ta tunduar Jezusin: “Nëse ti do të më adhurosh, do të të jap gjithçka, gjithë mbretërinë”. Po Herodi nuk mund ta dinte dredhinë e djallit:

“Pas këtyre personazheve fshihej shejtani, mbjellësi i urrejtjes në shpirtin e gruas; mbjellësi i kotësisë në shpirtin e valltares, mbjellësi i korrupsionit, në shpirtin e mbretit. E burri më i madh, i lindur nga gruaja, përfundoi i vetëm, në qelinë e errët të burgut, për shkak të nazeve të një balerine llasticë, urrejtjes së një gruaje djallëzore e korrupsionit të një mbreti, që luhatej nga frynte era e grave, që e rrethonin. Është martir, që e la jetën e tij të shuhej pak nga pak, pak nga pak, për t’i lëshuar vendin Mesisë”.

Dëshmia e një burri të madh e shenjti të madh

Gjoni vdes aty, në qeli, në heshtje e harresë “si shumë nga martirët tanë” - komentoi me hidhërim Papa. - Ungjilli thotë vetëm se “dishepujt shkuan dhe e morën  trupin pa kokë, për ta varrosur”. Të gjithë mendojmë - shtoi Françesku - se kjo është dëshmi e madhe, e një burri të madh, e një shenjti të madh:

“Jeta ka vlerë vetëm në dhurim, në dhurimin për dashuri, për të vërtetën, për të tjerët, në jetën e përditshme, në familje. Gjithnjë në dhurim. Nëse ndokush e ruan jetën vetëm për vete, për kënaqësitë veta, si mbreti i korruptuar; zonja, personifikim i urrejtjes së zezë,  a vajza pa ndërgjegje, e ngarkuar me ojnat e kotësisë, jeta vdes, jeta shuhet krejtësisht e fishkur, jeta nuk shërben më për asgjë”.

Ta hapim zemrën, Zoti na flet përmes këtyre figurave!

Gjoni, përfundoi Françesku, dhuroi jetën: “Unë duhet të zvogëlohem,  që Ai të duket, të dëgjohet, të shihet, sepse Ai duhet të duket. Zoti!”:

“Veç ju këshilloj të mos mendoni shumë për këtë: kujtoni vetëm katër figurat, katër personazhet: mbretin e korruptuar; zonjën, që dinte vetëm të urrejë; vajzën e llastuar, pa ndërgjegje dhe Profetin kokëprerë në vetminë e qelisë. Shikojeni gjithë këtë, e secili ta hapë zemrën, që Zoti t’i flasë për këtë histori kaq aktuale”.

08 shkurt 2019, 13:18
Lexo gjithçka >