Kërko

Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës Papa Françesku kremton meshën në Shtëpinë e Shën Martës 

Papa në Shën Martë: meshtarët të jenë të gëzueshëm si don Bosko

Në ditën, në të cilën Kisha Katolike kremton shën Gjon Boskon, Papa e përmend figurën e tij në homelinë e meshës së mëngjesit në Shtëpinë e Shën Martës. Françesku kërkon që meshtarët të mos jenë funksionarë, por të kenë guximin t’i shohin gjërat me sytë e Zotit.

R.SH. - Vatikan

Meshtarët të jenë plot gëzim, të shohin me sytë e njeriut dhe me sytë e Zotit, siç bëri shën Gjon Bosko. Këtë theksoi Papa Françesku, sot në mëngjes, gjatë homelisë së meshës në Shtëpinë e Shën Martës, duke i nxitur priftërinjtë ta shohin realitetin me zemrën e një babai dhe të një mësuesi, siç bëri don Bosko. Vërtet, falë këtij vështrimi të ndryshëm, shenjti i pa të rinjtë e varfër në rrugë, u mallëngjye dhe mendoi për mënyrën si t’i nxjerrë nga ajo gjendje. Eci dhe derdhi lot me ta.

Të shohësh me sytë e njeriut e të Zotit

         Papa Françesku kujtoi ç’i tha e ëma don Boskos, kur u shugurua meshtar: “Sot, do të fillosh vuajtjet”. E ëma, pavarësisht se nuk kishte bërë ndonjë fakultet teologjie, e paralajmëroi se meshtari, nëse i sheh gjërat me sytë e njeriut e me sytë e Zotit, pa dyshim, do të provojë vuajtje. E don Bosko, nënvizoi Ati i Shenjtë, në “atë epokë masonësh, që s’i shihte dot me sy priftërinjtë”, kohë e “aristokracisë së mbyllur në sallonet e veta, kohë kur të varfërit ishin vërtet të mjerët, të hedhurit”, pa se fëmijët e të rinjtë kishin mbetur rrugëve e nuk e pranoi atë gjendje:

         “I pa me sytë e njeriut, të atij njeriu, që është vëlla dhe baba, e pastaj, tha: ‘Jo, kjo s’mund të jetë kështu! Këta të rinj mund të përfundojnë tek don Cafasso, në trekëmbësh ... jo, nuk mund ndodhë ashtu’, e u mallëngjye si njeri dhe si i tillë filloi të mendonte udhët për t’i ndryshuar të rinjtë, për t’i emancipuar. Rrugë njerëzore. E më pas, pati guximin t’i shikonte me sytë e Zotit dhe të shkonte te Hyji e t’i thoshte: ‘Pa ma trego pak këtë punë... kjo është padrejtësi... si mund të rrihet duarkryq para kësaj... I ke krijuar këta njerëz për një jetë të plotë, ndërsa ata përjetojnë një tragjedi të vërtetë...’. Kështu, duke e parë realitetin me dashurinë e atit – të atit e të mësuesit, thotë liturgjia e sotme - dhe duke e parë Zotin me sytë e lypësit, që kërkon dritë, filloi misionin”.

         Don Giuseppe Cafasso, të cilin Papa e përmendi në homeli, ngushëllonte të burgosurit në Torinon e viteve ‘800 e shpesh, i ndiqte deri në trekëmbëshin e varjes të dënuarit me vdekje. Ishte mik i madh i shën Gjon Boskos.

Meshtar i afërt

         Meshtari, vërejti më pas Papa, duhet t’i ketë këto dy cilësi: ta shohë realitetin me sytë e njeriut, por edhe me sytë e Zotit. Kjo, për Atin e Shenjtë, do të thotë të rrish mjaft kohë para Tabernakullit:

         “Ky lloj shikimi i tregoi rrugën [don Boskos], sepse ai nuk shkonte vetëm me Katekizmin dhe Kryqin, ‘bëni këtë...’. Të rinjtë do t’i kishin thënë: ‘Natën e mirë, shihemi nesër’. Jo, jo: ai u afrua me ta, me gjallërinë e tyre. I bëri të luajnë, i mblodhi në grup, si vëllezër... shkoi, eci me ta, dëgjoi me ta, i pa, derdhi lot me ta dhe kështu, i çoi përpara. Ky është meshtari, që i shikon me humanitet njerëzit, që është i afërt gjithmonë”.

Don Bosko, mjeshtër i gëzimit

         Meshtari nuk është funksionar, që pret me orar, nënvizoi më tej Papa Françesku. Njerëzit duhen parë me sytë e njeriut e të Zotit, pavarësisht nga rreziku i mbizotërimit të njërit prej vështrimeve. Meshtari duhet ta pranojë këtë rrezik, nënvizoi Ati i Shenjtë, megjithëse fillojnë thashethemet, vuajtja, persekutimi, sepse, natyrisht, mund ta akuzojnë se rri me “rrugaçët”. Don Bosko ndenji me ta për t’i nxjerrë nga rruga dhe për t’u dhënë dinjitet. E Papa këshilloi që, ashtu si shenjti i madh i rinisë, kjo punë me të rinjtë të bëhet gjithnjë me gëzim:

“Cila është shenja, që tregon se meshtari vepron mirë, duke e parë realitetin me sytë e njeriut dhe me sytë e Zotit? Gëzimi. Gëzimi. Kur prifti nuk ndjen gëzim, të ndalet menjëherë dhe të pyesë pse. Gëzimi i don Boskos njihet: ai është mjeshtri i gëzimit, eh? Sepse i bënte të tjerët të gëzojnë, prandaj gëzonte vetë. E, edhe vuante vetë. T’i lutemi sot Zotit, që përmes ndërmjetësimit të don Boskos, të na japë hirin që meshtarët të jenë të gëzuar: gëzim, që vjen nga shikimi i gjërave të baritorisë, nga shikimi i Popullit të Hyjit, me sytë e njeriut dhe me sytë e Zotit”.

31 janar 2019, 13:42
Lexo gjithçka >